1.5 C
Pristina
Thursday, December 19, 2024

Themelimi i institucionit të Divanit në historinë islame

Më të lexuarat

Themelimi i institucionit të Divanit në historinë islame

Divani është një emër institucioni ku ruhen regjistrat me shënimet e nëpunësve administrativë, shërbimet administrative, financiare dhe ushtarake në administratën shtetërore.

Në vend të hyrjes

Myslimanët e parë ishin asqerë me vullnet të fortë dhe me besim të pastër. Ky ishte elementi që i shtyu në luftë vetëmbrojtëse. Sipas kësaj, mund të konstatojmë se muhaxhirët ishin asqerët e parë të kësaj ushtrie, kurse komandanti i parë i ushtrisë myslimane ishte vetë Muhamedi, a.s..(2)

Procesi i krijimit të ushtrisë në Islam filloi me migrimin ose, siç njihet në historinë islame, hixhretin. Sa i përket periudhës mekase, Zoti Fuqiplotë e ndaloi luftën gjatë kësaj periudhe, duke e marrë parasysh të ardhmen e besimtarëve myslimanë. Një ndalesë e tillë u pezullua me migrimin e myslimanëve në Medine. Pas kësaj, kush sillej me armiqësi ndaj fesë islame dhe ndaj myslimanëve, këta të fundit kishin të drejtë të vetëmbrohen.(3)

Lufta në kohën e Muhamedit, a.s., dhe në kohën e katër kalifëve nënkuptonte sigurimin e lirisë së plotë për përhapjen e Islamit, sigurimin e paqes së plotë, drejtësisë, rehatisë dhe të drejtave të njeriut. Kjo konsiston me një ballafaqim të armatosur. Në të dyja periudhat u themeluan dhe u organizuan një numër i madh ushtrish dhe atë në forma dhe në sheshe të ndryshme, nën drejtimin dhe administrimin e komandantëve superiorë. Ata zbatuan shumë strategji së bashku me armët luftarake, mjetet dhe pajisjet e kohës dhe kështu arritën rezultate shumë pozitive.(4) Për shembull, duke filluar nga njësitet e vogla ushtarake që dolën në rrugë për t’i ndjekur karvanët e politeistëve mekas, ata arritën të marrin formën e një ushtrie që do të dilte në fushën e mejdanit në Bedër, në Uhud dhe në Hendek. Nëse profeti Muhamed merrte pjesë në ekspeditë, ai çdoherë ishte komandant, por njëherazi emëronte edhe komandantë të tjerë.(5)

Deri në çlirimin e Mekës, pjesëmarrja në luftë ishte detyrim, sepse numri i myslimanëve ishte i vogël. Pas çlirimit të Mekës dhe me rritjen e numrit të myslimanëve, profeti Muhamed e bëri detyrim pjesëmarrjen në luftë vetëm për ata që kanë fuqi fizike, materiale dhe shpirtërore.(6)

Sa i përket taktikës së luftës, dihet se në kohën e profetit Muhamed lufta bëhej në dy mënyra. E para ishte konsolidimi i radhëve dhe marshimi drejt armikut në mënyrë të rregullt. Kjo quhet “metodë e rregullt e luftës”. E njëjta metodë u zbatua në viset sasane dhe në viset bizantine. E dyta është ta sulmosh armikun papritmas dhe të tërhiqesh. Kjo quhet edhe luftë guerile. Kjo metodë ishte praktikuar edhe para shpalljes. Gjithashtu profeti Muhamed e kishte edhe metodën e njohur si “elhamis” (pesëfishi), kjo si nomenklaturë e rregullt e arabëve, që ishte identike me metodën “tabi”, që praktikohej në ushtrinë bizantine dhe sasane.(7) Tek arabët, rregulli i pesëfishit ishte që, së bashku me komandantin e përgjithshëm të qendrës ushtarake, të jetë edhe vetë roja e saj që ishte zemra e ushtrisë (kalbu-l xhejsh), trupat ushtarakë të pozicionuar në të djathtë (mejmene), trupat e pozicionuar në të majtë (mejsere), kurse në plan të parë (makaddeme) ishin kalorësit e blinduar me fortifikim. Në vijën e fundit ishin ushtarët e lënduar (sakat-ul xhejsh) dhe një emër tjetër kishin ata që vinin pas (muahhira). Profeti Muhamed e mbajti këtë urdhër që u bë rutinë, e që më vonë do të bëhej sistem në vete. Kështu, ushtarët në rast lufte rreshtoheshin në vijë sipas metodës që urdhërohej, kurse në kohën e kalifëve, kur numri i ushtarëve filloi të rritet, këto quheshin njësi ose batalion.(8)

Rregulli ushtarak që kishte filluar në kohën e profetit Muhamed, në kohën e kalifit Omer do të emërtohet me emrin “këshilli ushtarak” (divanu-l xhynd). Ndërkaq, në kohën e kalifëve të ndershëm do të dilnin njësitë me emrin “kyrdevs”, që janë një sistem krejtësisht tjetër në ushtri.

Kuptimi i termit divan

Termi divan është përdorur në shumë gjuhë dhe është lakuar në kuptime të ndryshme. Dihet se ai është me origjinë persiane, i huazuar në gjuhën arabe, por rrënjët i ka nga gjuha aramaishte. Sipas Tahir N. Dizdarit, divani është këshilli epror në Perandorinë Osmane, një trup i gjykatës së lartë ushtarake.(9) Sipas Nexhat Ibrahimit, kuptimet e fjalës divan janë të shumta:

1. Këshilli shtetëror, këshilli sulltanor, këshilli i vezirit të lartë ose i mëkëmbësit të ndonjë krahine për shqyrtimin e punëve më të rëndësishme shtetërore.

2. Zyra e qeveritarëve të Perandorisë Osmane ku kanë pranuar vizita zyrtare, vendi ku ndahej drejtësia.(10)

Divani është një emër institucioni ku ruhen regjistrat me shënimet e nëpunësve administrativë, shërbimet administrative, financiare dhe ushtarake në administratën shtetërore.(11) Divan quheshin edhe regjistrat e llogarive publike, që shkruheshin në gjuhën greke gjatë sundimit Bizantin. Në shtetin islam, përkthimi i këtyre regjistrave në gjuhën arabe filloi në kohën e kalifatit emevit, gjegjësisht në kohën e Abdulmelik b. Mervanit. Termi divan më vonë u zgjerua duke i përfshirë të gjitha fushat administrative dhe ushtarake, bile u themelua një departament special i cili merrej më këto çështje dhe e mbante emrin divan.(12) Në lidhje me termin divan, në një opinion të gruas së Profetit, Aishes r.a., përmendet si regjistri i llogarisë.(13)

Në kohën e Muhamedit, a.s., ushtria përbëhej nga ushtarët vullnetarë dhe nuk ndihej nevoja për një institucion të quajtur divan. Profeti, për çdo temë të rëndësishme, konsultohej me shokët e tij të afërt. Në kohën e kalifit Omer, shumë shokë të famshëm i sugjeruan kalifit që ta krijonte institucionin e divanit. Ky propozim i shokëve i pëlqeu shumë kalifit Omer, andaj ai vendosi që ta themelonte divanin.(14) Kështu, këtij institucioni që në mbledhjen e parë iu dha emri “divan”. Në disa burime haset si “Divan-ul Xhynd,(15) e në disa si “Divan-ul Xhejsh”.(16) Dikush e quante edhe “Divan-ul A’ta”,(17) ngase shpërndante mallra për nevojtarët nga tatimi i mbledhur. Në veçanti, në kohën e kalifatit emevit emri divan do të transformohet në “Divan-ul Xhynd” dhe kështu do të mbetet.(18) Në rrjedhën e këtij punimi do t’i radhisim divanet më kryesore në historinë islame.

Këshilli i dhurimit (divan-ul ataa)

Kalifi Omer, në vitin e tretë të qeverisjes, e themeloi Këshillin (divanin). Që nga themelimi i këtij këshilli (divani), ai e mbulonte administrimin financiar dhe ushtarak. Ky institucion i përfshinte edhe njerëzit e sferave të tjera së bashku me pjesën ushtarake.(19)

Omeri, si kalifi i dytë, në përcaktimin e dhuratave për personat më meritorë i mori për bazë personat që kishin kaluar më herët në Islam, shërbimin e tyre ndaj shtetit islam, pjesëmarrjen në Luftën e Bedrit ose të Uhudit, mërgimin në Abisini dhe pjesëmarrjen në marrëveshjen e Hudejbisë.(20) Për më tepër, gjatë përpilimit dhe seleksionimit të regjistrave të Këshillit (divanit) morën pjesë myslimanë me origjinë arabe, por edhe pjesëtarë nga fiset arabe ekzistuese dhe, kuptohet, në bazë të prejardhjes së tyre u bë edhe renditja.

Arsyeja e themelimit të Këshillit (divanit) ishte: kur ushtria islame ishte në epërsi, në rajonet e Irakut, Sirisë, Palestinës dhe Egjiptit, pra derisa ushtria qëndronte nëpër kampe, ushtarët filluan të merreshin me bujqësi, dhe kjo bëri që ata të largoheshin nga ushtria. Kur kalifi Omer pa një rrezik të tillë, ai dha urdhër që ata të merren seriozisht me çështjen e luftës në rrugën e Zotit, kurse për nevojat ekonomike të ushtarëve dhe të familjeve të tyre ai siguroi një pagë vjetore për secilin ushtar.(21)

Kjo pagesë, që shpërndahej njëherë në vit për myslimanët, quhej (a’taa) dhurim dhe vinte nga pagesa tatimore që mblidhej nga vetë Këshilli (divani) që u themelua nga kalifi Omer. Gjatë periudhës emevite dhe abaside, ky emër do të bëhej edhe emri i pagës. Ky term së pari është përdorur në kohën e kalifit Omer. Kuptimi i emrit “a’taa” dhe “atiije” do të thotë: “të japësh, sendi i dhuruar, falje, dhurim, mirësi”, kurse shumësi i kësaj fjale është “ataaja”, që ka kuptimin “dhuratë” ose “dhurime”. Në pesë vende në Kuran, fjalën “a’taa” e gjejmë në kuptimet: bekim, mirësi, mirëbërje dhe dhurim. Në Kuranin e madhërishëm është përcaktuar qartë se kujt i takon një e pesta e të ardhurave nga zekati dhe nga plaçka e luftës, e cila njëkohësisht konsiderohet si bazë e të ardhurave të shtetit islam. Në anën tjetër është vetë përpjekja e kalifit Omer se si dhe kujt do t’i shpërndahet pjesa e taksës nga mallrat tregtare, nga haraçi dhe nga xhizja, që merrej nga jomyslimanët në kohë paqeje, por që konsiderohej një shumë e majme ose një e treta e të ardhurave të shtetit. Kjo ishte si rezultat i pushtimeve, nga të cilat të ardhurat dhe fitimi shtetëror ishte në rritje e sipër. Prandaj kalifi Omer në fillim e themeloi Këshillin Organizativ (divanin), nëpërmjet të cilit e pa të arsyeshme që kjo pasuri në ushqim dhe para të shpërndahet për nevojtarët. Përmes këtij këshilli (divani), paratë që u jepeshin myslimanëve një herë në vit quheshin dhurim (a’taa) ose dhurimi (atiije).(22)

Ky Këshill (divan), i themeluar në vitin 641, i mbante disa përgjegjësi ligjore të përcaktuara nga kalifi Omer. Ky dhurim (atiije) vazhdoi edhe në kohën e kalifit Othman, si edhe në kohën e kalifit Ali.(23)

Ishte bërë praktikë që ndarja e ndihmës të fillonte nga fisi hashimitë, përndryshe fisi i Profetit Muhamed. Kështu urdhëroi kalifi Omer.(24) Atyre që do t’u jepej ndihma (a’taa), emrat e tyre shënoheshin nëpër tabela shumë të mëdha. Ashtu siç kishin kaluar në Islam dhe sa kishin kontribuar për shtetin islam, ashtu edhe caktohej shuma e ndihmës (a’taa). Siç u jepej ndihmë (a’taa) myslimanëve, ashtu ndihmoheshin edhe ata që ishin liruar nga robëria. Omeri, për dallim nga kjo, robërve të pa liruar nuk u caktoi nga ndihma (a’taa) sepse nuk kishin të drejtë në pronë, sepse prona e tyre ishte e pronarëve. Në periudhën emevite filloi të mos u jepej ndihma (a’taa) robërve të cilët nuk ishin drejtpërdrejt ushtarë. Në Medine dhe në afërsi të saj ndihmat i shpërndante vetë kalifi Omer, kurse në vendet tjera i shpërndanin bashkëpunëtorët e afërt të kalifit. Veçanërisht nëpër fshatrat e Sirisë dhe të Irakut u krijuan qendra ushtarake të quajtura “xhund” (ushtarakë). Ushtarët që bënin pjesë nëpër këto garnizone ushtarake e merrnin edhe ndihmën (a’taa).(25)

Atij ku ishte Divani i dhurimit (a’taa), shpërndarja e rrogave bëhej sipas sistemit fisnor. Çdo fis e kishte librin e vet të regjistrimit (divanin). Në udhëheqjen e Këshillit (divanit) kishte një person i cili llogaritej si menaxheri më i lartë. Këta zyrtarët titullarë dhe të ditur bënin menaxhimin e ndihmave te popullata. Në përputhje me këtë mund të flitet për hierarkinë e Këshillit: për pronarin e Këshillit (sahib-ul divan), titullarin (menkib) dhe të diturin (arif).

Kalifi i parë i periudhës abaside, Ebul Abbasi, duke e ushtruar funksionin e tij, në fillim bëri rritjen e ndihmës (a’taa) për ushtarët dhe njerëzit tjerë në 200 dërhemë në kuadër të Këshillit të Ndihmës. Me këtë dëshironte ta fitonte kënaqësinë e njerëzve. Ky këshill vazhdoi të ndajë ndihmë një herë në vit për njerëzit. Duke e ndërtuar qytetin e Bagdadit, kalifi Mansur njëkohësisht u përpoq t’i zvogëlonte pagesat e ushtarëve. Në kohën e Mehdiut, përjashtuar Hixhazin, në vendet si Damasku, Xhezireja dhe Horasani u ndanë ndihma të quajtura dhurim (a’taa). Ndërkaq në kohën e kalifit Harun Reshid, dhurimi (a’taa) u rrit më shumë për shkak të mirëqenies së shtetit. Sidoqoftë, burimet nuk e përmendin ekzistencën e divanit që shpërndante ndihma (a’taa) në periudhën e kalifëve Emin dhe Me’mun. Gjithashtu, nuk ka asnjë informacion në lidhje me ekzistencën e këtij këshilli (divani) në periudhat e dy kalifëve të fundit të periudhës së parë të abasidëve, Mu’tasim dhe Vasik (El Vathik).

Nëpër burimet e shkruara gjenden mendime se në periudhën emevite nga termi Këshilli i Dhurimit (divanul a’taa) u transformua në Këshilli Ushtarak (divanul xhund). Gjithashtu rastisen të dhëna se edhe në kohën e kalifëve emevitë ishte bërë ndarja e ndihmës (a’taa) për popullatën. Së pari kalifi Muavi u përcaktoi ndihmë (a’taa) fëmijëve të porsalindur dhe të ndarë nga qumështi, por transmetohet se këtë traditë Omer b. Abdulazizi e riktheu në sistemin që e praktikonte vetë kalifi i dytë, Omeri. Në këtë periudhë, nga pronari i ndihmës (sherefu-l a’taa) ndahej një herë në vit nga 200 dinarë. Pas Harun Reshidit, Këshilli i Dhurimit (divan-ul a’taa) e humbi funksionin që e kishte dhe u transformua në Këshillin e Kalorësve Ushtarak (divan-ul xhejsh). Nëpër fshatra, Këshilli i Dhurimit (divan-ul a’taa) edhe mund ta kishte vazhduar aktivitetin e vet.(26)

Këshilli ushtarak (divanu-l xhund)

Origjina e Këshillit Ushtarak, sipas disa studiuesve, i ka rrënjët deri te Pejgamberi Muhamed. Megjithatë, siç kuptohet nga fjalët e profetit Muhamed, në kohën e tij nuk kishte një sistem regjistrimi të rregullt për ushtrinë. Nuk është hasur diçka e tillë në librat e biografisë së Profetit dhe në ato të hadithit, përveçse një fletore e thjeshtë, në të cilën u shënuan adresat e atyre që morën pjesë në ekspedita, numri i ushtarëve i përcaktuar saktë, kush mori pjesë dhe në cilën luftë. Gjithashtu aty shënohej sa ushqim ishte i nevojshëm për ushtrinë. Pejgamberi Muhamed, me këtë praktikë, bëri hapin e parë në krijimin e Këshillit Ushtarak (divan-ul xhund), që më vonë do të institucionalizohet.(27)

Në kohën e kalifit Ebu Bekër nuk kishte ndonjë ndryshim në administratën ushtarake, ashtu siç ishte në kohën e Profetit. Në kohën e kalifit Omer u themelua këshilli që e mbajti vetëm emrin divan. Sipas disa burimeve ai quhej Këshilli Ushtarak (divan-ul xhund) ose Këshilli i Kalorësve Ushtarakë. Meqenëse ky lloj tatimi (i mbledhur nga jomyslimanët) u shpërndahej të gjithëve, ai e mori emrin divan, që në këtë rast mund të përkthehet si Këshilli i Dhurimit ose Këshilli i Shpërndarjes së Mallrave Tatimorë. Në fakt, ky divan e ka marrë emrin Këshilli i Dhurimit (divan-ul a’taa) dhe përbën origjinën e kalorësve ushtarakë. Në kohën e kalifit Omer, ky divan e bënte punën e regjistrimit. Në këtë regjistër regjistrohej numri i asqerëve dhe i fëmijëve që do të merrnin ndihmë (atijje).(28) Kjo mënyrë e funksionimit të Këshillit (divanit) vazhdoi edhe në periudhën emevite me një emër qendror ed-Divan, por që më vonë do të mbante edhe emra të tjerë si ai “Divanur resail” (Këshilli i Korrespodencave) dhe “Divanu-l hatemi” (Këshilli i vulosjes dhe arkivimit) e që në fund të marrë emrin “Divanu-l berid” (Zyra Postare).(29)

Ndërkaq në periudhën abasidë, Këshilli Ushtarak (divan-ul xhund) ishte emri i departamentit që kujdesej për punë ushtrie, që i bie se në atë periudhë ky divan u bë një organizatë dhe u specializua në fushën ushtarake. Shteti kishte ushtri në qendër të pushtetit, nëpër krahina dhe në garnizone kufitare. Këshilli Ushtarak (divan-ul xhund) merrte përsipër menaxhimin e ushtrisë në aspektin administrativ, financiar, lokal dhe të gjitha përgjegjësitë tjera. Qendra e divanit në periudhën abaside së pari ishte Bagdadi e pastaj kaloi në Samerra. Më pas u hapën degë të Divanit nëpër provinca të ndryshme, si në Medinë, Kufë dhe Damask.(30)

Këshilli i Kalorësisë (divani) që ishte në fuqi në periudhën e parë të abasidëve përbëhej nga tetë kuvende (zyra). Këto kuvende ishin të zënë me punë redaktuese, shkrime, regjistrime dhe kopjime të portreteve. Gjithashtu kishte edhe një kuvend që merrej me arkivimin, duke siguruar komunikim mes tyre. Kuvendi Takrir (i shpjegimit) e përcaktonte rrogën dhe sasinë e saj për ushtarët, e kontrollonte atë dhe e caktonte kohën kur u jepej. Kuvendi Mukabele (i përgjigjeve) mbante evidencë për ushtarët e rinj, Kuvendi Arz (i furnizimit) bënte inspektim ushtarak, kurse Kuvendi A’ta dhe Tefrika angazhohej për gjithë ushtarët që kishin status ndryshe nga kjo, për pagimin e rrogave dhe shtesave ushqimore. Në periudhën abaside, si përfundim i aftësive dhe këmbënguljes së komandantëve ushtarakë, ushtrisë iu dha një vlerë dhe kështu u ngrit edhe vlera e Kuvendit Arz, madje në disa periudha ky kuvend kaloi në privatësi.(31)

Këshilli i Kalorësisë merrej me rekrutimin e ushtarëve, organizimin ushtarak, pajisjet dhe pagat. Ndërkaq zyra Arz në raste të ndryshme jepte koncesione, i paguante rrogat, i mbante armët dhe kujdesej për kafshët, i inspektonte ushtarët dhe e kontrollonte identitetin e tyre. Edhe pse të gjitha këto dhurata ishin në formë parcele, të mbledhura nën një rreth të pavarur, gjithë kjo ishte e lidhur me Këshillin e Mallrave (Divan-ul Mal).(32) Këshilli i Kalorësisë ishte në krye të të gjitha divaneve që do të ndaheshin për kryerjen e shërbimeve të caktuara publike të vetë administratës financiare. Ky këshill, gjithashtu, kishte një staf nëpunësish për t’i kryer detyrat e lartpërmendura me saktësi, deri në detajet më të vogla. Megjithëse ky divan e ruajti emrin origjinal deri në kohën e Mutevekkilit, që nga kjo periudhë ushtria përbëhej nga ata që merrnin rroga në këmbim të shërbimit. Në fund të shekullit të tretë hixhri, departamentet e njësive të ndryshme ushtarake që merreshin me punë të ndryshme, u kombinuan të gjitha nën emrin Këshilli i Kalorësve.(33)

Këshilli Ushtarak (divan-ul xhund), ishte jashtëzakonisht i rëndësishëm, sepse kishte raporte pune me kalifin, vezirin dhe me guvernatorët krahinorë. Që nga periudha emevite, kalifati arrihej me anë të forcës ushtarake. Prandaj, që nga krijimi i shtetit abasid, për meritat të gjithë kalifëve rol të rëndësishëm ka luajtur ushtria. Po ashtu, rëndësi i dhanë edhe aranzhimit të të gjitha divaneve, por kujdes i kushtuan Këshillit Ushtarak (divan-ul xhynd), madje Harun Reshidi, që bijtë e tij të bëheshin kalifë, së pari mori besnikërinë nga ushtarët. Kjo tregon për peshën që kishte Këshilli Ushtarak.

Siç shihet, ngritja e rëndësisë së ushtrisë në kohën e kalifit Mehdi flet për famën e divanit atëherë kur në krye të divanit erdhi ekselenca e tij, Halidi, por pasi e mori besnikërinë e Abul Abasit. Fakti që drejtpërdrejt kalifi Halid ishte i përfshirë në punët e ushtrisë tregon për rëndësinë e madhe të institucionit divan.

Divani i Kalorësisë (xhejsh) posaçërisht Këshilli Financiar, është i lidhur ngushtë me divanet e tjera. Për shembull, fakti që ka një kuvend financiar në vetë këshillin e kalorësisë (xhejsh) tregon për prezencën e Kuvendit Financiar, që ka për detyrë t’i përcaktonte pagat dhe furnizimet e ushtarëve të regjistruar në Këshillin e Kalorësisë dhe për kohën e duhur. Dëshmi për këtë është fakti se i njëjti person herë pas here duket të jetë në krye të Këshillit (xhejsh), por edhe të Kuvendit Financiar, kjo për arsye se shtëpia e mallrave ishte përgjegjëse për të gjitha harxhimet shtetërore, ndërsa ndante edhe një burim për harxhimet e Këshillit të Kalorësisë.

Përveç kësaj, në shtëpinë e mallrave kishte një kuvend të veçantë për bërjen e armëve dhe materialeve që do të përdoreshin në prodhimin e tyre. Për këtë arsye, që të dyja funksionet ishin të lidhura ngushtë me njëra-tjetrën. Në rast se Shtëpia e Mallrave nuk ishte e mjaftueshme për t’i mbuluar shpenzimet, atëherë hynte në funksion edhe shtëpia e mallrave e quajtur ndryshe hasë. Nafakat ishte një këshill qendror, por pa degë në krahina. Ky këshill merrej me trajtimin dhe kujdesin për të gjitha kafshët që i përkisnin shtetit dhe që mbahen për qëllime të ndryshme, si dhe që ta plotësonte kërkesën për ushqim. Është e vërtetë se shumica e këtyre kafshëve i përkisnin Këshillit të Kalorësisë. Këshilli (divani) i Beridit ishte i lidhur ngushtë me Këshillin e Kalorësisë, për sa i përket marrjes së informacionit nga vetë kalifi për sigurinë dhe shëndetin e njësive ushtarake në vende të ndryshme. Përsëri, gjatë transferimit të ushtrisë, komanda e përgjithshme do të merrte informacion të detajuara për kushtet e rrugës nga Këshilli Berid. Për këtë arsye, dhënia e informacioneve të sakta nga Këshilli Berid ishte e rëndësishme për sukseset e ushtrisë në të ardhmen. Për shpenzimet d.m.th. të ardhurat dhe të dalat shtetërore ishte përgjegjës Divani Ezimme, por ky divan ishte i lidhur ngushtë njëkohësisht me Këshillin e Kalorësisë (xhejsh).(34)

Në raport me funksionimin, ky institucion ka pësuar ndryshime gjatë historisë. Roli i Divanit ka qenë shumëdimensional dhe njëkohësisht ka pasur më shumë mënyra të Divanit, duke filluar nga Divan’ul mal, Divan- hane, Divan-i Humajun, Divan’ul Muhasebat dhe D i v a n’u l Resail. Në sulltanatin osman është i njohur Divan-i Hymajunit, që e ka kuptimin e institucionit qendror vendimmarrës sulltanor, gjegjësisht Këshilli i Lartë në Sarajet e Sulltanit, në administratën e rregullimit osman të kalifatit. Deri në shekullin XVII ai ka qenë trupi i qeverisjes së shtetit.(35)

Përfundim

Duke pasur parasysh se në gjuhën shqipe nuk është bërë një shpjegim i mirëfilltë për divanin si institucion i rëndësishëm në historinë islame, trajtesa e këtillë për divanin si institucion është i një rëndësie të veçantë për historinë islame së pari, e në veçanti për historinë e përgjithshme në përgjithësi. Në këtë drejtim kemi bërë një hapë konkretë, që edhe në literaturën shqiptare të ketë njohuri për institucion e quajtur divan.

______________________

1. Abdülaziz Ed-Duri, D?VAN, TDV ?slam Ansiklopedisi, c-9, DIA, ?stanbul, 1994, f. 377-381.

2. Ismet Kayao?lu, ?slam Kurumlar Tarihi, Doruk Matbaa, Ankara 1980, f. 45-46.

3. ?amil ?slam Ansiklopedisi, cilt V, ?amil Yay?nlar?, ?stanbul 1992, f. 137.

4. M. Z. Terzi, vepra e lartpërmendur., f. 14-17.

5. ?. ?. Ansiklopedisi, vepra e lartpërmendur., f.137.

6. M. Z. Terzi, vepra e lartpërmendur., f. 25-26.

7. M. Koyuncu, ORDULAR, Hicri I. As?rda Islam Ordusu, f. 232.

8. Mustfa Zeki Terzi, ORDU, D.?.A. c. 32, ?stanbul 2007, f. 357.

9. Tahir N. Dizdari, FJALOR I orintalizmave në gjuhën shqipe, AIITC, Tiran 2005.

10. Nexhat Ibrahimi, FJALOR Enciklopedik Islam, Logos-A, Shkup 2017, f. 184.

11. Mevlüt Koyuncu, ORDULAR, Hicri I. As?rda Islam Ordusu, Kitabevi, Istanbul 2008. f. 224-225.

12. W. Brthold – F. Köprülü, ?slam Medeniyet Tarihi, Diyanet ??leri Ba?kanl??? Yay?nlar?, 4. Bask?, Ankara 1997, f. 115.

13. Abdülaziz Ed-Duri, vepra e lartpërmendur., f. 377-381.

14. Do?u?tan Günümüze Büyük ?slam Tarihi, C. 2, Ça? Yay?nlar?, ?stanbul

1986. f. 134-139.

15. Ushtarakët, Asqerët, Rekrutët, Kalorësit apo Këshilli Ushtarak. Fehmi Y?lmaz, Osmanl?TarihSözlü?ü, Gökkubbe, ?stanbul 2010, f.101. Isa Memishi, FJALORI Arabisht Shqip, Vëll. I, Logos-A, Shkup 2014, f. 275.

16. Më shumë se 400 kalorës apo formacioni i kalorësve. FehmiY?lmaz, Osmanl? Tarih Sözlü?ü, Gökkubbe, ?stanbul 2010, f. 95.

17. Institucioni i (faljes, dhurimit) ndihmës për nevojtarët.

18. Do?u?tan Günümüze Büyük ?slam Tarihi, C. 2, Ça?Yay?nlar?, ?stanbul

1986. f. 173-174.

19. M. Z. Terzi, vepra e lartpërmendur., f. 28.

20. Abdülaziz Ed-Duri, vepra e lartpërmendur., f. 377-381.

21. Hasan ?brahim Hasan, Siyasi – Dini – Kültürel – Sosyal ?slam Tarihi II, Kay?hanYay?nlar?, ?stanbul 1991, f. 185

22. Mustafa Fayda, “Divan” Türkiye D?yanet Vakf? ?slam Ansiklopedisi IV, Türkiye Diyanet Vakf? Yay?nlar?, ?stanbul 1991, f. 33.

23. Mehmet Aykaç, Abbasi Devleti’nin ?lk Dönemi ?dari Te?kilat?nda Divanlar, Türk Tarih Kurumu Yay?nlar?, Ankara 1997, f. 71-72. Do?u?tan Günümüze Büyük ?slam Tarihi, f. 139.

24. Do?u?tan Günümüze Büyük ?slam Tarihi, f. 148.

25. M. Fayda, vepra e lartpërmendur., f. 33.

26. M. Aykaç, vepra e lartpërmendur., f. 72-76.

27. M. Koyuncu, vepra e lartpërmendur., f. 223.

28. M. Aykaç, vepra e lartpërmendur., f. 77-78.

29. Abdülaziz Ed-Duri, vepra e lartpërmendur.,f. 377-381.

30. M. Aykaç, vepra e lartpërmendur., f. 81.

31. M. Aykaç, vepra e lartpërmendur., f. 81-88.

32. Islam Tarihi Kültür ve Medeniyeti – The Cambrige History of ?slam Ivö Kitabevi Yay?nlar?, 2 bask?, Istanbul 1997

33. W. Brthold – F. Köprülü, vepra e lartpërmendur., f. 119.

34. M. Aykaç, vepra e lartpërmendur., f. 92-94.

35. Nexhat Ibrahimi, vepra e lartpërmendur., f. 184-185.

Dr. Murtezan Idrizi

- Advertisement -spot_img

Më tepër

Të fundit