Pas nënshkrimit, në një konferencë për media kryetari Ahmeti falënderoi TIKA-n për ndihmën e vazhdueshme që i kanë dhënë Komunës së Prishtinës
PRISHTINË (AA) – Kryesia e Agjencisë Turke për Bashkëpunim dhe Koordinim (TIKA) dhe Komuna e Prishtinës sot nënshkruan memorandumin për bashkëpunim për Projektin “Rinovimi dhe pajisja me inventar të shkollës ‘Elena Gjika'”, raporton Anadolu Agency (AA).
Në nënshkrimin e këtij memorandumi morën pjesë kryetari i Komunës së Prishtinës, Shpend Ahmeti dhe koordinatori i Zyrës së TIKA-s në Kosovë, Hasan Burak Ceran.
Pas nënshkrimit, në një konferencë për media kryetari Ahmeti falënderoi TIKA-n për ndihmën e vazhdueshme që i kanë dhënë Komunës së Prishtinës.
“Elena Gjika është një nga shkollat më të vjetra që i kemi si komunë. Mirëpo kisha me thënë se përveç faktit që është më e vjetra, ndoshta është dhe ka qenë në gjendje më të rëndë sa i përket infrastrukturës. Që një kohë kemi menduar dhe kemi përgatitur se si t’ia bëjmë dhe kemi hasur në bashkëpunimin dhe mirëkuptimin e TIKA-s për ta rinovuar krejt këtë shkollë në bashkëfinancim, ku pjesën më të madhe të rinovimit do të bartë TIKA ndërsa ne do të bashkëfinancojmë një pjesë”, tha ai.
Koordinatori i Zyrës së TIKA-s në Kosovë, Hasan Burak Ceran rikujtoi se në vitin 2016 TIKA ka rinovuar edhe 10 klasa dhe bibliotekën e kësaj shkolle. “Duke filluar nga sot nisim punimet e nevojshme për të gjitha hapësirat e mbetura, në mënyrë që kjo shkollë të arrijë në një infrastukturë ku të gjithë fëmijët mund të marrin edukim në kushte të shëndetshme. Edhe hapja e saj do të bëhet në fillim të këtij viti shkollor”, tha Ceran.
Ai tha se ndjen kënaqësi për të qenë në bashkëpunim me Komunën e Prishtinës. Ceran tha se përveç kryeqytetit po realizojnë aktivitete në të gjithë Kosovën. Ai me këtë rast njoftoi se gjatë vitit 2018 do të realizojnë edhe inaugurimin e konviktit “Sadik Stavileci” në Gjakovë, aneksit të shkollës së mesme “Ataturk” në Mamushë si dhe të kopshtit për fëmijë “Armela” në Podujevë.
Duke rikujtuar se këtë vit bënë edhe inaugurimin e kopshtit të fëmijëve “Ardhmëria” në Drenas, Ceran tha se po vazhdon bashkëpunimi me Komunën e Prishtinës për fillimin e projektit për qendrën e autizmit në Prishtinë.
Ceran po ashtu njoftoi se vazhdojnë punimet edhe për trashëgiminë kulturore, bujqësinë e bletarinë.
Ndërkaq në lidhje me pyetjen e gazetarëve për pretendimet e dy viteve më parë që ‘TIKA më parë ka hequr fotografinë e Skënderbeut nga klasat e shkollës Elena Gjika ku ka bërë rinovimin”, kryetari Ahmeti tha se TIKA në asnjë mënyrë nuk e ka hequr asnjë fotografi të askujt. Ai bëri të ditur se siç bëhet me çdo donator tjetër, në vendet e rinovuara shënohet se kush e ka bërë rinovimin.
“TIKA nuk përzihet në asnjë mënyrë në fotografitë të cilat vendosen nëpër klasa. TIKA është këtu për të na ndihmuar dhe ne do të vendosim tabelën e cila thotë se kjo shkollë është rinovuar me ndihmën financiare të TIKA-s. Besoj që kaq është minimum që të bëjmë për t’i falënderuar sepse nuk na kanë asgjë borxh”, tha Ahmeti.
Kujtojmë se në shkollën fillore dhe të mesme të ulët “Elena Gjika” në Prishtinë mësimi zhvillohet në gjuhën shqipe dhe në atë turke.