Agjencia Turke për Bashkëpunim dhe Koordinim (TIKA), me aktivitetet e saj në Maqedoni që nga viti 2006, deri më sot ka realizuar 502 projekte në fusha të ndryshme, siç janë arsimi, shëndetësia, infrastruktura dhe ruajtja e trashëgimisë kulturore.
Koordinatori i TIKA-s në Shkup Teoman Tiryaki dha një intervistë për gazetarin e Anadolu Agency (AA) në lidhje me aktivitetet e organizatës së tyre.
Duke theksuar se në veçanti TIKA ka rritur aktivitetet në këtë vend që nga viti 2011, Tiryaki tha se janë realizuar tetë projekte në sektorin e shëndetësisë, riparimin e spitaleve dhe shtëpive të shëndetit, mbështetje në pajisje dhe themelimin e laboratorëve për analiza mjekësore.
Brenda Klinikës së Pediatrisë në Shkup, thuhet se është afër përfundimit Reparti i Kujdesit Intensiv me sipërfaqe prej 430 metrash katrorë i cili do të vihet në shërbim për afër 400 foshnje dhe fëmijë në vit.
“Reparti i kujdesit intensiv i poliklinikave emergjente për fëmijë në Shkup u realizua kohëve të fundit dhe do të fillojë me punë që nga muaji i ardhshëm”, tha Tiryaki.
Ndërkaq, në sektorin e infrastrukturës dhe shërbimeve sociale në Maqedoni, janë realizuar 248 projekte për zhvillimin e infrastrukturave administrative dhe civile, për mbështetjen e kongreseve dhe simpoziumeve, për mbështetjen e aktiviteteve të bashkëpunimit kulturor dhe për bashkëpunimin me organizatat e shoqërisë civile.
Po ashtu, është ofruar mbësthetje për rritjen e kapacitetit të shumë intitucioneve dhe organizatave civile, me në krye Gjykatën Kushtetuese të Republikës së Maqedonisë, Këshillin e Gjykatës Supreme, Këshillin e Lartë të Gjykatësve, Këshillin Shtetëror të Avokatëve, Agjencinë e Aviacionit Civil, Drejtorinë e të Ardhurave Publike dhe Agjencinë Kombëtare të Lajmeve.
Ndërkaq, sa i përket kontributit në rritjen e kapacitetit të personelit në institucionet publike, janë drejtuar projekte mbështetëse për seminare trajnuese dhe pajisje teknike.
Për më tepër, TIKA ka dhënë mbështetje edhe për ndërtesat për shërbime publike në Komunat e Zhupës dhe Pllasnicës në perëndim të Maqedonisë. Në vitin 2014, TIKA ka mbështetur punimet për shtruarjen e dyshemesë së hapësirave të brendshme të Ndërtesës së Shërbimeve Publike të Komunës së Zhupës, sigurimin e mobiljeve për hapësirat dhe zyrat e punonjësve të komunës, sigurimin e pajisjeve për dhomat e mbledhjeve dhe seminareve, si dhe fasadimin e pjesës së jashtme të objektit.
Ndërkaq, në vitin 2016, me punimet për Ndërtesën e re të Shrëbimeve Publike dhe për pajisjet, Komuna e Pllasnicës fitoi hapësirë prej gjithsej 675 metrash katrorë.
Mbështetja në sektorin e arsimit
Siç tha Tiryaki, në kuadër të Projekteve për Mbështetjen e Arsimit, janë rinovuar apo rinndërtuar 33 godina arsimore dhe janë plotësuar nevojat për pajisjen e tyre, duke ofruar kështu kapacitet për 12 mijë nxënës.
“Në fushën e arsimit në Maqedoni, realizojmë projekte gjithëpëfshirëse për të gjithë, shqiptarë, turq, maqedonas, boshnjakë, romë, pa bërë dallime në baza etnike, fetare, gjuhësore apo racore. Në vitin 2016 në Dibër realizuam ndërtimin e një shkolle të re në hapësirë prej pesë mijë metrash katrorë. Në Gostivar realizuam projektin për riparimin, ndërtimin e ndërtesës shtesë dhe pajisjes për Shkollën Fillore ‘Mustafa Kemal’. Në fushën e arsimit po ashtu kemi realizuar ndërtimin ose riparimin e shkollave në shumë fshatra”, u shpreh për AA, Tiryaki.
Në kuadër të bashkëpunimit me Universitetin e Tetovës, pajisja me kompjuterë dhe instalimi i tyre janë mundësuar nga TIKA.
Në kuadër të aktiviteteve në sferën e arsimit, prej dhjetë vitesh organizohen kurse të gjuhës turke për ata që dëshirojnë ta mësojnë gjuhën. Këtë vit, në 24 qendra të kurseve në 11 rajone, gjuhën turke mësojnë 1.400 nxënës.
Në vitin akademik 2015-2016, gjithsej dy mijë nxënësve dhe studentëve nga shkollat fillore, të mesme dhe universitetet, u janë ofruar bursa.
Projekte fitimprurëse në fushën e bujqësisë
Duke theksuar se krahas punimeve në fushën e shëndetësisë dhe arsimit janë realizuar projekte fitimprurëse, Tiryaki tha se “Një nga problemet më të rëndësishme të Maqedonisë është migrimi. Në mënyrë që të tejkalohet ky problem, bëjmë projekte dobiprurëse për njerëzit në zonat rurale të Maqedonisë lindore dhe në këtë mënyrë përpiqemi të kontribuojmë që ata mos ta braktisin rajonin. Në kuadër të kësaj realizuam projekt për kultivim bujqësor në serra që do t’i përfshijë 600 familje. Në rajon gjithashtu kemi realizuar projekt në bletari”.
Restaurimi i objekteve osmane
TIKA, e cila u jep rëndësi të madhe objekteve të paraardhësve osmanë, ka realizuar restaurimin e shumë xhamive, me në krye xhamitë në Shkup.
Tiryaki rikujtoi se muajin që lamë pas kanë filluar punimet për restaurimin e xhamive Sultan Murat, Ishak Beu (Allaxha) dhe Husejin Shah në Shkup.
“Shpresojmë që brenda dy viteve ta përfundojmë restaurimin e këtyre tri xhamive dhe t’i hapim sërish për adhurim. Krahas këtyre, duhet të bëjmë edhe punime projektuese. Pas përfundimit të këtyre xhamive, kemi filluar punimet projektuese për xhamitë Hynkar në Dibër, Murat Pasha në Shkup dhe Husamettin Pasha në Shtip. Në muajt e ardhshëm do të përfundojmë me projektet dhe kështu do të fillojnë punimet e restaurimit”, vazhdoi Tiryaki.
Tiryaki, gjithashtu shtoi se si Agjenci në periudhat e kaluara kanë përfunduar restaurimin e xhamive Ishakije në Manastir, Mustafa Kebil Çelebi në Strugë si dhe Mahmut Aga në Shtip.
Ndihmat për të prekurit nga përmbytjet në Maqedoni
TIKA po ashtu ka zgjatur ndihmën e dorës për personat e prekur nga katastrofa e përmbytjeve që goditi Maqedoninë në gusht e që mori jetën e 22 personave.
Tiryaki theksoi si tregues i solidarizimit të Turqisë në fushën e humanizmit, TIKA që nga dita e parë ka bërë shqyrtimin e nevojshëm të situatës dhe ka vlerësuar mungesat urgjente.
“Që nga dita e parë e katastrofës së përmbytjeve ne si TIKA, në cilësi të Republikës së Turqisë, ishim një nga organizatat e para zyrtare që intervenuam në rajon. Në kuadër të nevojave, ne u përpoqëm t’i mënjanojmë problemet duke ofruar për rreth 600-700 familje produkte higjienike, ushqime, veshmbathje, apo çfarëdo nevoje tjetër në ato çaste”, potencoi Tiryaki./AA