Nga Lisiana Demiraj*
Kapitulli VII
Ëndërrova sikur kjo histori do të marrë për mirë. Zoti A dhe zonja D, do të reflektojnë e do t’i japin zgjidhje përçarjes që kanë krijuar në familjen e Gëzimit, duke u shpjeguar vajzave që vendimi i babait është i drejtë, përndryshe përçarja do të thellohet e ato do të dënojnë në heshtje dhe në ulërimë babanë që nuk u lejoi glamurozitetin e jetës së re. Pastaj ëndërrova që ata vazhdonin t’i ndihmonin vajzat, ashtu padukshëm siç u ka hije misionarëve. Siç Profeti im thotë të japësh në mënyrë që dora e majtë të mos e dijë ç’jep e djathta. Edhe që vajzat u bashkuan me babanë. Ndihmuan shumë qytetarë edhe tani ata të gjithë jetojnë mirë.
Pastaj ndenja ashtu, pa gjumë, e u mundova me orë të gjata t’ua shpjegoja atyre se çfarë kishin bërë! Se çfarë u kishin bërë! A e kuptuan? Dot?
Kapitulli VIII
Zonja D: Vajzat më kanë kërkuar vetë të jem nëna e tyre.
Mosha në të cilën vajzat ndodhen, për vetë zhvillimin psikik normal të tyre, i takon periudhës kur fëmijët identifikohen me prindin e së njëjtës gjini dhe krijojnë modelet që do të duan të ndjekin apo t’u përngjajnë.
Dy vajza pa nënë, që ndoshta edhe nuk e mbajnë mend atë, që mund të kenë kujdestare shumë të mira në institutin e tyre, por të pamjaftueshme në grupin me shumë fëmijë për t’u kujdesur; këtyre dy vajzave do t’u lindte natyrshëm një dëshirë e tillë. Një dëshirë që me siguri deri më përpara ka qenë e formës “Sikur ta kishim nënën!”, “Sikur të kishim një nënë!”, qoftë kjo e fundit e mbetur pa pamje, derisa zonja D ofron një imazh.
Në një kuptim dhe gati praktikisht vajzave u mungon gjithçka e do të shprehnin, me të drejtë, dëshirën për shumëçka.
Zonja D, e fanepsur në acarin e tyre si një pemë krishtlindjeje shumëngjyrëshe përplot drita, ndjell, kënaq e turbullon, duke çuar deri në agoni zemrat e pashpresa e duke pështjelluar mendjet e njoma që enden mes zgjedhjes së ngrohtësisë së huaj apo ngrohtësisë prej shpirtit veshur në mjerim.
Kapitulli IV
Na kanë humbur shembujt për t’u ndjekur.
Na kanë humbur pikat e referimit.
Zot, jepu vajzave mundësi për të kuptuar!
Kapitulli I
“Pafsh në ëndërr gjellë pasanikësh!”
Zoti A dhe zonja D lëshuan aromën e mirë nën hundën e pangopur kurrë njëherë të Gëzimit dhe bijave të tij.
Kjo histori nis në mes. Nis në një kapitull të 7-të apo 70-të, varet sa e thellojmë diskutimin dhe analizën. T’i kushtojmë kapituj të gjatë zonjëzave përfaqësuese ligjore që i flasin babait që s’mban dot vajzat, për bullizmin, term dhe fenomen që shumica e popullsisë nuk e njeh.
Të flasim për nevojën e reformimit të instituteve që merren me fëmijët dhe përmirësimin e tyre.
Të flasim për aktivizmat dhe bamirësitë.
E për çfarë të flasim më parë!
Ama, kjo histori nis në mes, me një baba që thirret dhe i bëhet presion (lexo: gjyq) publik, paçka se ai fjalën e vet e ka thënë përballë, e që i thuhet se mes institutit dhe një familjeje ai për bijat zgjedh institutin. Ah, i pashpirti baba!
Media ka luajtur gjithmonë me momentin pa kontekst, me foton pa pamje përreth, me videon e prerë, me të ftuarin që futet në hullitë e skenarit që e ka shkruar tjetërkush për të dhe me atë që e pranojmë njëgojë: me antivlerën si vlerë.
Shkojmë vite më parë:
Në aq shumë fëmijë në nevojë, në aq shumë të braktisur apo jetimë, zoti A dhe zonja D afeksionohen dhe duan të birësojnë dy motra që e kanë një familje! Duan t’i marrin ato e jo atë që vjen shumë më natyrshëm: t’i ndihmojnë të kthehen në familjen e tyre, te një baba që i do, megjithëse s’ka e s’mund dhe të jetojnë në kushte shumë më të mira.
Kapitulli II
Altruizmi është një mekanizëm mbrojtës, matur dhe i shëndetshëm, ndër mekanizmat që ne përdorim pavetëdijshëm për të pakësuar konfliktet ndërpsikike dhe për të përjetuar kënaqësi. Në këtë proces duhet patjetër dhe do të kisha pritur që dy zotërinj arsimtarë, predikues e misionarë të lënë vetet e tyre ulur në poltronat të shtëpisë dhe shpirtin e tyre ta kredhin në ujërat e shpirtrave të Gëzimit dhe bijave.
A i menduan ata ndonjëherë pasojat e tekave të tyre? Po dhimbjen e babait? Po zhgënjimin e dy fëmijëve të joshur? Po dënimin që do t’i bëjnë babait të tyre për heqjen nga shndritja e jetës së zotërinjve? Pse nuk u mjaftuan me jo-në e babait dhe t’ua lehtësonin vajzave situatën, por ua përkeqësuan më shume përçarjen, duke e detyruar publikisht babanë të ripohonte dhe një herë jo-në, atë ‘jo’ që vajzat tashmë e kanë dëshmi të gjallë. Oh, më dhëmb sa të vogla janë për të kuptuar e sa shumë frikem për dënimin që mund t’i bëjnë atit. Po pse u futën mes një familjeje?
Gjesti i tyre që siguron një mundësi për dy fëmijë, nga mijëra të tjerë që vuajnë aty jashtë shkëlqimit fatin e tyre, do të ishte kaq i mirë, nëse do kishin përzgjedhur dy fëmijë të tjerë. Dy të vetëm në jetë. Edhe do të kishte vetëm mirësi. Apo të ndihmonin babanë e vajzave e t’u krijonin atyre gjithë mundësitë e botës. Por jo. Ata bënë atë që ishte me egoistja, më arrogantja, më e pashpirtja, më e pamenduara. Hynë në mes të një familjeje!
Deri dje mbase rasti më i shpeshtë e ndoshta i vetmi që kam gjykuar ashpër ka qenë futja mes një çifti.
Po kjo? Kjo qenka më keq.
Gëzimi, ashtu jo aq mirë i artikuluar, që në fjalinë e parë e tha njëherësh atë që ishte fillimi dhe fundi: “më keni futur përçarje në familje”.
Gëzimi i thjeshtë, popull. Nga populli kanë dalë gjithë ato urtësi.
Kapitulli III
Gëzim, jam me ty.
E ndiej dhimbjen tënde në gjithë trupin tim.
Qëndrove aq i duruar, Zoti i shpërblen durimtarët.
Kapitulli V
Për të gjithë ata që, pse jo, mendojnë: Do të ishin rritur mirë, do të ishin shkolluar.
E çfarë mund t’ju ofrojë Gëzimi?!
Epo ja dhe për ju:
Dashuri babai! Dhembshuri dhe jo mëshirë. Varfëri por krenari.
E mira s’ka fund, por diku duhet të mjaftohemi. Mjaftimi ka kufij.
Por kjo, ah kjo, është vetëm për ata që nuk e kanë shitur shpirtin.
Kapitulli VI
Bota moderne po më trishton dhe tmerron dita-ditës.
*Psikiatre