0.9 C
Pristina
Monday, November 18, 2024

Themelimi i Asociacionit – kërkohet që qeveria të shkojë me propozime konkrete në takimin e ftuar nga Ambasada amerikane

Më të lexuarat

Ambasada amerikane në Prishtinë, të martën më 31 janar do të jetë nikoqire e një diskutimi për themelimin e Asociacionit të komunave me shumicë serbe në Kosovë.

Ambasada ka theksuar se në këtë takim kanë ftuar një grup divers të liderëve të shoqërisë civile, zyrtarëve qeveritarë, liderëve politikë dhe diplomatëve, për të diskutuar këtë çështje me rëndësi.

Ambasada ka thënë se synim i saj është “të avancojë mirëkuptimin e ndërsjellë për përkushtimin ndaj Asociacionit, në mbështetje të dialogut mes Kosovës dhe Serbisë që ndërmjetësohet nga BE-ja”

Lidhur me thirrjen e këtij takimi nga Ambasada amerikane, njohësi i proceseve politike, Emir Abrashi ka thënë për Telegrafin se kjo është vazhdimësi e kërkesave që partnerët e Kosovës i kanë bërë për themelimin e Asociacionit si parakusht për zhbllokimin e ngërçit në marrëdhëniet e Kosovës me Serbinë, vazhdimin e dialogut dhe përmbylljen e këtij procesi siç është paralajmëruar në fillim të këtij viti.

Emir Abrashi

“Nuk duhet harruar që Republika e Kosovës ka marrë obligim themelimin e Asociacionit fillimisht në vitin 2013 kur është nënshkruar marrëveshja e parë për Asociacionin dhe më pas në 2015 pas rishikimit të marrëveshjes. Pra, Kosova duhet t’i përmbahet marrëveshjes dhe normalisht duhet evituar humbjen e mëtejshme të kohës në këtë drejtim”, ka thënë Abrashi.

Ai tutje ka shtuar se pret që në këtë takim të ketë propozime konkrete nga përfaqësuesit e Qeverisë së Kosovës.

“Në takimin e thirrur nga Ambasada amerikane, uroj të ketë propozime konkrete nga përfaqësuesit e qeverisë për themelimin e këtij entiteti, duke e respektuar marrëveshjen e vitit 2015, e cila e parasheh që nevojitet mendimi i Gjykatës Kushtetuese para aprovimit të statutit por edhe për amandamentimet e mëvonshme të atij statuti. Në këtë formë, Kosova do të evitonte formimin e një entiteti i cili kthehet në pushtet të tretë, me kompetenca ekzekutive e i cili cenon karakterin unitar të Republikës”, tha Abrashi për Telegrafin.

Abrashi theksoi se megjithatë, Kosova mund ta kushtëzoj formimin e këtij entiteti me zbatimin e plotë të të gjitha marrëveshjeve nga të dyja palët (Kosova dhe Serbia) si dhe me arritjen e marrëveshjes përfundimtare me Serbinë.

“Mirëpo, për ta bërë një gjë të tillë, Kosova duhet të tregojë vullnet për formimin e këtij entiteti dhe në takimin e thirrur nga Ambasada amerikane, të shkojë me propozime konkrete”, u shpreh ai.

Njohësi i çështjeve politike, Emir Abrashi tutje bëri të ditur se zgjatja e mëtejme e kësaj çështjeje do të sjellë vetëm momentume më të pafavorshme për Kosovën si dhe rritje të trysnisë ndërkombëtare.

“Nëse Asociacioni do të formohej me kohë, e duke iu përmbajtur marrëveshjes së vitit 2015, të cilën e ka pranuar edhe pala serbe, nuk do të arrinim në një pikë kur do të diskutohej autonomia për veriun. Pra, humbja e momentumeve ka kosto të madhe, ndërsa zgjatja e mëtejme e dialogut i konvenon vetëm Serbisë e assesi Kosovës”, tha ai.

Në anën tjetër, profesori i marrëdhënieve ndërkombëtare, Dritëro Arifi, u shpreh se iniciativa e SHBA-ve vjen pasi që dy zyrtarët e lartë të SHBA-ve, Chollet dhe Escobar kërkuan nismën e themelimit të Asociacionit të komunave me shumicë serbe.

“Ata e potencuan që është një obligim edhe vendor edhe ndërkombëtarë dhe në njëfarë mënyre obligim i SHBA-ve ndaj partnerëve të vet, Kosovës dhe fqiut tonë verior”.

“Në këtë iniciativë nuk është ftuar kryeministri të paktën sipas asaj që ai ka deklaruar. Kjo tregon një anashkalim të kryeministrit dhe Qeverisë së Kosovës nga ambasada amerikane, nuk mund ta dimë nëse është bërë me qëllim por në këtë rast mund vetëm të supozojmë për shkak të ndoshta mos konsistencës politike të Kurtit karshi kërkesave amerikane”, ka thënë Arifi për Telegrafin.

Ai ka shtuar se Asociacioni duhet të themelohet nga serbët lokalë siç është edhe në marrëveshjen e Brukselit, e pastaj t’i dorëzohet qeverisë dhe prapë duhet të shkoj në Gjykatë Kushtetuese për të parë nëse është në përputhje me ligjet e Kosovës.

“Mund të ndodh që Qeveria ta pranoj si draft sepse ai shkon në Gjykatë dhe merr kohë deri te shqyrtimi i tij. Qeveria nuk ka ditur në mënyrë diplomatike të bëjë kërkesa apo të kërkoj balancë mes serbëve në Kosovë dhe shqiptarëve në Luginë të Preshevës”, tha Arifi.

Çfarë deklaroi Kurti për takimin e së martës?

Për formimin e Asociacionit ka folur edhe kryeministri Albin Kurti. Kurti tha se nuk është ftuar në takimin që do të mbahet në Ambasadën amerikane.

Ai tha se ka pritur nga Escobari që të thotë në Beograd se Serbia duhet ta njohë Kosovën, e jo të thotë në Prishtinë se Asociacioni do të bëhet, pavarësisht kryeministrit të Kosovës.

“Unë nuk jam ftuar në atë takim, por ata që janë ftuar, le të shkojnë në atë takim dhe le ta diskutojnë. Por, po e ritheksoj, nga 33 marrëveshjet e Brukselit nuk bën të zgjidhet njëra sepse nuk ka hierarki. Nuk mund të krijohen hierarki artificiale, përveç rendit kronologjik. Ndërkaq, në anën tjetër, edhe nga propozimi i Bashkimit Evropian nuk mund të përzgjidhet vetëm ndonjë nen, i cili mendohet që e përfshin Asociacionin e komunave me shumicë serbe. Pra, unë besoj që ky takim është pasojë e insistimit të zyrtarit të Departamentit të Shtetit amerikan, i cili është edhe emisar special për Ballkanin dhe i cili ka deklaruar që, pavarësisht kryeministrit të Kosovës, Asociacioni duhet të bëhet”, tha Kurti.

Ai ka thënë se beson se propozimi evropian është bazë e mirë për marrëveshjen me Serbinë dhe se është i gatshëm të bisedojë për marrëveshjet e arritura në Bruksel, por ka thënë se nuk ka marrë ndonjë argument adekuat për themelimin e Asociacionit të Komunave me shumicë serbe.

I pari i ekzekutivit ka thënë se “nuk e sheh të nevojshëm krijimin e Asociacionit, por se është i gatshëm për diskutime për të drejtat e komuniteteve joshumicë”.

Kosova dhe Serbia kanë arritur marrëveshje për Asociacionin më 2013 dhe më pas më 2015 mbi parimet për themelimin e tij.

Po më 2015, Gjykata Kushtetuese e Kosovës ka gjetur se marrëveshja nuk është në harmoni të plotë me Kushtetutën.

Serbia kërkon që Kosova të zbatojë marrëveshjet e arritura, por Qeveria e Kosovës është deklaruar kundër një asociacioni njëetnik. /Telegrafi/

- Advertisement -spot_img

Më tepër

Të fundit