Për shkak të vazhdimit të sulmeve me bomba fuçi nga regjimi sirian dhe ku si pasojë e këtyre sulmeve kanë humbur jetën një numër i madh civilësh, një grup vendesh i kanë kërkuar OKB-së që të parandalojë këto sulme, raporton Anadolu Agency (AA).
Letra e përgatitur nën udhëheqjen e Belgjikës, Holandës dhe Luksemburgut të mbështetur nga 71 vende duke përfshirë edhe Turqinë iu dërgua Sekretarit të Përgjithshëm të OKB-së Ban Ki-moon, kryetarit të Asamblesë së Përgjithshme të OKB, Sam Kutesa dhe Kryesisë së Këshillit të Sigurimit të OKB-së (KS të OKB-së).
Në letër dënohet përdorimi sistematik i bombave fuçi të forcave ajrore të Sirisë dhe gjithashtu u kërkua nga KS i OKB-së që të sigurojë zbatimin e vendimeve në lidhje me parandalimin e bombave fuçi dhe armëve të ngjashme nga regjimi sirian.
Edhe Përfaqësuesi Special i OKB-së për krizën në Siri, Staffan de Mistura, e solli në rendin e ditës këtë çështje gjatë vizitës në Damask. Ai ka pohuar se mbrojtja e civilëve është nën përgjegjësinë e qeverive dhe ka dënuar sulmet me bomba fuçi të regjimit të Asadit.
Edhe në një deklaratë të bërë nga Human Rights Watch theksohet se KS i OKB-së që prej një kohe të gjatë ka mbyllur sytë ndaj shkeljeve të hapura në vendimet që ka marrë në çështjen e Sirisë.
Në deklaratën ku theksohet se mbi civilët në Siri “po lëshohen bomba fuçi” gjithashtu është përmendur se “KS i OKB-së duke përcaktuar të gjitha sulmet të cilët po ndërmerren ndaj civilëve pa dallim, duhet të zbatojë sanksione ndaj atyre që shkelin vendimet e KS të OKB-së”.
Ndërsa përfaqësuesi i përhershëm i Sirisë në OKB, Beshar Xhaferi duke refuzuar akuzat sa herë që çështja vjen në rendin e ditës, mbron idenë se në inventar nuk gjendet një armë e quajtur bombë fuçi.