Thirrjet e Serbisë për të rinjtë vullnetarë që t’i bashkohen shërbimit ushtarak janë nxitje për rrezik dhe kërcënim për rajonin, vlerësojnë njohësit e sigurisë në Kosovë.
Ministrja e Mbrojtjes e Serbisë i ka ftuar të gjithë të rinjtë serbë që të aplikojnë për shërbim ushtarak të armatosur për vitin 2024. Kjo nismë serbe vjen në një kohë kur tensionet në Ballkanin Perëndimor, përfshirë rajonin verior të Kosovës, janë në një moment kritik dhe po rriten ndjeshëm.
E njohësi i çështjeve të sigurisë, Nuredin Ibishi, në një prononcim për Telegrafin tha se kjo iniciativë lidhet edhe me fazën elektorale të zgjedhjeve që do të mbahen më 17 dhjetor në Serbi.
Ibishi po ashtu u shpreh se Serbia në vazhdimësi proklamon që ka forca të armatosura rezervë rreth 50 mijë, por sipas tij, në realitet nuk janë as 19 mijë.
“Serbia është në një krizë në aspektin e masave që po ndërmerr me qëllim të ngritjes së kapaciteteve për forcat të armatosura, që realisht nuk i ka, nga ajo që i proklamon si forca aktive e të cilat nuk i ka as 19 mijë, ndërsa thotë që i ka 50 mijë forca rezervë. Dhe e vetmja mundësi është që ta ndërrojë sistemin pra nga ushtria profesionale në ushtri të rregullt”.
“Kjo tregon që po nxit rrezik dhe kërcënim për rajonin. Serbia po mundohet që ta mbajë primatin në rajonin e Ballkanit Perëndimor, pra të jetë forcë kryesore. Mendoj se tentativat e Serbisë në krye me Vuçiqin shpijnë në fazën elektorale tash të zgjedhjeve”, tha njohësi i sigurisë.
Ai tutje deklaroi se presidenti serb, Aleksandar Vuçiq, me veprime të tilla dëshiron që të jetë “përçues i mirë i rreziqeve dhe kërcënimeve të Putinit për pjesën e Ballkanit”.