22 C
Pristina
Wednesday, May 8, 2024

“Ekipi i TRT-së i arrestuar edhe përkundër informimit të autoriteteve të Mianmarit”

Më të lexuarat

– Pas burgimit me nga dy muaj të ekipit të një dokumentari të TRT World në Mianmar për posedim droni dhe në prag të gjykimit të tyre të dytë për “kundërshtim të ligjit të eksportit dhe importit”, TRT përmes një kumtese ka rikujtuar se arrestimi i gazetarëve të saj ka ndodhur edhe përkundër faktit se kanë informuar autoritetet e Mianmarit për detajet e filmit, transmeton Anadolu Agency (AA).

Dy gazetarët e TRT World, Mok Choy Lin nga Malajzia dhe Lau Hon Meng nga Singapori, u arrestuan më 27 tetor dhe dolën para gjykatës në kryeqytetin e Mianmarit, Nepxhidou, së bashku me gazetarin lokal të pavarur Aung Naing Soe dhe shoferin e tyre Hla Tin më 10 nëntor, ndërsa po atë ditë, gjykata shqiptoi nga dy muaj dënim për secilin.

“Si arsye për arrestimin e tyre, autoritetet e Mianmarit thanë se bëhet fjalë për kundërshtim të ligjit të eksportit dhe importit”, thuhet në kumtesën e TRT-së, ndërkohë që theksohet burgimi i tyre me nga dy muaj u bë nën akuzën “shkelje e ligjit të fluturimit”.

“Edhe pse ne e kemi informuar Ministrinë e Informacionit e Mianmarit lidhur me detajet e punimeve për dokumentarin, ekipi prej katër punonjësish u dënua me nga dy muaj burgim nga gjykata”, thuhet nga TRT.

TRT njofton se është në kontakt të vazhdueshëm me familjet e të arrestuarve menjëherë pas marrjes së informacionit për arrestimin e tyre.

“Duam të rikujtojmë edhe njëherë se teksa realizon punime që kanë të bëjnë me njeriun në rajone të ndryshme të botës, TRT do të vazhdojë të ndajë me opinionin botëror të vërtetat ndaj të cilave bota ngelet e heshtur dhe do të vazhdojë t’i zbatojë përgjegjësitë jo vetëm për Turqinë dhe rajonin, por për gjithë njerëzimin, pa shikuar kufij”, thuhet në kumtesën e TRT-së.

Ndryshe, të pandehurit do të paraqiten sërish në gjykatë më 16 nëntor për t’u përgjigjur edhe për akuzën e futjes së dronit pa leje, në kuadër të ligjit të eksportit dhe importit.

Në një deklaratë të mëhershme për AA, shefi i policisë së Mianmarit Sann Aung ka thënë se nëse shpallen fajtorë, ata mund të dënohen me burgim deri në tre vite ose me gjobë.

Edhe në një kumtesë të lëshuar katër ditë pas arrestimit, TRT World, servisi në gjuhën angleze i transmetuesit publik të Turqisë, kishte thënë se Ministria e Informacionit e Mianmarit ishte informuar paraprakisht për planet e filmimit të ekipit.

“Ekipi ynë donte të filmonte ndërtesën e parlamentit në kryeqytet me dron, pasi zhvilloi një intervistë me një anëtar të parlamentit”, thuhej në deklaratë.

“Ata u arrestuan nga zyrtarët e sigurisë përpara se droni të fluturonte”, thuhej mes tjerash.

Dy punonjësit e TRT-së arritën në Yangon më 21 tetor me viza të gazetarëve. Ata e kanë përdorur dronin në vende të ndryshme përpara arrestimit të tyre.

- Advertisement -spot_img

Më tepër

Të fundit