1.7 C
Pristina
Saturday, December 21, 2024

Thekse islamofobike të orientalizmit bashkëkohor

Më të lexuarat

Enis Sulstarova

Thekse islamofobike të orientalizmit bashkëkohor

[Në orientalizëm] është gjithmonë perëndimi dhe jo krishtërimi që i kundërvihet islamit. Supozohet se ndërsa “perëndimi” është më i madh se krishtërimi dhe se e ka kapërcyer fazën e krishtërimit, fesë së tij kryesore, bota e islamit – pavarësisht prej shoqërive, historive, gjuhëve të ndryshme të saj – është akoma e zhytur në batakun e fesë, primitivizmit dhe prapambetjes. Prandaj perëndimi është modern, më i madh se shuma e pjesëve të tij, plot me kontradikta që e pasurojnë dhe prapëseprapë ai është gjithmonë “perëndimor” në identitetin e tij kulturor; ne krahun tjetër, bota e islamit nuk është më shumë se “islami” dhe është e reduktueshme në një numër të vogël karakteristikash, megjithë shfaqjen në të të kontradiktave dhe përvojave të variacioneve që duken në sipërfaqe po aq të bollshme sa ato të perëndimit Edward W. Said (1981: 10).

Drejt integrimit me perëndimin

Projekti i ri modern i shpallur nga elitat politike dhe intelektuale në Shqipërinë paskomuniste është krijimi i një shoqërie liberale, ekonomie të tregut dhe qeverisjeje demokratike. Qëllimi i ri nuk është më arritja e rendit komunist, por integrimet në Bashkimin Evropian dhe NATO.

Të drejtuar prej këtij qëllimi ndërthurrja e ligjërimeve të ndryshme ka formuar mitin e shqiptarëve si një komb i lashtë evropian i cili ka aspiruar gjithmonë të përparojë dhe të ecë në rrugën e vendeve të Evropës perëndimore dhe që do të ringjallet i integruar në Evropën perëndimore, demokratike dhe kapitaliste. Mirëpo midis Shqipërisë dhe perëndimit ekziston një hendek i madh i prapambetjes ekonomike, një defiçit shumë i ndjeshëm në praktikat e respektimit të të drejtave të njeriut, dhe në fitimin e legjitimitetit qeverisës me mjete demokratike. Problematika e të mosqenurit pjesë e “perëndimit” duke qenë pjesë e Evropës, zgjidhet me anë të orientalizmit duke i kërkuar fajtorët te “lindja”.

Nyja e ligjërimit orientalist paskomunist është shënuesi “integrim”:

Elementet “perëndimore” të kulturës shqiptare e afrojnë integrimin me BE, kurse elementet “lindore” e largojnë atë. Me “lindje” zakonisht etiketohet si trashëgimia e Perandorisë Osmane (ndonjëherë së bashku me atë bizantine), si modernizimi i dështuar i regjimit komunist. “Lindja” është filli që i lidh së bashku të dyja periudhat në një vazhdimësi shkakësore. Osmanët dhe komunistët paraqiten si pjesë të një fronti lindor, aziatik, kundërevropian dhe kundërshqiptar që vepron për ta ndarë Shqipërinë nga vendi i saj i natyrshëm midis shteteve të përparuara të Evropës.

Orientalizmi paskomunist e rimerr kundërshtinë binare midis shoqërisë së vjetër e të prapambetur dhe asaj të re e moderne – që ishte në qendër të ligjërimit zyrtar të regjimit komunist – dhe i pajis të dyja pjesët me shënuesit “perëndimor” dhe “lindor”. Dallimi është se orientalizmi bashkëkohor paskomunist e përfshin përvojën e Shqipërisë komuniste nën shënuesin “lindje” dhe jo në atë të “Shqipërisë së Re”.
Një tjetër dallim i orientalizmit bashkëkohor nga ai i periudhës komuniste është theksi i tij islamofobik. Me largimin gjithmonë e më të madh të realiteteve shqiptare prej përvojës komuniste, lindja gjithmonë e më shumë ripërcaktohet si “orient”, duke shënuar kësisoj fenë islame dhe shoqëritë ku ajo është e pranishme.

Gjatë komunizmit denigrimi i hoxhëve dhe i dervishëve në ligjërimin politik zyrtar dhe në realizmin socialist bëhej nën atmosferën ateizmit zyrtar që i konsideronte fetë si “opium për popullin”. Megjithëse rendi i tanishëm kushtetues krijon hapësirë për ekzistencën e institucioneve fetare dhe garanton lirinë e ushtrimit të praktikave fetare, shfaqja publike e riteve dhe e praktikave myslimane shpeshherë nga një pjesë e intelektualëve konsiderohen si të habitshme, të huaja, ekzotike, prurje aziatike, rikthim i injorancës, prapambetje, apo si urë për zbarkimin e fundamentalizmit e terrorizmit islamik në perëndim. Eshtë shprehur frika se ringjallja e islamit do të rrezikojë projektin e integrimit të vendit në qytetërimin evropian, ngaqë orrientalizmi i sheh si të papajtueshme dhe kundërvënëse. Orientalistët bashkëkohorë flasin dhe shkruajnë për Shqipërinë që gjendet në dilemë për të zgjedhur midis dy rrugëve të kundërta.

Afrimi me lindjen na largon prej perëndimit. Ja si shprehet një shkrimtar mbi anëtarësimin e Shqipërisë në Organizatën e Konferencës Islamike:

“Shqipëria po troket fort në dyert e Evropës kur në të vërtetë ka hyrë në Lidhjen Islamike…Mbi Shqipërinë po rëndon prej kohësh damka e një vendi mysliman, damkë të cilën ia kemi stampuar vetë me hekur të skuqur në ballë… [Skënderbeu] ka luftuar kundër turqve osmanë për çerek shekulli dhe ka triumfuar jo vetëm për të ruajtur Shqipërinë, por edhe për t’iu bërë barrierë e ruajtjes së krishtërimit evropian” (Tozaj, 1995).

Ai shton se në Paris Shqipërinë po e quajnë depo e municionit islamik dhe sugjeron një regjistrim të popullsisë ku të përmbysen raportet mes feve dhe që besimtarët myslimanë të shpallen pakicë. Pra, argumenti i nisur si kritikë ndaj një vendimi politik (anëtarësimi në OKI), zhvendoset në një argument mbi identitetin mysliman të shqiptarëve si diçka e papëlqyeshme për Evropën (Parisi) e krishterë dhe që duhet ndryshuar për hir të integrimit të vendit në Bashkimin Evropian. Për këtë thirret në ndihmë kujtesa e heroit kombëtar, i parë nën prizmin e përballjes fetare midis krishtërimit dhe islamit. Disa intelektualë dhe klerikë të krishterë prej kohësh i mëshojnë kërkesës për rikonvertimin në krishtërim, rëndom katolicizëm, të shqiptarëve myslimanë. Tezat e tyre nuk janë teologjike por identitare, sepse katolicizmi, apo më gjerë krishtërimi, përfaqëson sipas tyre fenë autentike shqiptare dhe lidhjet e shqiptarëve me Evropën, kurse feja islame është imponuar nga osmanët për t’i shkombëtarizuar shqiptarët. Një klerik katolik, Dom Ndoc Noga thotë:

“Toka arbrore qe një kopsht i lulëzuar i krishtërimit…Feja e shqiptarit qe gjithmonë ajo e krishterë, besimet e tjera qenë dhe janë të importuara me të vetmin qëllim për ta zhdukur atë, por me efekt imediat degradimin e gjakut tonë të pastër prej shqiptari” (cituar nga Baleta, 2000).

Edhe kundërpërgjigja ndaj këtyre tezave ka ardhur në trajtë identitare, ku theksohet roli i fesë islame për ruajtjen e konsolidimin e identitetit të kombit shqiptar. Kështu Abdi Baleta thotë se “ruajtja e islamit në trojet shqiptare ka rëndësi jetike për ruajtjen e identitetit dhe individualitetit kombëtar shqiptar. Evropa duhet të na pranojë si pjesë të saj me individualitetin tonë” (2002: 144).

Orientalizmi me ngjyra të theksuara islamofobike përdoret intensivisht prej politikanëve dhe medias. Gjatë qeverisjes së Partisë Demokratike, opozita e kishte përvetësuar tashmë islamofobinë si një teknikë delegjitimimi për qeverinë. Më 1997, me hipjen e tij në pushtet kryeministri socialist Fatos Nano deklaron me pompozitet se programi i qeverisë së tij nuk synon më pak sesa të zhbëjë efektet e 555 vjetëve të fundit të historisë së Shqipërisë, d.m.th. 500 vjet sundim osman + 50 vjet sundim komunist + 5 vjet sundim të Berishës. Një vit më vonë ai deklaron se “do ta godasim pa mëshirë krimin ordiner, politik dhe islamik” (Koha Jonë 25.01.1998), duke sajuar kështu një lloj të ri krimi, përveç atyre të njohur si ordiner dhe politik. Në një fushatë elektrorale Nano u bën thirrje qytetarëve të Elbasanit të mos votojnë “ferexhenë politike” të kundërshtarit dhe midis Haxhi Qamilit dhe Kostandin Kristoforidhit të zgjedhin këtë të fundit. Gazeta Zëri i Popullit vazhdimisht në sulmet e saj e cilëson kundërshtarin si “myslimani Berisha”. Kurse kryetari i bashkisë së Tiranës, Edi Rama vazhdimisht flet për “kandaharizimin e Shqipërisë”, për të përshkruar gjendjen e papëlqyeshme të vendit.Me krijimin e qeverisë së Partisë Demokratike në shtator 2005, Zëri i Popullit aludon se ministri i drejtësisë është konvertuar në fenë myslimane gjatë studimeve të tij në Republikën Turke të Qipros së Veriut. Kësisoj përkatësia fetare myslimane paraqitet si turp, apo faj, si e papërshtatshme për politikanët dhe njerëzit publikë. Në krahun tjetër, Sali Berisha e thërret kryeministrin Ilir Meta “sheiku Metullah” apo drejtorin e RTSH “Mulla Omar”. Për të dëshmuar se ai e ka lënë mbrapa flirtin me myslimanët dhe lindjen, Berisha deklaron në një intervistë televizive se flamuri shqiptar është është flamur i krishtërimit, duke i përjashtuar kësisoj shqiptarët jo të krishterë nga identifikimi me flamurin kombëtar.

Orientalizmi i politikës shoqërohet me atë të medias, e cila marrëdhëniet e shqiptarëve me “orientin” zakonisht i përfaqëson me anë të paranojës mbi rrezikun islam. Titujt e gazetave flasin vetë: “Rreziku islam për Shqipërinë”, “Përhapja e islamit në Shqipëri me forcë dhe dhunë”, “Shqipëria, depo e municionit islamik”, “Shqiptarët myslimanë pasardhës të haremeve të sulltanit”, “Allahu shkatërron kishat”, “Bij të ndarë të Allahut”, “Plazhi i ferexheve”, etj. Një e përditshme boton opinionin e një analisti se mbiemri Islami i ministrit të punëve të jashtme nuk bën për paraqitjen e Shqipërisë para perëndimit. Të tjerë analistë në të tjera faqe shtypi e quajnë Fatos Nanon “vezir”, apo “ajatollah”. Kurse një tjetër gazetë me rastin e muajit të Ramazanit e gjen të udhës të botojë listën e deputetëve të Kuvendit që kanë emra me prejardhje turko-arabe dhe përbri tyre shënon se kush prej tyre agjëron, sipas përgjigjes që ata i kishin dhënë gazetarit të ngarkuar posaçërisht për t’u bërë atë pyetje, duke e bërë publik një element të besimit fetar që rëndom konsiderohet pjesë e jetës private të njeriut. Si politika, si media, kanë bërë pjesë të pandashme të punës së tyre teknikën që Ervin Hatibi e ka emërtuar “islamizim me dhunë i kundërshtarit” (shih Hatibi, 2005: 233-8). Islamofobia shqiptare vepron brenda një horizonti përfytyrimesh orientaliste, sipas të cilave “tjetri” është lindor, i prapambetur, mysliman, tradicional, patriarkal, i korruptuar, tiranik, ekzotik, irracional, i mistershëm, fanatik, i rrezikshëm, etj. Besimtari mysliman shqiptar, aq më tepër po të jetë i pajisur me mjekër a shami koke, konsiderohet si jashtë “modelit” të qytetarit “normal”, laik, fetarisht tolerant, evropian, modern, racional, përparimtar.

Në pjesët në vijim do të ndalemi në disa çaste të orientalizmit bashkëkohor në Shqipëri, për të analizuar tekste që çështjen e identitetit shqiptar në prag të integrimit evropian e trajtojnë me teknika islamofobike.

Fillimisht do të paraqesim në mënyrë kritike paradigmën e “përplasjes së qytetërimeve” të Samuel Hantingtonit meqë ajo ka patur një ndikim të madhe mbi orintalistët shqiptarë. Më pas do të analizojmë disa artikuj nga Aurel Plasari, Piro Misha, Mustafa Nano dhe Baton Haxhiu, të botuar në kohë të ndryshme. Gjithashtu në analizë kemi përfshirë edhe orientalizmin e shfaqur në disa veprimtari të organizatës Mjaft. Në fund bëjmë një përmledhje të teknikës islamofobike të orientalizmit bashkëkohor shqiptar.

 

Përplasja e qytetërimeve

Gjatë viteve të Luftës së Ftohtë politologu amerikan Samuel Hantington kishte kohë që kërkonte të bindte amerikanët se konkurenca japoneze përbënte rrezik serioz për kapitalizmin perëndimor dhe se perëndimi me në krye SHBA do të hynin shumë shpejt në një luftë ekonomike me Japoninë. Mirëpo qëndrimi i tij do të ndryshonte pas rënies së Murit të Berlinit. Më 1990 orientalisti Bernard Ljuis boton artikullin “Rrënjët e tërbimit mysliman” me anë të të cilit tenton të shpjegojë shkaqet pse bota myslimane urren dhe kërkon shkatërrimin e botës perëndimore. Si përfundim të analizës së tij, Ljuis thotë:

“Tashmë duhet të jetë bërë e qartë se po përballemi me një gjendje shpirtërore dhe lëvizje që e kapërcen nivelin e çështjeve dhe politikave dhe të qeverive që i ndjekin ato.

Kjo nuk është më pak se një përplasje qytetërimesh – reaksioni ndoshta irracional, por patjetër historik, i një rivali të vjetër kundër trashëgimisë sonë çifuto-kristiane, së tashmes shekullare dhe të ekspansionit botëror të të dyjave. Eshtë tepër e rëndësishme që ne nga ana jonë nuk duhet të provokohemi në një reagim po aq historik, por edhe po aq irracional, kundër këtij rivali” (Lewis, 1990; kursivi ynë).

Më 1993 Samuel Hantingtoni boton artikullin “Përplasja e qytetërimeve?”, të cilin më vonë e zgjeron në trajtën e një libri (Huntington, 1996). Teza e tij është se qytetërimi perëndimor po rivalizohet prej qytetërimeve të tjerë dhe për rrjedhojë në të ardhmen e afërt ekziston rreziku që konfliktet që zhvillohen në vijat e ndarjes së qytetërimeve të marrin përmasa më të mëdha. Një qytetërim është sipas tij “grupimi më i lartë i njerëzve dhe niveli më i gjerë i identitetit që ata kanë nën ato karakteristika që i dallojnë njerëzit prej gjallesave të tjera” (po aty: 43).

Si vijë ndarëse të qytetërimeve Hantingtoni merr ndarjet e feve të mëdha ekzistuese dhe prej këndej ai nxjerr këta qytetërime: perëndimi, Amerika Latine, islami, Japonia, konfucializmi, sllavo-ortodoksia, hinduizmi dhe një tjetër qytetërim i mundshëm në Afrikën nënsahariane. Hantingtoni nuk e miraton bipolarizimin perëndim-lindje të botës. Duke miratuar argumentin e Eduard Saidit (1978), ai thotë se një ndarje e tillë është një mit, sepse “është më e përshtatshme të flitet për ‘Perëndimin dhe pjesën tjetër’, që nënkupton ekzistencën e disa jo-perëndimeve” (po aty: 37). Nëse më parë konkurentin e qytetërimit perëndimor ai konsideronte Japoninë, tashmë ajo është zëvendësuar me Kinën. Ndërsa qytetërimit islam i mungon një qendër dhe ai nuk është konkuruese me perëndimin përsa i përket zhvillimit teknologjik dhe ekonomik. Megjithatë radikalizimi i fundamentalizmit islamik dhe qëndrimi i tij armiqësor ndaj perëndimit e bën atë një aleat të mundshëm për Kinën. Lidhja Kinë-islam do të kishte efekte katastrofike për perëndimin meqenëse rezervat më të mëdha nëntokësore të naftës gjenden në Lindjen e Mesme.

Pas sulmit terrorist të 11 Shtatorit 2001 dhe kundërpërgjigjes amerikane me pushtimin e Afganistanit dhe Irakut, disa në SHBA dhe Evropë mendojnë se paralajmërimet e kobshme të Ljuisit dhe Hantingtonit po realizohen. Vetë Hantingtoni në një intervistë të dhënë fill pas 11 Shtatorit shpreh shqetësimin se konflikti me Al-Kaedan dhe talebanët mund të përshkallëzohej deri në përplasje qytetërimesh (Huntington, 2001: 89). Ndërsa publicistja italiane Oriana Falaçi në artikullin e saj “Mllefi dhe krenaria” (Fallaci, 2001) bën thirrje të hapura për luftë pa kompromis të perëndimit kundër rreziqeve që u vijnë atij prej popujve myslimanë, në të cilët ajo përfshin edhe shqiptarët. Shqipëruesi i esesë së saj është Aurel Plasari, i cili në shënimin shoqërues thotë se shqiptarët duhet të përulen me nderim para Falaçit dhe të puthin dorën me të cilën ajo ka shkruar artikullin në fjalë. Falaçi “mllefin” nuk e ka thjesht me fundamentalistët dhe terroristët islamikë, por me islamin si fe dhe qytetërim, me të cilin nuk duhet menduar se perëndimi do të arrijë ndonjëherë bashkëjetesë. Kështu shprehet ajo edhe në një intervistë dhënë një prifti katolik polak, ku kritikon qëndrimin tolerant të perëndimorëve, përfshirë papën Gjon Pali II, ndaj islamit:

“Jo, jo, armiku ynë parësor nuk është Bin Ladeni. Nuk është Zarkavi. Nuk janë terroristët e kokëprerësit. Armiku ynë është ai libër [Kurani]. Libri që i ka intoksifikuar. Ja përse them se dialogu me islamin është i pamundur dhe përse e refuzoj mashtrimin e islamit të moderuar, d.m.th. islami që ndonjëherë denjon të dënojë masakrat por dënimeve u shton gjithmonë një ‘nëse’ a ‘por’. Ja përse bashkëjetesa me armikun që e trajtojnë si mik është një kimerë dhe fjala “integrim” është një gënjeshtër. Ja përse të iluzionohesh për marrëveshje me ta është baraz me firmosjen e Paktit të Mynihut me Hitlerin” (Fallaci, 2005).

Si para dhe pas 11 shtatorit, teoria e “përplasjes së qytetërimeve” është gjendur para kritikash të shumta, disa prej të cilave do t’i përmendim shkurtimisht këtu. Së pari, përkufizimi hantingtonist i qytetërimit është problematik.

Qytetërimi perëndimor përcaktohet si prej krishtërimit perëndimor (katolicizmi dhe protestantizmi), si prej traditës iluministe laike dhe modernizuese. Duket jo bindëse që ndërsa Amerika e Veriut dhe Evropa perëndimore janë të përfshira në perëndim, Amerika Latine nuk është, pa folur pastaj për vështirësitë që dalin në përcaktimin e vendeve si Greqia, Izraeli apo Afrika e Jugut. Së dyti, Hantingtoni i trajton qytetërimet si njësi të mbyllura, pa shumë kontakte me njëri-tjetrin dhe të pandryshueshme në kohë. Ai anashkalon mundësinë që qytetërimet të mësojnë nga njëri-tjetri, përveç se të kundërshtojnë njëri-tjetrin.
Prandaj Eduard Saidi thotë:

“Në fakt, trajtimi i Hantingtonit është ideologjik. Ai kërkon t’i kthejë ‘qytetërimet’ dhe ‘identitetet’ në atë çfarë ato nuk janë: në entitete të mbyllura dhe të veçuara dhe që janë të spastruara nga larmia e rrymave dhe kundërrrymave që i japin jetë historisë njerëzore dhe që përgjatë shekujve kanë bërë të mundur që kjo histori të mos jetë vetëm histori e luftrave fetare dhe pushtimeve perandorake, por edhe ajo e shkëmbimeve, marrëdhënieve dhe e pasurimit të ndërsjelltë” (Said, 2003: 46).

Së treti, ndërsa është një fakt që demokracia, qeveria e kufizuar, respekti për të drejtat e njeriut dhe sundimi i ligjit janë shfaqur fillimisht në Evropën perëndimore, ato janë njëkohësisht institucione shoqëruese të jetës moderne.
Modernizimi i shumë rajoneve të botës si edhe vetë dinamikat ndërkombëtare kanë bërë që këto institucione të huazohen dhe të hedhin rrënjë në kontekste të reja. Shembuj për këtë janë vendet e Amerikës Latine, Japonia, Korea e Jugut, Taivani, Turqia apo edhe vendet e Evropës Lindore.

Siç thotë në këtë kontekst Daniel Çirot, “të jesh i pari [në modernizim] asnjëherë nuk ka patur kuptimin që ndjekësit nuk do të dalin po aq mirë, madje më mirë” (Chirot, 2001: 343). Si rrjedhojë e përhapjes së demokracive një ndarje tjetër po përvijohet në botë, ajo midis shoqërive të lira dhe të hapura dhe atyre autoritare e diktatoriale.

Së katërti, paradigma e qytetërimeve anashkalon ndarjet brenda qytetërimeve dhe shteteve të veçanta midis atyre që pranojnë pluralizmin kulturor dhe atyre që favorizojnë uniformitetin kulturor. Mes këtyre të fundit, rekrutohen përkrahësit e lëvizjeve fundamentaliste fetare, qofshin këto të krishtera, myslimane, hinduse apo çifute.

Së pesti, teoria e Hantingtonit është kritikuar si një justifikim për një politikë agresive të SHBA në botë dhe, anasjelltas, si justifikim për kundërshtimin ndaj modernitetit prej atyre që e konsiderojnë këtë të fundit si strategji perëndimore për sundimin e botës. Së fundi, edhe sipas disa studimeve empirike të kohëve të fundit, teoria e Hantingtonit nuk i përgjigjet fakteve: shumica e konflikteve etnike në botë nuk kanë si shkak përplasjet e qytetërimeve (Fox, 2001); anketat në vende të Evropës lindore tregojnë se pavarësisht prej përkatësisë në qytetërime të ndryshme, sipas kritereve të Hantingtonit, të intervistuarit kanë perceptime dhe pritshmëri të njëjta mbi demokracinë, integrimin evropian dhe çështje të tjera politike (White, Oates & Miller, 2003); gjithashtu sondazhe në vende me shumicë të popullsisë të fesë islame, dalin në përfundimin se në mikronivelin e këtyre shoqërive demokracia parapëlqehet nga shumica e popullsisë:

“Thjesht fakti se regjime jodemokratike janë në pushtet në një numër vendesh myslimane, kjo nuk do të thotë se shumica e qytetarëve të këtyre vendeve janë jombështetës të një alternative demokratike, diçka që implikohet prej studiuesve që e etiketojnë islamin si kundërdemokratik” (Hofman, 2004: 672).

Plasari: Hantingtoni ka të drejtë!

Megjithë kundërshtitë e brendshme dhe kritikat me të cilat është pritur, teoria e Hantingtonit i ka ardhur për shtat Plasarit, sikurse ka shqipëruar me zell artikujt islamofobikë të Falaçit. Në një artikull botuar në njëvjetorin e 11 Shtatorit, Plasari gati sa s’e quan Hantingtonin një profet dhe gjen rastin të lajë hesapet me kritikët e tij nëpër botë si edhe, në mënyrë të tërthortë, me kritikat që janë ngritur ndaj argumentit të Vijës së Teodosit. Artikulli hapet me këto fjali:

“Pra, Huntington-i paskësh pasur të drejtë. Idetë e përkundërta të ‘Rilindjes Europiane’, rivalitetet ideologjike e majtë – e djathtë, alternativat demokraci – tirani, arritjet e stërholluara teknologjike që e kanë mbështjellë njerëzimin në ‘kafazin teknologjik’, të gjitha këto më 11 shtator 2001 u grisën e ranë poshtë si një perde e rëndë e pluhurosur. Ndërsa nga mbrapa saj u shfaq lakuriq bota e zbuluar dhe e përshkruar jo aspak e sajuar apo e dëshiruar nga politologu Samuel P. Huntington në tekstet e tij për ‘ndeshjen e qytëtërimeve’” (Plasari, 2002).

Plasari në retrospektivë kujton sesi pas 11 shtatorit atij i kishte ardhur ndërmend një konferencë ndërkombëtare në Qipro ku kishte marrë pjesë. Folësi kryesor i ftuar kishte qenë Hantingtoni. Plasari pas 11 shtatorit 2001 gjen rastin t’i ironizojë ata pjesëmarrës në konferencë që i ishin kundërvënë tezave të Hantingtonit dhe përsërit:

“Huntington-i paskësh pasur të drejtë” (po aty). Gjatë përshkrimit më tej të konferencës së Qipros, Plasari e quan “bandill të oksidentalizuar” një folës nga Bosnja, ngaqë ai ishte i veshur me stil perëndimor, kishte sjellje perëndimore e prapëseprapë e kishte kundërshtuar Hantingtonin kur ky i fundit kishte thënë se Bosnja duhet copëtuar sipas vijave fetare. Dhe Plasari gjen rastin të shtojë për të tretën herë: “Që Huntington-i paskësh pasur të drejtë këtë e konfirmoi tanimë 11 shtatori, kur perdja e rëndë u gris edhe ra.” (po aty). Ai kujton sërish sesi pak ditë pas 11 shtatorit, të përditshmet e botës po i shndërronin titujt e tyre nga “Sulm kundër Amerikës” në “Sulm kundër Perëndimit”, “Sulm kundër qytetërimit”, “Sulm kundër botës së lirë”. Kjo do të thoshte se paralajmërimi i Hantingtonit po vërtetohej. Plasari përsërit për të katërtën herë: “bota kishte dalë një herë lakuriq, ashtu si Huntington-i ma kishte paralajmëruar se do të dilte” (po aty). Mendimet e tij sërish shkojnë te konferenca në Qipro, atëherë kur të tjerët e kishin pyetur sesi do t’i shkonte fati Shqipërisë me disa fesh në popullin e saj. Dhe hantingtonisti shqiptar, profeti i Vijës së Teodosit, nuk denjon t’u përgjigjet drejtpërdrejt, por i vë në lojë kolegët duke e quajtur konferencën “hotch-potch”, mishmash në shqip, pra një veprimtari që përpiqet të mbulojë me fjalë të kota të vërtetën lakuriqe. Në këtë pikë Plasari e mbyll artikullin në po atë mënyrë që e ka filluar: “A mos vallë, në atë sallë të largët të Nikosias, kisha ndonjë parandjenjë se do të vinte kaq shpejt dita e botës laruriq, kur do të binin poshtë gjithë pluhur ndeshjet ideologjike, alternativat shekullore, arritjet e mëdha teknologjike dhe vetë ‘kafazi teknokratik’?” (po aty).

Për sa kohë që bëhet fjalë për përplasjen e qytetërimit perëndimor me atë lindor (mysliman), Plasari i jep të drejtë kapërcipërisht Hantingtonit. E vetmja pikë ku Plasari mendon se Hantingtoni e ka gabim është atëherë kur ky flet për përplasjen e krishtërimit perëndimor me atë lindor (ortodoks). Në një ese me titull “Europa si shpirt” Plasari thotë që projekti i Evropës së Bashkuar nuk mund të realizohet në mungesë të “shpirtit evropian” që i ka rrënjët te krishtërimi dhe krishtërimi i Evropës nuk mund të ndahet ashtu siç mendon Hantingtoni: “Në rrafshin e përgjithshëm të praktikës fetare doktrina ‘përplasjesh ndërkristiane’ as ngjisin dot ndër ata miliarda besimtarë të krishterë aneskaj Evropës: ortodoksë, katolikë, protestantë” (Plasari, 2005: 100). Vini re: flitet për të krishterë evropianë jo për njëjtësi të krishterësh në vetvete, gjë që përjashton ortodoksët aziatikë e afrikanë. 

Plasari kërkon që “krishtërimi perëndimor” të bëjë vend edhe për ortodoksët e Ballkanit. Ai i kundërvihet atyre që me “krishtërim perëndimor” kuptojnë vetëm katolicizmin dhe variantet e protestantizmit, si p.sh. Mehmet Elezi kur thotë: “Nga pikëpamja e qytetërimit shqiptarët janë një popull i vjetër i krishterë, dhe, siç ka vënë në dukje Noel Malkolm e shumë studiues të tjerë, krishtërimin e morëm jo nga Bizanti, por nga kisha perëndimore” (2002: 79). Ndryshe nga Elezi, Plasari thotë që nga perëndimi shqiptarëve u erdhi ortodoksia: “fryma ortodokse do të depërtonte në Gadishullin tonë nga brigjet perëndimore, dhe jo anasjelltas, drejt Konstandinopojës, ku do të imponohej prej një iliri i quajtur Justinian, i pari perandor ortodoks në Bizant që do të shpallte ‘besimin e drejtë’ në kishën katedrale të Shën Sofisë” (Plasari, 2005: 103).

Debatohet për atë çfarë vjen nga perëndimi, por jo mbi burimin nga vjen. Katolicizmi, ortodoksia, “dielli që lind nga perëndon”, të gjitha këto duhet të vijnë nga perëndimi që të miratohen dhe të përqafohen si rrënjët e shqiptarëve, aq më mirë po të jenë retrogradisht të “shqiptarizuara” në sajë të ndonjë ndërhyrjeje në histori të një iliri, arbri a proto-shqiptari. Dhe e gjithë kjo bëhet për të nxjerrë në pah “rrënjët evropiane”, “prirjen perëndimore”, “ndihmesën tonë në qytetërimin perëndimor” si një lloj pasaporte kulturore për të hyrë në Bashkimin Evropian, për të gjetur strehim pas arratisjes nga lindja. Deri edhe krishtërimi ortodoks duhet shkëputur sa është e mundur nga Konstandinopoja dhe duhet lidhur njëfarësoj me Romën. Duhet sqaruar keqkuptimi lidhur me ortodoksinë si fe e lindjes dhe Plasari vëren me kënaqësi se “tanimë pranimi në Bashkimin Europian, i parashikuar për 2007-n, edhe i dy vendeve tradicionalisht ‘ortodokse’ si Bullgaria dhe Rumania, pos Greqisë dhe Qipros që janë tanimë aty, do ta skajojë përfundimisht edhe këtë keqkuptim” (po aty: 104).

Myslimanët shqiptarë janë automatikisht të përjashtuar prej integrimit kulturor me perëndimin, sepse ata nuk mund të gjejnë dot rrënjë apo prejardhje “perëndimore” të fesë së tyre, veçse po arritën të krijojnë lidhjen midis variantit të quajtur rëndom “islami shqiptar”, me islamin e Siçilisë apo të Spanjës në kohën e pushtimit arab! Vetëm kështu ata do të kenë pjesën e tyre në “shpirtin evropian”!

Misha në mbrojtje të “islamit shqiptar”

Piro Misha së fundi është shfaqur si mbrojtës i “islamit shqiptar”, përballë “islamit arab”. Ndarja e islamit në shqiptar e arab është një teknikë ligjërimore për të qarkuar një identitet kulturor për arsye sanitizimi, në mënyrë që të mos infektojë e dëmtojë perceptimin e shqiptarëve në perëndim: “Një vend si Shqipëria s’ka asnjë interes të perceptohet si një vend islamik. Aq më tepër po të kihet parasysh konteksti i sotëm botëror!…islami shqiptar është dhe duhet të mbetet pjesë integrale e qytetërimit evropian” (Misha, 2003: 127). Ndërsa Shqipëria hyn në epokën globale dhe shoqëria shqiptare hapet ndaj ndikimeve të çfarëdollojshme, islami në Shqipëri duhet të mbyllet në një lloj karantine “kombëtare” për hir të shëmbëlltyrës së shqiptarëve në sytë e perëndimorëve. Lloji shqiptar i islamit i konservuar më së miri, pavarësisht sesa u shërben nevojave të besimtarëve, shërben si teknikë mbrojtjeje e përkatësisë evropiane të kombit dhe integrimit të Shqipërisë në BE dhe NATO. Në lidhje me këtë Ervin Hatibi shkruan:

“Por edhe nëse do të binim dakort me vizionin e tyre të ‘islamit shqiptar’, prapë ata, në mënyrë krejt të pashpjegueshme, i dashkan muslimanët shqiptarë muzealë, të pandryshueshëm. Në kohën e sotme, kur asnjë grupim apo bashkësi, jo vetëm shqiptare, nuk mund të thotë se është e njëjtjë jo më me një shekull më parë, por as me një dekadë, ‘konservatorët’ tanë i duan muslimanët shqiptarë të vaksinuar ndaj çdo lëvizjeje të natyrshme apo rileximi në fenë islame, siç ka ndodhur historikisht në këtë fe” (2005: 124).

Hatibi e ka kapur saktë portretin e “islamit shqiptar” si një objekt muzeal për shfaqje para të tjerëve. Pra, islami në Shqipëri duhet të jetë vetëm objekt për vështrimin “normalizues” të perëndimorit. Vështruesi është i lirë ta hedhë shikimin kudo dhe t’i japë kuptim shëmbëlltyrave që sheh. I vështruari e merr kuptimin vetëm në sytë e vështruesit dhe duhet të përpiqet të kapë çastin kur vështrimi hidhet mbi të në mënyrë që të dalë në dritën më të mirë, të lerë përshtypje sa më të mirë. Nëse vështruesi gabon në lidhjen midis çfarë sheh dhe kuptimit që i vesh asaj që sheh, përsëri faji është është i objektit të vështrohet. Vështrimi i subjektit është sovran. Misha thotë që në një “Diksioner botëror ë fundamentalizmit”, ibotuar nga një grup autorësh francezë, është paralajmëruar për rrezikun që sjell depërtimi i “islamit arab” në Shqipëri.

Për Mishën, ky është perceptimi perëndimor dhe ai duhet pranuar si “normal”. Nëse nuk na pëlqen, faji nuk është i autorëve francezë, por i vajzave shqiptare me shami dhe i djemve shqiptarë me mjekra të gjata që i kanë çorientuar perëndimorët. Misha shkruan: “Sigurisht s’jam në gjendje të gjykoj faktet e sjella nga libri, por diçka e di: disa gjëra i kemi parasysh. Para syve tanë sa vinë e shtohen në rrugët e Tiranës të rinjtë mjekëroshë apo vajzat e mbuluara” (Misha, 2003: 126). Më i papranueshëm për Mishën është ambientimi i shqiptarëve me dukuri të tilla: “Disa vjet më parë kalimtarët kthenin kokën me çudi kur shihnin rrugës ndonjë vajzë të mbuluar, tani me ç’duket askujt s’i bën më përshtypje” (po aty). Pra, shqiptarët nuk përpiqen të sillen sipas normës së dëshiruar, ata nuk po reagojnë siç duhet të reagonin në mbrojtje të “islamit shqiptar”.

Nëse qytetarët nuk reagojnë, shteti e ka për detyrë, thotë Misha. Ai rekomandon kontroll më të madh nga ana e shtetit mbi institucionet fetare. Shteti shqiptar nuk duhet të tregohet i papërgjegjshëm e të fshehë pafuqinë e tij në emër të toleranës, por duhet të hartojë një politikë të qartë për çështjen e fesë. Në këtë kuadër ai i kthehet edhe çështjes “së harruar” të Konferencës Islamike dhe rekomandon çanëtarësimin e Shqipërisë prej kësaj organizate, sërish për hir të shëmbëlltyrës së Shqipërisë në Evropë. 

Jemi të mendimit se organet shtetërore si përfaqësuese të vullnetit të qytetarëve kanë për detyrë të dijnë se ç’ndodh me fetë në Shqipëri, të ushtrojnë kontroll dhe të parandalojnë veprime që bien ndesh me rendin kushtetues.

Mirëpo rreziku ekziston që në emër të ruajtjes së tolerancës fetare, apo të luftës kundër terrorizmit, apo të reason d’etat të dhunohet pikërisht kushtetuta mbi të cilën qëndron legjitimiteti i shtetit në kohën tonë. Orientalizmi bën të mundur trajtimin si qytetarë të dorës së dytë të një grupi të identifikuar si “islamistë radikalë”, apo përfaqësues të “islamit arab” dhe nuk është për t’u habitur që në një kohë kur klerikë myslimanë ankohen për mospërfillje nga ana e shtetit për nevoja të bashkësisë së tyre, përgjigja vjen në trajtën e dhunimit të të drejtave të tyre njerëzore nga ana e organeve shtetërore. 

Orientalizmi i intelektualëve përgatit terrenin për ushtrimin e pushtetit disiplinues shtetëror në emër të realizimit të një tipi qytetari shqiptar sipas një “norme” të caktuar “perëndimore”. Ndryshe nga Misha besojmë se, duke perifrazuar Mishel Fukonë (2000: 328), roli i mendimi intelektual në shoqërinë tonë paskomuniste duhet të jetë vigjilimi mbi teprimet e pushteteve të racionalitetit politik.

M. Nano: Myslimanët shqiptarë nuk janë myslimanë!

Mustafa Nano më 2002 boton në gazetën Shekulli artikullin me titull “Në kërkim të rrënjëve, ose në kërkim të vetvetes”.

Në fund të artikullit është vënë shënimi: “Kjo ese [bëhet fjalë për artikullin] është një variacion mbi të njëjtën temë, mbi temën e identitetit të sotëm të shqiptarëve, e cila trajtohet më gjerësisht në librin e sapopublikuar të autorit me titull Evropa destinacioni X” (Nano, 2002). Pra artikulli duhet lexuar në lidhje me problemin e integrimit të shqiptarëve në Bashkimin Evropian. Subjekti i tij është konvertimi i shqiptarëve në fenë islame, që, po të nisemi prej titullit, për Nanon ka lidhje me identitetin e tij vetjak. Nano e hap artikullin duke vërejtur shkarazi se historianët shqiptarë gjithmonë janë përpjekur ta përligjin konvertimin masiv të shqiptarëve në islam me anë të shkaqeve jashtëfetare. Ky interpretim, sipas tij, i ka rrënjët te një brerje e ndërgjegjes së historianëve të sotëm për diçka që ka ndodhur shekuj më parë. Ndoshta historianët tanë duan të shfaqësohen para Evropës për tradhëtinë që brezat e mëparshëm të shqiptarëve i kanë bërë asaj duke mos e ruajtur besimin e krishterë. Kjo nuk mund të jetë shkaku i vërtetë, thotë Nano, sepse perëndimorët nuk e gjykojnë këtë çështje më tepër se një fakt të thjeshtë historik.

Përkundrazi, “janë vetë shqiptarët të cilët ndjejnë se duhet të marrin me të mirë sentimentin e tyre religjioz të tradhëtuar” (po aty). Pra, tradhëtia nuk është aspak ndaj Evropës, por ndaj vetes dhe shqiptarët duke e ndjerë brenda vetes dyzimin krishtero-mysliman, kanë nevojë të shfaqësohen disi, duke ua lënë fajin shkaqeve jofetare.

Sepse po të ishte për shkaqe ngushtësisht fetare, ata kurrsesi nuk do ta kishin braktisur fenë e të parëve të tyre të krishterë për islamin! Nuk mund të ishin aq syleshë sa të mos dallonin epërsinë e të parës mbi të dytën. Po as konformizmi me të fuqishmin, – ajo që Kadareja në romanet me subjekt nga historia e popullit shqiptar e quan “maska e kohës” – nuk mund të jetë shkaku, sepse po të ishte kështu, atëherë ata në ditët tona të epërsisë perëndimore do të jenë gati të kthehen në të krishterë dhe ndoshta pas disa shekujsh, kur epërsia të kalojë në lindje, përsëri do të rikthehen në myslimanë. T’ia lësh fajin në derë konformizmit do të thotë që shqiptarët në vetvete të mos kenë një thelb fetar. A kanë myslimanët shqiptarë thelb fetar? Kësaj pyetjeje Nano i përgjigjet nisur nga përjetimet vetjake. Ai kujton sesi një ditë duke dalë nga Biblioteka Kombëtare, zëri i myezinit nga xhamia përballë iu duk i huaj dhe i dhunshëm. Ndjesia e së huajës dhe e dhunës shpirtërore të thirrjes myslimane për falje para Zotit krijohet nga një “vokacion e formim hëm laik, hëm perëndimor që më vjen nga thellësia e qënies sime”, thotë Nano (po aty). Por nuk është vetëm kaq, sepse Nano rrëfen se megjithëse në thelb ai është ateist, ai prapëseprapë ndjen një lloj tërheqjeje prej fesë së krishterë. Me një hop të papërfytyrueshëm, Nano përjetimet vetjake perëndimoriste” mbi fenë i përgjithëson për shumicën e shqiptarëve myslimanë: “shumica e ‘myslimanëve’ shqiptarë janë si unë, dua të them jo domosdoshmërisht ateistë, por esencialisht jo myslimanë” (po aty). Te eseja Europa destinacioni X, Nano na ka thënë se shqiptarët që  konvertuan në islam mbetën në thelb kriptolindorë, pra myslimanizmi i tyre ishte sa për sy e faqe. Mirëpo në artikullin “Në kërkim të rrënjëve…” ai me guximin për të dhënë gjykime mbi identitetin fetar të shqiptarëve të shekujve më parë, thotë se shqiptarët edhe para ardhjes së osmanëve në Ballkan kanë qenë “ca gjoja e gjysmë kristianë”

(po aty). Pra, në një çast thelbi fetar i shqiptarëve del kriptokristian, apo jomysliman dhe në një çast tjetër edhe identiteti i krishterë vihet në pikëpyetje. Si duhet kuptuar kjo? Nano përgjigjet duke thënë se ata kishin një dobësi endemike në identitetin e tyre etno-kulturor, gjë që i bëri të mos të jenë të përkushtuar ndaj fesë dhe ta ndërrojnë lehtësisht atë. Identiteti i dobët etno-kulturor, të cilin Nano e përmend edhe në esenë mbi integrimin evropian, së bashku me privilegjet pas pushtimit osman, i bëri shqiptarët gjysmë të krishterë që të përqafojnë së jashtmi fenë islame, gjithmonë duke mbetur në thelb kriptokristianë ose së paku jomyslimanë! E kemi të vështirë për ta pranuar argumentimin nanoist, aq më tepër që bazohet krejtësisht në përjetime vetjake. 

Sidoqoftë, e rëndësishme për Nanon është që t’i bindë myslimanët shqiptarë se ata realisht nuk janë myslimanë.

Rjedhimisht nuk kanë pse të merakosen për atë që ai e quan “procesi i demyslimanizimit”, sepse ai nuk po ndodh për shkak të konformizmit të imponuar prej perëndimit, por për shndërrimit vullnetar të identitetit tonë të dobët etno-kulturor: 

“‘sundimtarët’ perëndimorë me pak mundim strategjik e me ndihmën e mekanizmave lajkatues, imponues e detyrues, mund t’i rikthenin shqiptarët fët e fët në fenë e tyre të lashtë. Le që s’është nevoja fare për ndonjë aksion perëndimor. Procesi i demyslimanizimit po ndodh natyrshëm, jo vetëm si pasojë e një kuturisjeje elitare për ta injoruar këtë identitet fetar e për të rigjetur vetveten (identitetin e qëmotshëm, thonë një pjesë), por edhe nën presionin ledhatonjës të perëndimit të kamur e të fuqishëm” (po aty).

Duke mos patur në Shqipëri myslimanë të vërtetë, Nano thotë: “teza, sipas së cilës, shqiptarët janë në masën më të madhe myslimanë…ka nevojë të hidhet seriozisht në diskutim” (po aty), së bashku me shifrën 70% të myslimanëve të Shqipërisë. Ky është strumbullari i artikullit, shifra e shumës besimtarëve myslimanë. Vetëm për këtë e ka marrë mundimin Nano të futet në përsiatje mbi përbërjen e “thelbit fetar” të shqiptarëve: a është thelbi gjysmë i krishterë apo kriptokristian nuk ka shumë rëndësi për sa kohë që është jomysliman.

Ajo që na intereson te artikulli i Nanos është problematizimi i islamit ndër shqiptarët. Duke kërkuar rrënjët e vetvetes dhe të shqiptarëve, për të cilët në esenë e tij ka thënë se janë në thelb kriptolindorë, Nano ndien se duhet të merret edhe me çështjen e fesë islame dhe marrëdhëniet e shqiptarëve me islamin pikërisht tani që po gjakojnë të integrohen me perëndimin. Papajtueshmëria e islamit me perëndimin merret e mirëqenë. Katolikët dhe ortodokët mungojnë krejtësisht nga analiza, sepse ata janë “normalë”, për ata besimi fetar nuk mund të jetë pengesë. 

Vërtet, prej këtyre intelektualëve të sotëm që kërkojnë rrënjët e shqiptarëve, a është kujtuar ndonjëri të hulumtojë “arsyen” pse paraardhësit tanë paganë e përqafuan krishtërimin. Sa zgjati procesi i krishtërimit? Çfarë roli kanë luajtur shtrëngesat shtetërore (Roma dhe Bizanti) në këtë proces? Këto pyetje ngrihen për islamizimin, sepse islami konsiderohet problematik prej këtyre intelektualëve.

Nano s’e ka problem t’i quajë shqiptarët kriptolindorë, por thërret mediatikisht që myslimanët shqiptarë kurrsesi të mos quhen shumicë. Kur Nano thotë se shumica e “myslimanëve” janë jomyslimanë a e pyet veten se cilat janë karakteristikat e “myslimanëve të vërtetë”? Nga përjetimet vetjake që Nano i ndan me lexuesit mësojmë se myslimanët e vërtetë nuk janë si Nano, por nuk i dijmë përfytyrimet egocentrike të Nanos mbi myslimanët. Mos vallë, siç ironizon në replikën e tij Ervin Hatibi, “Mustafa Nano nuk gjen muslimanë nëpër Shqipëri, sepse mbase pret që t’i shohë këta të veshur me çallma apo ferexhe të zeza, të zaptojnë 70% të rrugëve, bullevardëve, dyqaneve, kafeneve me tespihe nëpër duar duke mërmëritur fraza të zgjedhura orientale nga glosari nolian, me fotografinë e Usamës brenda në xhepin e majtë të xhaketës?” (2005: 154).

Nëse në esenë e tij mbi integrimin e Shqipërisë në Evropë, Nano shqetësohet për mungesën e së vërtetës në debatin publik, përshkrimi i tij i rikonvertimeve të shqiptarëve myslimanë karakterizohet nga një ton soditës, lojnatar e pajtues. Zelli i tij në esenë Evropa, destinacioni X për t’u treguar shqiptarëve të vërtetën e tyre lakuriq mbi mitin e perëndimit, në artikullin Në kërkim të rrënjëve është shuar fare.

Në pajtim me logjikën e esesë mbi integrimin evropian do të ishte e udhës që ai në artikullin “Në kërkim të rrënjëve” t’u thoshte shqiptarëve myslimanë-në-thelb-jomyslimanë që të mos vetmashtrohen dhe të mos rreken të mashtrojnë evropianët se me t’u kthyer në të krishterë ata janë sakaq perëndimorë. E thënë shkurt, po t’i përmbahemi logjikës së esesë së Nanos, konvertimi i shqiptarëve myslimanë në të krishterë nuk mjafton për të arritur “parajsën” e quajtur perëndim. Mirëpo Nano nuk e thotë këtë, fundja për të ka rëndësi që shqiptarët mylismanë të mos quhen më myslimanë, paçka se perëndimorizmi i tyre i fituar rishtaz është sipërfaqësor, paçka se ata, rrjedhimisht, mbeten me identitet etno-kulturor të dobët, si edhe më parë. Për më tepër, në dallim nga Nano, mendojmë se konvertimi në ortodoksë i shqiptarëve myslimanë emigrantë në Greqi nuk ndodh vetëm “vullnetarisht”, por edhe nën trysninë e fuqishme të institucioneve të shtetit e kishës greke, për të cilët “homogjeniteti” kulturor dhe “normaliteti” i vendit sigurohet me anë të fshirjes nga sfera publike të identiteteve kombëtare e fetare të pakicave dhe emigrantëve. Sikur Nano ta kishte përmendur këtë, qoftë edhe kalimthi, si një fakt prej një vendi anëtar të Bashkimit Evropian ku duam të integrohemi edhe ne, ky do t’i kishte prishur gjithë ngjyrën rozë të artikullit.

 

Mjaft orientalëve!

Lëvizja Mjaft është themeluar nga vullnetarë kryesisht të brezit të ri, me qëllimin kryesor për të ngritur ndërgjegjen qytetare mbi problemet që po kalon sot Shqipëria dhe për nxitur aktivizimin qytetar për zgjidhjen e tyre. Shënjestra kryesore ku janë drejtuar shigjetat e fushatave të Mjaftit është apatia ndaj çështjeve publike, si p.sh. rrënimi i shërbimeve të shëndetësisë dhe arsimit, gjakmarrja, trafiqet dhe krimi i organizuar, varfëria dhe papunësia, diskriminimi i grave dhe grupeve të tjera të mënjanuara, papërgjegjshmëria e politikanëve dhe korrupsioni i administratës publike, ndotja mjedisore, vendnumërimi i procesit të integrimit në BE, etj. Gjatë veprimtarive të tyre sensibilizuese aktivistët e Mjaftit kanë përdorur shpeshherë klishe orientaliste për të nxjerrë në pah ndryshimin midis dukurive dhe ngjarjeve të papëlqyeshme, të shëmtuara e të dënueshme në Shqipërinë bashkëkohore dhe Shqipërisë si duhet të ishte.

Në ligjërimin e tyre ndërtimi i së shëmtuarës, i asaj që nuk duhej të ishte, kryhet me anë të perceptimeve mbi Shqipërinë e vjetër nën Perandorinë Osmane. Parrulla kryesore e lëvizjes, “Shqipëtar mos rri po duku!”, është vargu i një vjershe të njohur të poetit Andon Zako Çajupi dhe ai paraprihet prej këtyre vargjeve: “Shqipërin’ e mori turku,/ i vu zjarr”. Pra, thirrja për të hedhur tutje apatinë dhe për t’u përfshirë në protesta shoqërore ndaj gjendjes së tanishme bëhet me parrullat kombëtare kundër pushtimit osman. Ata që mbahen fajtorë për problemet mbi të cilat ka vënë gishtin Mjafti barazohen në përfytyrime me pushtuesin barbar turk që i vuri zjarrin Shqipërisë.

Një rast i përdorimit të klisheve orientaliste nga ana e Mjaftit ndodhi në vitin 2004, gjatë protestës kundër vendimit qeveritar që e shpallte bashkëshorten e kryeministrit Zonjë të Parë në protokollin zyrtar të Shqipërisë, në vend të vajzës së presidentit që e kishte gëzuar këtë status deri atëherë. Protestuesit e Mjaftit, mes të tjerash, ndërtuan një manekin nuseje, e emërtuan “Xhemile” dhe e paraqitën para ndërtesës së kryeministrisë, për të vënë në lojë ambicien e bashkëshortes së kryeministrit Nano. “Xhemile” u zgjodh si një emër me prejardhje turko-arabe që është i ngjashëm fonetikisht  emrin me rrënjë të krishterë Xhoana, emri i gruas së Fatos Nanos. Pra, “Xhoana” bëhet “Xhemile”, sikur ky i fundit të ishte nje emër turpi. Një person me këtë emër nuk e “meriton” të përfaqësojë si zonjë e parë një vend evropian që dëshiron të anëtarësohet në BE, përkundrazi duhet të fshihet dhe të mos dalë në publik.

Një vit më vonë, ndeshim sërish orientalizëm në veprimtaritë e Mjaftit. Në vazhdën e kundërshtimit të një vendimi qeveritar për ngritjen e kazinove në disa qytete të Shqipërisë, kryetari i lëvizjes, Erion Veliaj boton artikullin “Jo faleminderit, fermanit të kazinove”.

Argumenti i artikullit është se qeveria ka marrë një vendim arbirtrar pa marrë pëlqimin e bashkësive të qytetarëve që janë të prekur drejtpërdrejt prej tij. Duke besuar se lejimi i ndërtimit të kazinove do të jetë në dëmin e këtyre bashkësive, Veliaj shkruan: “nuk mjafton që [qeveria] të lëshojë një urdhër. Një komandë, një mandatë, një ferman, me të cilin të mundë të shesë me 10 milione USD 5 kazino gjysmë të gatshme për të gllabëruar para nga 5 qytetet…” (Veliaj, 2005).

Përdorimi i fjalës “ferman”dhe theksimi i saj në titullin e artikullit, shoqërojnë vendimin e qeverisë Nano me konceptin e fermaneve që lëshonte dikur sulltani prej Stambollit. Fermanet janë lëshuar mbi një llojshmëri çështjesh, por në historiografinë shqiptare i është dhënë më shumë peshë atyre fermaneve që sulltani ka lëshuar për shtypjen e kryengritjeve shqiptare dhe dënimin e pjesëmarrësve të tyre (të shpallur “fermanli”). Edhe në letërsinë e artet shqiptare konotacioni i fermanit është lidhur me prerjen e kokës së kryengritësit shqiptar (si në rastin e Ali pashë Tepelenës). Në kontekstin tonë, Veliaj u jep lexuesve të kuptojnë se kryeministri Nano ka vepruar si një despot oriental që vendin që sundon e quan mall të tijin dhe njerëzit që jetojnë aty, jo më të mirë se skllevërit. Sulltani mbetet etaloni i së keqes, së bashku me shëmbëlltyrën e “turkut” zjarrvënës dhe emrat myslimanë. (Në parantezë shënojmë edhe një rast të vonët të përdorimit të fjalës “ferman” për të shënuar veprimet abritrare të pushtetarëve, por kësaj radhe i huazuar nga Kadareja. Kur vendimi i qeverisë Nano për hapjen e tri universiteve të reja u pezullua menjëherë nga qeveria pasardhëse e Berishës, rektori i porsaemëruar i Universitetit të Durrësit, Kosta Barjaba në një intervistë televizive më 16.09.2005 e cilësoi vendimin e ministrit të arsimit “katil ferman”).

Virusi i sistemit perëndimor

Më 9 gusht 2005 gazeta Korrieri e Tiranës boton komentin “Kthimi i njeriut”, të analistit prishtinas Baton Haxhiu.

Ai na paralajmëron për një rrezik që na kanoset: vahabistët shqiptarë. Disa syresh të këtij sekti mylisman thuhet se kanë kryer disa akte vandalizmi në Kosovë. Pa e verifikuar nëse sa thuhet qëndrojnë, Haxhiut i kujtohen paralajmërimet mbi vahabistët që ka bërë dikur edhe politikani nga Tetova Arbër Xhaferri. Haxhiu është shokuar edhe prej çfarë thuhet nëpër faqet e internetit për vahabistët. Megjithëse thotë që bazat ata i kanë në Prizren e Tiranë dhe janë të përhapur kudo ndër trevat shqiptare në Maqedoni, vetë Haxhiu nuk ka takuar ndonjë syresh. Të tjerë që i njohin i kanë folur atij për ta, duke e këshilluar të bëjë kujdes me të tillë njerëz.

“Janë misionarë të Bin Ladenit dhe kanë principe të njëjta ideologjike dhe jetese. Kanë mentalitet vetëflijimi dhe e bëjnë në emër të kësaj ideologjie, duke u përqendruar në sulme kundër civilizimit dhe kulturës perëndimore dhe gjithçkaje që simbolizon të kaluarën, të tashmen dhe të ardhmen e saj. Janë edhe kundër vetive myslimane ku paraqiten elementë të civilizimit perëndimor” (Haxhiu, 2005).

Që ta qartësojmë: burimet e Haxhiut janë një thënie e Arbër Xhaferrit, lexime në faqet e internetit, thënie të njerëzve të tjerë nëpër biseda të ndryshme. Këta elementë të shpërndarë ai i bashkon në një rrëfenjë për disa djem misteriozë të një sekti me prejardhje nga Arabia Saudite, të cilët janë gati të vetëflijohen në emër të urrejtjes që kanë për perëndimin dhe elementeve perëndimore të fesë islame. Këta thuhet se janë fajtorët e shkatërrimit të disa varreve myslimane që nuk u kanë shkuar për shtat shijeve të tyre dhe të rrahjes së një misionari të Dëshmitarëve të Jehovait, veprime këto të dënueshme penalisht, por që siç duket ata i paskan shpëtuar dënimit. Bazuar mbi këto të dhëna ai ndërton një “induksion”, si më poshtë:

“Nëse është kështu siç thuhet dhe shkruhet për ta, atëherë duhet të rikthehemi te kjo çështje aq delikate dhe aq e rëndë për ne si shqiptarë. Në këtë periudhë përthyerje dhe përleshjes së rëndë të asaj që quhet kulturë perëndimore dhe lindore, po ballafaqohemi me një rrezik të rëndë brenda nesh, pikërisht për shkak të mungesës së identitetit kulturor dhe fetar. Ose thënë më qartë, përcaktimit hermafrodit që shqiptarët i bëjnë vetes në emër të diversitetit kulturor. Jemi me kulturën perëndimore, por jemi edhe myslimanë që e duam Arabinë Saudite! Ne jemi çliruar nga amerikanët, por një pjesë e jona është kundër vlerave amerikane!” (po aty; kursivi ynë).

Induksioni i Haxhiut është shembulli më i mirë se si nuk duhet ndërtuar një argument logjik, sepse përfundimet vijnë përpara fakteve. Faktet e paraprira nga disa “thuhet” janë vetëm preteksti për të rishfaqur tezën e përplasjes së qytetërimeve. Mjafton ta besojmë pët të vërtetën këtë tezë, pa faktet po nuk i gjetëm i krijojmë vetë! Edhe sikur veprimet penale t’i kenë kryer të ashtuquajturit vahabistë, nuk mund të fajësohen të gjithë besimtarët myslimanë shqiptarë. Por kjo nuk ka rëndësi për Haxhiun, sepse ai e merr si të mirëqenë që po të jesh mysliman duhet patjetër të duash me gjithë shpirt Arabinë Saudite dhe, për pasojë, nuk mund të duash edhe amerikanët pa u bërë kulturalisht hermafrodit. “Kultura” qenka diçka e dhënë njëherë e përgjithmonë dhe e pastruar nga kontradiktat dhe rasti i myslimanëve shqiptarë të dashuruar pas Amerikës është një shkarje nga norma! Për të arritur këtu Haxhiut i duhet të heshtë ndaj fakteve se nuk ka patur ndonjë filosauditizëm masiv të shqiptarëve kudo ku janë, siç ka patur filoamerikanizëm, se në SHBA ka shtetas myslimanë, se Arabia Saudite është aleatja më e ngushtë e SHBA në Lindjen e Mesme dhe të dyja shtetet janë armiq të deklaruar të rrjetit terrorist Al-Kaeda dhe të Osama bin Ladenit. Haxhiu e paraqet çështjen sikur është perëndimi ai që po i thërret shqiptarët para provimit të përcaktimit të tyre përfundimtar kulturor:

“Gjuha që po përdoret në Perëndim karshi këtij fenomeni [terrorizmit islamik] dhe kësaj frike, për ata që kuptojnë, po na determinon përcaktimin tonë karshi Perëndimit dhe vlerave perëndimore…Përcaktimi i deritanishëm hermafrodit i yni karshi fenomeneve dhe besimit kërkon përkushtim intelektual dhe kombëtar për dalje nga kjo situatë” (po aty).

Perëndimi përballë terrorizmit islamik dhe ne në mes!

Po vazhduam të hezitojmë në zgjedhjen tonë të qartë të perëndimit, thotë Haxhiu, do të konsiderohemi lindje dhe do të përjashtohemi nga rrethi perëndimor e do të luftohemi prej tij. Ose me perëndimin, ose kundër tij! Duke marrë mbi supet e veta “përkushtimin intelektual dhe kombëtar”, Haxhiu rreket të arsyetojë mbi përparësitë e zgjedhjes perëndimore mbi atë lindore. Në perëndim thotë ai, instinktet shkatërruese të njeriut u vunë nën fre nga sistemi i vlerave perëndimore, që bënë të mundur ruajtjen e individualitetit në shoqëri. Këtë sistem vlerash po mundohen ta prishin disa myslimanë bukëshkalë, që pasi kanë gjetur strehim në perëndim tani po veprojnë kundër tij.

Reagimi i natyrshëm i sistemit do të ishte flakja jashtë trupit e viruseve. Mirëpo, arsyeton Haxhiu, “kur thuhet elemente islamike, atëherë si rrjedhojë e gjuhës kjo shtrihet deri në myslimanin e fundit, që është i dyshimtë për rrezikimin e lirisë së atij vendi” (po aty). Prandaj zgjidhja që kanë shqiptarët është midis sistemit të vlerave perëndimore dhe njeriut-vetëvrasës-bombë-virus që përpiqet ta shkatërrojë nga brenda.

“Njeriu si fenomen i fuqisë individuale njëherë ka vdekur, dhe si i gjallë ka hyrë në kuadër të sistemit. Sistemi ka qenë mbrojtja dhe kultura perëndimore, e cila nuk rrezikohej nga askush. Sepse është dashur shumë kohë që të mbetet e paprekshme dhe funksionale. Bota myslimane e ktheu njeriun në jetë, por jo si fenomen të karizmës dhe fuqisë individuale, as të cilësimeve të forta për të ndërruar sistemin në vetën e parë, por e ktheu njeriun si virus të sistemit. Njeriun bombë. Njeriun vetëflijues. Ne si shqiptarë duhet të gjejmë rrugën tonë më të mirë në këtë përleshje civilizimesh. Jemi për kthimin e njeriut apo mbetjen e sistemit të vlerave (po aty: kursivi ynë)”.

Vini re: Haxhiu nuk fajëson për njeriun-bombë asgjë më pak se tërësinë e asaj që ai e ka emëruar “bota myslimane”. Si duhet kuptuar “bota myslimane”? Gjeografikisht ajo shtrihet kudo ku ka myslimanë: që nga Nju Jorku, Londra, Amsterdami, Parisi, Sarajeva, Prishtina, Tirana, Shkupi, Stambolli, Moska, Grozni, Riyadi, Teherani, Dar-al-Salami, Islamabadi, Kualalumpuri e deri në Sidnej; “bota myslimane” përfshin të gjithë myslimanët pa dallim moshe, gjinie, race, klase, kombi, mendimi, përfshin të gjallët e të vdekurit dhe ata që do të linden; si qytetërim shtrihet në kohë në gati pesëmbëdhjetë shekuj dhe në një sasi të pallogaritshme sendesh, idesh, zakonesh, shprehish dhe bashkëjeton në mënyrë sinkrone me të tjerë njerëz, sende, ide, zakone që nuk mund të quhen ngushtësisht myslimane. Pra, kjo tërësi, e pamundur të kapet plotësisht nga mendja reduktohet nga Haxhiu në njeriun-bombë.

Sipas traditës së ngulitur në gazetarinë shqiptare që gjërat të thuhen jo drejtpërdrejt, por me anën e citimit të një tjetri anonim, Haxhiu shkruan: “Miku im më thoshte se të dyja palët kanë të drejtë: edhe bota myslimane që nuk e do ndryshimin, edhe Perëndimi që dëshiron ta bëjë ndryshimin atje në emër të vlerave dhe sistemit. Kur të dy palët mendojnë se kanë të drejtë dhe nuk heqin dorë nga bindja e tyre, atëherë lufta është te dera” (po aty).

Ky miku çfarëdo i Haxhiut, alter ego-ja e tij, përdor një gjuhë kolonialiste. Sipas të menduarit kolonialist, bota myslimane nga vetë natyra e saj nuk e do ndryshimin, ajo parapëlqen batakun nuk është e aftë të ndryshojë, ndryshimi mund t’i vijë vetëm nga jashtë, prej perëndimit, ndryshim do të thotë përparim sipas modelit perëndimor, çdo model tjetër nuk quhet si ndryshim. Njëkohësisht për sa kohë që bota myslimane mbetet mylismane, modeli perëndimor nuk mund të funksionojë Eduard Said ka vënë në dukje se në orientalizëm është “gjithmonë perëndimi dhe jo krishtërimi që i kundërvihet islamit. Supozohet se ndërsa “perëndimi” është më i madh se krishtërimi dhe se e ka kapërcyer fazën e krishtërimit, fesë së tij kryesore, bota e islamit – pavarësisht prej shoqërive, historive, gjuhëve të ndryshme të saj – është akoma e zhytur në batakun e fesë, primitivizmit dhe prapambetjes. Prandaj perëndimi është modern, më i madh se shuma e pjesëve të tij, plot me kontradikta që e pasurojnë dhe prapëseprapë ai është gjithmonë “perëndimor” në identitetin e tij kulturor; ne krahun tjetër, bota e islamit nuk është më shumë se “islami” dhe është e reduktueshme në një numër të vogël karakteristikash, megjithë shfaqjen në të të kontradiktave dhe përvojave të variacioneve që duken në sipërfaqe po aq të bollshme sa ato të perëndimit” (Said, 1981: 10).

Përballë arritjeve të gjithanshme të sistemit perëndimor, bota islame ka krijuar vetëm virusin për shkatërrimin e sistemit, thotë Haxhiu. Prandaj ai këshillon: “Unë them që është më mirë të shijojmë sistemin e vlerave. Por asesi me logjikën e hermafroditit. Edhe me Perëndimin, edhe me Lindjen. Ka ardhur koha të themi të vërtetën” (Haxhiu, 2005). Në Evropën e kohës së re deri aty nga shek. XVIII hermafroditi konsiderohej si kriminel (Foucault, 1990: 38).

Në mënyrë të ngjashme edhe Baton Haxhiu kriminalizon tërë kulturën shqiptare meqë ajo nuk po mundet të bëjë zgjedhjen e duhur për nga perëndimi. “E vërteta” e Haxhiut na kërkon të heqim njërin nga organet gjinore të kulturës sonë hermafrodite dhe ai sugjeron të heqim fenë myslimane.
Operacionin duhet ta kryejnë ata intelektualë që, nën shembullin e Haxhiut, do të shqyrtojnë plot guxim “identitetin tonë fetar”.

Përfundim: Islamofobia e orientalizmit bashkëkohor

Projekti i modernizimit të Shqipërisë ka tashmë si horizont të tijin integrimin në Bashkimin Evropian dhe koncepti i “integrimit” është nyja rreth të cilit organizohet edhe ligjërimi orientalist. Në rrënjë të orientalizmit gjendet ajo që Fukoja dhe Saidi e quajnë “dëshira për të vërtetën”, që më shumë se sa dëshiron të vërtetën, dëshiron një lloj të caktuar të vërtete, ose e thënë më mirë, dëshiron që bota t’i përshtatet një përfytyrimi të caktuar të së vërtetës (Widder, 2004: 419).
“E vërteta” e orientalizmit bashkëkohor shqiptar është se bota ndahet në dy pjesë gjithmonë antagoniste, perëndim e lindje, në vijën ndarëse të cilave ndodhet kombi shqiptar.

Antagonizmi midis perëndimit e lindjes paraqitet në orientalizëm si “përplasje qytetërimesh”, si kundërshti binare që përmban, sipas çasteve të ndryshme të ligjërimit, luftën midis qytetërimit e barbarisë, përparimit me prapambetjen, të mirën me të keqen, dritën me errësirën, të ardhmen me të shkruarën, të bukurën me të shëmtuarën. Kombi shqiptar paraqitet me një identitet transhendental perëndimor, ose së paku me aspirata transhendentale perëndimore, që tani duket se më në fund do të realizohen me anë të integrimit të Shqipërisë në BE. Për këtë duhet kujdesuar që të eliminohen ndotjet kulturore lindore – tipare këto të kundërta me “normalitetin” perëndimor/evropian – që shmangjet historike kanë prurë në identitetin e tij. Hegjemonia e identitetit orientalist shqiptar në kushtet bashkëkohore sigurohet duke siguruar sa më shumë elemente që i shërbejnë integrimit dhe duke mënjanuar elementet orientale.

Rëndësi të madhe ka marrë në vitet e paskomunizmit çështja e besimit mysliman. Islami konsiderohet prej orientalistëve si fe lindore që pruri turku për përçarjen e shqiptarëve dhe largimin e tyre prej perëndimit. Islamizimi i shqiptarëve quhet incident disfatist, prej të cilit duhet të largohemi sa më parë. Paraardhësit që u islamizuan quhen opurtunistë të dhënë pas premtimeve materiale, si shqiptarë me identitet të dobët, si gjak i shprishur – pjella të haremeve të sulltanit – krahasuar me “shqiptarët e vërtetë” që nuk u konvertuan, etj. Meqë islami përbën pengesë për integrimin evropian, atëherë zgjidhjet që propozohen ndryshojnë që nga fushatat rikonvertuese shqiptare në krishterim, fshehje e tipareve dhe riteve publike të fesë islame, ulja me çdo kusht e përqindjes së besimtarëve myslimanë, në mënyrë që Shqipëria në perëndim të mos quhet një vend mysliman, mbivlerësimi i sektit “tolerant” të bektashinjve, mbrojtja prej arabizimit e “islamit shqiptar”, etj. Këtyre teknikave u shtohet edhe përdorimi i simbolikës islame për të denigruar kundërshtarin në politikë apo për të shënuar të keqen e të shëmtuarën në arte.

Zgjidhja kërkohet te zanafillat evropiane/perëndimore të kulturës shqiptare me shpresë se rimarrja, kujtesa e shpirtit perëndimor shqiptar akoma i patrazuar prej turbullirave lindore do të sjellë ndryshimin e mendësive dhe do të rikrijojë lidhjet shpirtërore me perëndimin e sotëm, sikurse Korridori 8 ndjek gjurmët e rrugës së vjetër Egnatia. Për të dhënë një shembull të kohëve të fundit, Virgjil Muçi e quan librin e fundit të Aurel Plasarit (2005) “udhërrëfyes për të mbërritur në Europë” (Muçi, 2005). Për Muçin një libër i tillë që trajton zanafillat antike dhe të krishtera të Evropës,

“përbën vështrimin më të plotë të nxjerrë nga pena e një “ballkanasi” rreth lidhjeve tona, qysh nga lashtësia e deri sot e kësaj dite, me pjesën tjetër të kontinentit, atë që tashmë në gjuhën politike e diplomatike quhet rëndom Bashkimi Europian” (po aty).

Kërkimi për zanafillat perëndimoriste të shqiptarëve na kujton një nga thëniet e Niçes: “Nderim ndaj origjinës – ky është impulsi metafizik që shfaqet ku i jep rëndësi historisë dhe bën të besohet se në zanafillën e të gjitha gjërave gjendet përsosmëria dhe thelbësorja” (Nietzsche, 2001: 142). Duket sikur integrimi i shqiptarëve në BE është një kërkesë e brezave të shkuara, një fat i shkruar në “thelbin” tonë perëndimor, që kërkon të arratisemi nga “lindja”, por në fakt është dëshira e sotme për integrimin ajo që krijon vazhdimësinë e lidhjeve tona me perëndimin.

Kujtojmë se metoda jonë gjeneologjike, përdorur në këtë artikull dhe në të tjera studime të orientalizmit shqiptar (shih Sultarova, 2005) e shpërfill kërkimin për zanafillat absolute:

“Gjeneologjia nuk pretendon të prapsohet në kohë për të përtëritur një vazhdimësi të pakëputur që vepron përtejshpërndarjes së gjërave të harruara; detyra e saj nuk ështëtë tregojë që e shkruara jeton aktivisht në të tashmen, që ajo vazhdon në mënyrë sekrete së frymëzuari të tashmen,duke i dhënë një trajtë të predeterminuar gjithë peripecive të saj…[detyra e gjeneologjisë] është të zbulojë se e vërteta, ose qenia, nuk është te rrënjët e çfarë dijmë ose çfarë jemi, por te jashtësia e aksidenteve” (Foucault, 1977: 146).

Burimet:


 

Baleta, A. (2000). “Përballë gjyqit politik-kishtar të Dom
Ndocit”. Gazeta Rimëkëmbja. Tiranë. 01.02.2000.

Baleta, A. (2002). Shqiptarët përballë terrorizmit
intelektual të Falaçit. Tiranë: Rimëkëmbja.

Chirot, D. (2001). “A Clash of Civilizations or of
Paradigms?. Theorizing Progress and Social Change”.
International Sociology 16 (3): 341-60.

Elezi, M. (2002). “Faktori shqiptar dhe stabiliteti i
rajonit”. Shoqata Shqiptare e Atlantikut. Forcimi i
marrëdhënieve dhe mirëkuptimi ndërkufitar- element i
rëndësishëm për stabilitetin në rajon. Konferenca e 7-të
ndërkombëtare e Shoqatës Shqiptare të Atlantikut. Tiranë:
Pegi.

Fallaci, O. (2001). “Mllefi dhe krenaria”. Gazeta 55.
Tiranë. 16.10.2001.

Fallaci, O. (2005). “Quello che la Fallaci ha detto alla
Polonia”. Intervistë me Padre Andzej Majewski. Gazeta
Libero. Milano. 10.08.2005.

Foucault, M. (1990). The History of Sexuality, vol. 1: An
Introduction. New York: Vintage.

Foucault, M. (2000). The Essential Works of Michel
Foucault, vol 1: Power. New York: The New Press.

Fox, J. (2001). “Clash of Civilizations or Clash of
Religions: Which Is More Important Determinant of Ethnic
Conflict?”. Ethnicities, 1(3): 295-320.

Hatibi, E. (2005). Republick of Albanania. Tiranë: Ora.

Haxhiu, B. (2005). “Kthimi i njeriut”. Gazeta Korrieri.
Tiranë. 09.08.2005

Hofman, S. R. (2004). “Islam and Democracy: Micro-Level
Indications of Compability”. Comparative Political Studies
37 (6): 652-76.

Huntington, S. (1996). The Clash of Civilizations and the
Remaking of the New World Order. New York: Simon &
Schuster.

Huntington, S. (2001). “A janë qytetërimet në luftë?”.
Politika & Shoqëria 4 (2): 89-91.

Lewis, B. (1990). “The Roots of Muslim Rage”. The Atlantic
Monthly 266 (3): 47-60.

Misha, P. (2003). “Tolerancë fetare apo papërgjegjshmëri?”.
Politika & Shoqëria 6 (1): 123-9.

Muçi, V. (2005). “Një udhërrëfyes për të mbërritur në
Europë”. Revista Klan. Tiranë. 09.09.2005.

Nano, M. (2002). “Në kërkim të rrënjëve, ose në kërkim të
vetvetes”. Gazeta Shekulli. Tiranë. 08.06.2002.

Nietzsche, F. (2001). Udhëtari dhe hija e tij. Tiranë:
Bargjini

Plasari, A. (2002). “Hotch-Potch ose dita e botës lakuriq”.
Gazeta 55. Tiranë. 08.09.2002.

Plasari, A. (2005). Rrëmbimi i Europës: Tri ese. Tiranë:
55.

Said, E. W. (1978). Orientalism. New York: Vintage Books.

Said, E. W. (1981). Covering Islam: How the Media and
Experts Determine How We See the Rest of the World. New
York: Pantheon.

Said, E. W. (2003). “Ndeshja e injorancës”. Përpjekja, 17:
45-50.

Sulstarova, E. (2005). “Drejt një metode për studimin
orientalizmit shqiptar”. Gazeta Fjala. Tiranë. 27.03.2005

Tozaj, N. (1995). “Shqipëria, një depo e municionit
islamik?”. Gazeta Zëri i Popullit. Tiranë. 10.01.1995.

Veliaj, E. (2005). “Jo fermanit të kazinove”. Gazeta
Korrieri. Tiranë. 03.03.2005.

White, S., S. Oates & B. Miller. (2003). “The ‘Clash of
Civilizations’ and Postcommunist Europe”. Comparative
European Politics, 1: 111:27.

Widder, N. (2004). “Foucault and Power Revisited”. European
Journal of Political Theory 3 (4): 411-32.


 

Enis Sulstarova, 2005 

Marre nga lista alb-muslimstudents

Permbajtja e larteshenuar paraqet refleksionet e autorit dhe qendrime te tij, te bazuara ne punen e tij te gjate analitike, hulumtuese dhe publicistike. Gjithashtu e pronesia autoriale i takon vetem autorit. Kjo permbajtje nuk paraqet domosdoshmerisht edhe qendrimet e redaksise kohaislame.com

- Advertisement -spot_img

Më tepër

Të fundit