“Jordania ka qenë prezentë në Kosovë që nga përfundimi i luftës dhe ka ndihmuar në ndërtimin dhe në konsolidimin e shtetit të Kosovës” ka thënë Thaçi
PRISHTINË (AA) – Presidenti i Republikës së Kosovës, Hashim Thaçi është takuar sot me mbretin e Mbretërisë Hashemite të Jordanisë, Abdullah II bin Al-Hussein, me ftesë të të cilit po qëndron në Jordani, transmeton Anadolu Agency (AA).
Siç thuhet në njoftimin nga kabineti i Thaçit, presidenti i Kosovës ka falënderuar, Abdullah II bin Al-Husseinin , për njohjen dhe përkrahjen e vazhdueshme të Jordanisë për shtetin e Kosovës.
“Jordania ka qenë prezentë në Kosovë që nga përfundimi i luftës dhe ka ndihmuar në ndërtimin dhe në konsolidimin e shtetit të Kosovës” ka thënë Thaçi, sipas të cilit është e rëndësishme që të thellohet bashkëpunimi në mes të të dyja vendeve.
“Vendet tona ndajnë interesa dhe prioritete të njëjta për paqe të qëndrueshme, për zhvillim dhe bashkëpunim në fushën e sigurisë”, tha presidenti Thaçi, thuhet në njoftim.
Mbreti i Jordanisë, Abdullah II bin Al-Hussein, ka falënderuar presidentin Thaçi për vizitën e tij në Jordani të cilën e ka vlerësuar si të domosdoshme në thellimin e bashkëpunimit në fusha të ndryshme, si në atë të arsimit, kulturës dhe të sigurisë.
Gjatë ditës, Thaçi, ka marrë pjesë edhe në hapjen e Forumit Ekonomik Botëror për Lindje të Mesme dhe Afrikë të Veriut, që këtë vit organizohet nga Jordania.