4.5 C
Pristina
Monday, December 30, 2024

Thirrjet islamofobe për konvertim: sulm kundër nacionalizmit shqiptar

Më të lexuarat

Është e rëndësishme të kuptojmë se lëvizjet islamofobike në Shqipëri dhe Kosovë përbëjnë një rrezik real për këtë trashëgimi të pasur bashkëjetese fetare. Thirrjet për largimin nga feja islame, si ato që promovohen nga grupet islamofobike të kohëve të fundit, janë përpjekje për të përçarë shqiptarët dhe për të dobësuar kohezionin kombëtar

Thirrjet islamofobe në emër të nacionalizmit për largimin e shqiptarvë muslimanë nga feja islame dhe konvertimin e tyre në katolikë janë një sulm antikombëtar që minon në fakt thelbin e nacionalizmit shqiptar. Këto thirrje përçajnë unitetin e shqiptarëve, duke kundërshtuar vizionin historik të shqiptarizmit, që promovonte bashkëjetesën dhe diversitetin fetar si pjesë të identitetit kombëtar shqiptar.

Nacionalizmi shqiptar, ndryshe nga ai i fqinjëve në Ballkan si nacionalizmi grek apo serb, nuk u karakterizohet nga një identitet i vetëm fetar. Ndërsa nacionalizmi grek dhe serb lidhen ngushtë me Ortodoksinë e Krishterë, nacionalizmi shqiptar, veçanërisht gjatë fundit të shekullit XIX dhe fillimit të shekullit XX, promovoi unitetin përtej vijave fetare. Ky lloj nacionalizmi, në vetvete, është unikl dhe duhet të merret në konsideratë për natyrën e tij përfshirëse.

Një nacionalizëm i bazuar në gjuhë dhe kulturë

Në një kohë kur lëvizjet nacionaliste ballkanike identifikoheshin me fenë e tyre, shqiptarët e kohës së Rilindjes Kombëtare e ndërtuan vizionin e tyre kombëtar rreth gjuhës dhe kulturës, duke vendosur identitetin kombëtar mbi përkatësinë fetare. Personalitete të mëdha të kësaj periudhe, si Sami Frashëri dhe Abdyl Frashëri, bashkuan përpjekjet e tyre me muslimanët dhe të krishterët për të formuar një komb të bashkuar shqiptar, që nuk kishte për qëllim nënshtrimin e një grupi fetar ndaj tjetrit, por ruajtjen e një gjuhe dhe kulture të përbashkët. Në një farë mënyre, ky vizion ishte një kundërpërgjigje ndaj nacionalizmave asimilues ortodokse të fqinjëve në Ballkan dhe projektit nacionalist turkomadh.

Kontributi i shqiptarëve muslimanë dhe të krishterë

Kontributi i shqiptarëve muslimanë dhe të krishterë në lëvizjen kombëtare është i pamohueshëm. Ideologjia e tyre u mbështet te një qëllim i përbashkët: mbrojtja e kulturës dhe gjuhës shqipe. Historiani amerikan John Fine thekson se shqiptarët, pavarësisht ndarjeve fetare, ndërtuan një model bashkëjetese të pazakontë në rajon. “Nacionalizmi shqiptar ishte një lëvizje që bashkonte ndarjet fetare dhe i jepte përparësi identitetit kombëtar mbi besimet e veçanta fetare,” shkruan Fine.

Thirrjet islamofobe për konvertim fetar

Një element i rëndësishëm i nacionalizmit shqiptar ishte dhe mbetet mosndërhyrja në fenë e tjetrit. Thirrjet islamofobe për konvertimin e shqiptarëve muslimanë në katolicizëm minojnë esencën e këtij apekti të nacionalizmit shqiptar. Ato nuk janë thjesht sulme ndaj fesë islame, por përpjekje për të ndarë shqiptarët përmes një pseudo-nacionalizmi që nuk i përket historisë sonë kombëtare. Në vend që të forcojnë identitetin shqiptar, këto thirrje përçajnë dhe dobësojnë kohezionin kombëtar. Thirrjet për ndarje fetare janë të kundërta me vetë konceptin e shqiptarizmit, i cili përfshinte të gjithë shqiptarët, pa marrë parasysh fenë.

Një model bashkëjetese

Një nga veçantitë më të mëdha të shqiptarizmit (nacionalizmit shqiptar) është aftësia e tij për të përfshirë dhe bashkuar shqiptarët përtej dallimeve fetare. Ky nacionalizëm ndihmoi shqiptarët që të zhvillonin më tje një kulturë të përbashkët që vazhdon të jetë një model bashkëjetese për rajonin dhe më gjerë. Siç ka vënë re studiuesi britanik Noel Malcolm, shqiptarët ndërtuan një identitet kombëtar që i vendosi vlerat kulturore dhe gjuhësore mbi ato fetare, duke i bërë shqiptarët një shembull unik në historinë e nacionalizmave ballkanikë.

Rreziku i përçarjes

Në këtë kontekst, është e rëndësishme të kuptojmë se lëvizjet islamofobike në Shqipëri dhe Kosovë përbëjnë një rrezik real për këtë trashëgimi të pasur bashkëjetese fetare. Thirrjet për largimin nga feja islame, si ato që promovohen nga grupet islamofobike të kohëve të fundit, janë përpjekje për të përçarë shqiptarët dhe për të dobësuar kohezionin kombëtar. Këto lëvizje, në vend që të forcojnë unitetin kombëtar, e minojnë atë duke inkurajuar ndarjet dhe tensionet e brendshme fetare.

Prandaj, shqiptarizmi ka qenë dhe mbetet një model unik bashkëjetese dhe uniteti kombëtar në rajon. Përballë sfidave të reja, ne duhet ta ruajmë dhe ta mbrojmë këtë trashëgimi, duke i rezistuar çdo përpjekjeje për të ndarë shqiptarët mbi baza fetare. Historia jonë dëshmon se vetëm përmes unitetit dhe bashkëjetesës mund të vazhdojmë të ndërtojmë një të ardhme të fortë dhe të qëndrueshme për kombin tonë.

/Burimi: Editorial i Observer.al/

- Advertisement -spot_img

Më tepër

Të fundit