Presidenti i Kosovës Hashim Thaçi do të takohet me kreun e Kishës Katolike në Vatikan, Papa Françeskun, të mërkurën.
Klan Kosova mëson se kreu i shtetit është i ftuar në audiencë te lideri i Selisë së Shenjtë, me ç’rast do të diskutohen disa tema. Mes tyre janë edhe ato për pajtimin shqiptaro-serb dhe harmoninë fetare dhe kulturore në Kosovë.
Po ashtu, pritet të flitet edhe për luftën kundër ekstremizmit të çfarëdo lloji ndërsa besohet se do të vlerësohet lart angazhimi i Kosovës në këtë aspekt.
Televizinioni Klan ka tentuar të marrë një konfirmim për këtë vizitë nga zyra e presidentit, po nga këtu kanë thënë se për këtë temë mund të flasin vetëm të martën.
Po ashtu, as në Ipeshkvi nuk janë deklaruar rreth kësaj vizite, me arsyetimin se kjo është një cështje mes dy shteteve, respektivisht mes Vatikanit dhe Kosovës.
Sidoqoftë, në agjendën zyrtare të Papës për ditën e mërkurën, më 27 shtator, është paraparë ajo që quhet Audiencë Gjenerale. Ky aktivitet nis në orën 10 dhe mbahet në Vatikan Siti, transmeton Klan Kosova.
Prej se është president, Hashim Thaçi u takua dy herë me Papën.
Një vizitë e këtij të fundit në Kosovë, mbetet e hapur.