Presidenti i vendit, Hashim Thaçi gjatë konferencës për media ka folur edhe për liberalizimin e vizave për Kosovën dhe qytetarët e saj.
Ai ka porositur opozitën se nuk duhet të ketë dallime pozitë-opozitë rreth kësaj çështje.
“Secili lider, deputet, ministër bartës i institucioneve apo edhe partitë opozitare kanë meritat e tyre në këtë rrugë . Thërras të gjithë politikanët dhe partitë politike që të kemi një qëndrim të disiplinuar dhe që me një zë të flasim që të arrijmë liberalizimin e vizave për një kohë shumë të shkurtë brenda disa muajve”, ka thënë presidenti Thaçi.
“Kemi marrë mesazh të qartë se nëse ne si institucione të Kosovës nuk do të jemi të bashkuar për këtë temë për liberalizimin e vizave dhe të argumentojmë qartë plotësimin e kritereve, atëherë rrezikohet që i gjithë procesi të shtyhet deri më 2020. Ftoj të gjithë të ngritemi mbi çdo interes individual, partiak, dhe të bashkëpunojmë rreth kësaj çështje, të mos ketë dallime në takimet e përbashkëta me bashkësinë ndërkombëtare, të gjithë duhet të jemi të unifikuar rreth liberalizimit të vizave”, tha Thaçi.
Presidenti Thaçi ka folur edhe rreth çështjes së dialogut me Serbinë, ku ka theksuar se në SHBA ua ka përcjellur sipas tij kërkesën legjitime të Preshevës, Bujanocit e Medvegjës për bashkim me Kosovën.
Thaçi ka përmendur edhe takimin e shkurtër me presidentin amerikan Donald Trump, ku ka thënë se Trump mbështet progresin e Kosovës.
“Për takimin e shkurtët me presidentin Trump, mund të them se presidenti Trump e njeh Kosovën, e ndjejnë dhe e mbështet progresin e Kosovës. SHBA i kanë dhënë mbështetje të plotë një marrëveshje të qëndrueshme, që nënkupton njohje reciproke dhe demarkimin e plotë”, ka thënë Thaçi.
Ai ka shtuar se dialogu dialogu do të vazhdojë vetëm si dy vende të pavarura, ku edhe u ka bërë sërish thirrje partive opozitare që të bëhen pjesë e dialogut.
“Do ishte me rëndësi që të përfshihen të gjitha palët. Beteja me Serbinë zhvillohet sot në tavolinë e jo nga studiot televizive. Askush nuk është i përjashtuar, secili duhet të marrë guximin dhe ti shpreh mendimet e tyre. është koha që të jemi unik përball Serbisë”, u shpreh presidenti Thaçi.