NEPXHIDOU/ANKARA (AA) – Sekretari amerikan i Shtetit, Rex Tillerson, në kuadër të vizitës së tij në Mianmar tha se janë thellë të shqetësuar “për raportin e besueshëm” lidhur me persekutimet e ushtruara ndaj muslimanëve të Arakanit, me ç’rast bëri thirrje për një hetim të pavarur për krizën njerëzore në rajon, transmeton Anadolu Agency (AA).
Tillerson, në kuadër të vizitës së tij një ditore në kryeqytetin e Mianmarit, Nepxhidou, u takua me ministren e Punëve të Jashtme dhe ministren e Presidencës së Mianmarit, Aung San Suu Kyi.
Në një konferencë të përbashkët për media, Sekretari Tillerson, lidhur me atë që po ndodh në Arakan tha se “Pamjet me një fjalë të vetme, janë të tmerrshme”.
Ai tha se ndjejnë shqetësim të thellë për raportet e besueshme lidhur me persekutimin e ushtruar ndaj muslimanëve të Arakanit. Tillerson theksoi nevojën e zhvillimit të hetimeve të pavarura për krizën njerëzore, e cila shkaktoi emigrimin e më shumë se 600 mijë muslimanëve të Arakanit në Bangladesh.
Duke thënë se aplikimi i “sanksioneve të gjera ekonomike” ndaj Mianmarit nuk do të ishte e drejtë, Tillerson tha se “Nëse kemi informacion të sigurtë se persona të caktuar janë përgjegjës për aktet të cilat i vlerësojmë si të papranueshme, do të ishte më e përshtatshme që sanksionet të aplikohen ndaj atyre personave”.
Suu Kyi, e cila është në objektiv të kritikave të komunitetit ndërkombëtar për shkak të mos reagimit ndaj persekutimit të muslimanëve të Arakanit, në konferencë për media rikujtoi se ministria ka publikuar disa deklarata lidhur me krizën në Arakan.
“Unë nuk mbeta e heshtur. Ata me siguri duan të thonë se nuk kam thënë gjëra mjaft interesante”, tha ajo.
Tillerson më pas u takua me gjeneralin Min Aung Hlaing, i cili ndodhet në krye të operacioneve ushtarake në Arakan.
Spastrimi etnik ndaj muslimanëve të Arakanit
Mijëra muslimanë të Arakanit kanë humbur jetën që nga 25 gushti e deri tani si rezultat i sulmeve të ushtrisë së Mianmarit, e cila pretendon se është duke luftuar me militantë të armatosur. Numri i saktë i viktimave ende nuk mund të verifikohet, për arsye se qeveria e Mianmarit nuk lejon hyrjet dhe daljet në rajon.
Gjatë sulmeve të cilat janë shndërruar në një spastrim etnik janë djegur ose shkatërruar rreth 300 fshatra nga ushtria dhe budistët radikalë, si dhe mbi 600 mijë muslimanë të Arakanit janë larguar në Bangladesh nëpërmjet rrugëve malore, detare apo të lumenjve.
Ndërkohë dhjetra mijëra të tjerë janë në kërkim të rrugëve për t’u larguar në Bangladesh. Parashikohet se rreth 2 milionë muslimanë jetonin në Arakan në vitet 1970, por ky numër ka rënë nën 350 mijë për shkak të largimeve nga sulmet sistematike.