3.4 C
Pristina
Wednesday, December 18, 2024

TIKA turke: Nuk kemi qëllim tjetërsimin e trashëgimisë kulturore të Kosovës

Më të lexuarat

Agjencia Turke për Bashkëpunim dhe Koordinim (TIKA) ka hedhur poshtë akuzat e fshehjes së ndonjë qëllimi prapa ndihmës financiare për restaurimin e Hamamit të Madh të Prishtinës.

Për këtë projekt, për të cilin u ngritën shqetësime nga profesorë universitarë dhe profesionistë të trashëgimisë kulturore, TIKA thotë se nuk ka për qëllim që të zbatojë asnjë projekt që është në kundërshtim më të kaluarën e shtetit të Kosovës.

“Deri më tani, në asnjë mënyrë në asnjë shtet nuk kemi zbatuar, nuk jemi duke zbatuar dhe nuk do të zbatojmë projekte në kundërshtim me kulturën dhe traditat e atij shteti”, thuhet në përgjigjen e TIKA-s dërguar Radios Evropa e Lirë.

Çështja e Hamamit të Madh u bë temë diskutimi javën e kaluar, kur në fotografitë e prezantimit të projektit nga ana e Komunës së Prishtinës dhe TIKA-s vërehej se këtij objekti i ishte ndryshuar emri.

TIKA nuk është përgjigjur në pyetjen e REL-it nëse ka propozuar që Hamami i Madh pas restaurimit të quhet “Fatih Hamami Muzesi”.

Përkundër kundërshtimeve, TIKA thotë se do të vazhdojë me zbatimin e projektit.

“Sa i përket projektit në fjalë, është një proces që është duke vazhduar për zbatimin e saj dhe ne sikur deri më tani, do të vazhdojmë të qëndrojmë pranë popullit të Kosovës si dhe me projektet tona do të vazhdojmë të mbështesim Kosovën në çdo aspekt”, thuhet në përgjigjen e TIKA-s.

Rishikimi i projektit
Shqetësimet e ngritura për projektin për restaurimin e Hamamit të Madh të Prishtinës kanë shtyrë Inspektoratin për Trashëgimi Kulturore që të ndërmarrë hapa drejt rishikimit të projektit.

Drejtori i Inspektoratit për Trashëgimi Kulturore, Imer Hakaj, tha të martën për Radion Evropa e Lirë se pas shqetësimeve të ngritura, ky institucion është duke analizuar të tërë lëndën e këtij projekti.

“Jemi duke e analizuar lëndën. Ende nuk e kemi shikuar tërë projektin”, tha Hakaj.

Ai nuk dha më shumë detaje, me arsyetimin se pas rishikimit dota kenë më të qartë situatën.

Çështja e restaurimit të Hamamit të Madh u bën temë kritikash më 24 mars kur Komuna e Prishtinës bëri të ditur se ka nënshkruar një memorandum me TIKA-n për restaurimin e këtij objekti.

Në fotografitë që prezantoi Komuna e Prishtinës dhe TIKA, Hamamit të Madh i ishte ndërruar emri.

“Fatih Hamami Muzesi”, ishte propozuar që të jetë emërtimi i ri, por profesorë universitarë dhe drejtues institucionesh të trashëgimisë kulturore, thanë se ndërrimi i emrit e shndërron Hamamin e Madh në muze të një prej sulltanëve të Perandorisë Osmane, Sulltan Mehmetit të Dytë.

Projekti përfshin një shumë prej më shumë se një milion eurosh dhe rreth 51 për qind të shumës totale parashihet ta financojë TIKA.

 

Shpjegimi i komunës

Pak kohë pas reagimeve, kryetari i Prishtinës, Shpend Ahmeti, përmes një postimi në Facebook, mohoi ndryshimin e emrit të Hamamit të Madh.

Ahmeti tha se TIKA nuk ka vendosur asnjë kusht sa i përket emërtimit dhe tha se pas restaurimit, Hamami i Madh do të shërbejë për ekspozita, konferenca dhe ngjarje të tjera që do të organizohen nga komuna që ai udhëheq.

- Advertisement -spot_img

Më tepër

Të fundit