Para nisjes së bisedimeve politike me Serbinë, Kosova do të ketë nevojë për një unitet dhe mekanizma gjithëpërfshirës nga i gjithë spektri politik, ka thënë në një intervistë për Radion Evropa e Lirë, kryeministri i Republikës së Kosovës, Hashim Thaçi. Ndërkaq në lidhje me koalicionin aktual, ai ka thënë se nuk do të ketë prishje të këtij koalicioni, por mund të ketë zgjerim të tij me ndonjë subjekt tjetër politik.
RADIO EVROPA E LIRË
Zoti kryeministër, për pak ditë pritet që të merret vendimi për përmbylljen e fazës së mbikëqyrjes ndërkombëtare të pavarësisë. Sa, në fakt, Qeveria juaj dhe institucionet e Kosovës, janë të gatshme që të marrin nën udhëheqësi të plotë të gjitha kompetencat që do të transferohen atë ditë?
HASHIM THAÇI
Realisht, kanë mbetur edhe dy javë deri në përmbylljen e mbikëqyrjes së pavarësisë së Kosovës, një sukses ky i jashtëzakonshëm i të gjitha institucioneve të Republikës së Kosovës, në nivel qendror dhe lokal; një sukses ky i reformave të thella demokratike që kanë ndodhur në këto katër vjet e gjysmë në Kosovë.
Qeveria e Kosovës ka kryer të gjitha obligimet karshi përmbylljes së mbikëqyrjes së pavarësisë. Presim tash, me fillimin e punimeve të Kuvendit të Kosovës, që të ndodhin edhe ndryshimet kushtetuese, të nevojshme për përmbylljen me sukses të këtij procesi.
Më 10 shtator definitivisht do të përmbyllet gjithçka. Do të ketë shumë delegacione të jashtme, mbështetëse të pavarësisë së Kosovës, që do të marrin pjesë në këtë ceremoni, e cila për Kosovën është një histori e re, është një festë, është një mesazh për suksesin e së kaluarës, por është edhe mesazh para së gjithash për të ardhmen evropiane të Kosovës.
RADIO EVROPA E LIRË
Ju dëgjuam të premten kur edhe bëtë thirrje për unitet politik në këtë ditë. A konsideroni se e keni këtë unitet, që pavarësia e plotë, në njëfarë forme, kushtimisht ta quajmë, ta gjejë Kosovën unike sa i përket interesave të saj?
HASHIM THAÇI
Për shtet-ndërtimin, për reformat zgjedhore, për perspektivën evropiane dhe shumë agjenda tjera që ndërlidhen drejtpërdrejt me interesat e shtetit, me jetën e të gjithë qytetarëve të vendi,t për bërjen e Kosovës më të konsoliduar dhe më të forcuar, meritat ju takojnë të gjithëve në bazë të kontributit.
Merita më e madhe u takon të gjithë qytetarëve të vendit, që kanë kontribuar jashtëzakonisht shumë për lirinë, pavarësinë dhe konsolidimin e saj.
Prandaj, spektri politik po merr përgjegjësitë e veta, përgjegjësi këto reflektuese për përmbylljen me unitet të plotë, politik dhe qytetar, të mbikëqyrjes së pavarësisë.
Ne kemi qenë bashkërisht në kohë të krizës, në kohë të luftës, të paqes, të statusit politik dhe kemi fituar, prandaj edhe tash kam besim të plotë që të bashkuar do të dalim edhe më të konsoliduar dhe më të fuqishëm. Është momenti që secili, në këto çaste historike për vendin tonë, t’i lëmë anash interesat personale, interesat grupore, partiake dhe secili të punojë në përputhshmëri me Kushtetutën dhe ligjet tona dhe të punojnë në përputhshmëri me interesat e shtetit dhe vullnetit të qytetarëve të Kosovës. Prandaj, unë shpresoj në vullnetin e mirë, në energjinë pozitive të spektrit politik kosovar.
RADIO EVROPA E LIRË
A konsideroni se do ta keni këtë unitet politik edhe në kuadër të bisedimeve të ardhshme të paralajmëruara në nivele politike me Beogradin? A konsideroni se do të përsëriten sërish ekipet e unitetit apo Qeveria juaj do t’i marrë përsipër përgjegjësitë dhe do të vendosë vetë për këtë dialog?
HASHIM THAÇI
Qeveria e Republikës së Kosovës do t’i marrë përgjegjësitë që i takojnë në bazë të Kushtetutës dhe ligjeve. Ajo që është inkurajuese edhe për mua dhe për të gjithë, në veçanti për partnerët ndërkombëtarë, që na kanë ndihmuar në bërjen e Kosovës së lirë, të pavarur, sovrane dhe tash mbështetëse të fuqishme për perspektivën evropiane, është se të gjithë pajtohen që duhet të ketë normalizim të marrëdhënieve ndërmjet shtetit të Kosovës dhe Serbisë. Ky normalizim do të nënkuptonte fqinjësi të mirë ndërmjet shtetit tonë dhe shtetit fqinj të Serbisë; do të nënkuptonte njohjen reciproke mes dy vendeve që është në interesin e dy shteteve dhe popujve tanë; do të nënkuptonte dëmshpërblimin për pasojat e luftës për Kosovën nga Serbia, si dhe kërkim-faljen nga Serbia në të ardhmen për gjenocidin që ka kryer në Kosovë.
Në këtë drejtim mendoj se ndajmë opinione të përbashkëta me gjithë spektrin politik kosovar, ani pse ka zëra të ndryshëm brenda skenës politike kosovare, por të gjithë janë të vetëdijshëm se pa fqinjësi të mirë me të gjitha vendet e rajonit nuk mund të ketë perspektivë euroatlantike. Prandaj, këto janë edhe parakushte të domosdoshme, jo vetëm për Kosovën, por për secilin.
Unë dua të besoj që do të ecim bashkërisht, si në politikë, si shtet, si shoqëri edhe në të ardhmen tonë evropiane.
RADIO EVROPA E LIRË
Teknikisht, a ka nevojë që Kosova të ketë, ta zëmë, një grup uniteti siç e kishte në Vjenë?
HASHIM THAÇI
Tash kanë ndryshuar rrethanat. Kosova është e pavarur dhe sovrane. Unë i ftoj të gjithë t’i marrin përgjegjësitë që u takojnë në bazë të legjitimitetit qytetar. Jemi të përfaqësuar të gjithë në Parlament. Gjithmonë, kur kemi qenë të bashkuar, kemi fituar. Domethënë kur kemi qenë të unifikuar, suksesi nuk ka munguar. Prandaj, është koha për një rimendim, për riunitet.
Qeveria do të vazhdojë në përputhshmëri me kompetencat e veta, t’i bartë angazhimet që i takojnë, ndërsa duhet të potencojë se dialogu ndërmjet Qeverisë së Republikës së Kosovës me serbët në veri është një çështje më vete, është një obligim kushtetues dhe ligjor, të cilin ne do ta kryejmë, që nënkupton sundim të ligjit në veri, demokraci, lëvizje të lirë, zgjedhje të lira, lidership legjitim, si dhe investime socio-ekonomike.
Ndërsa, spektri tjetër i normalizimit të marrëdhënieve mes shtetit të Kosovës dhe Serbisë, është një çështje gjithashtu më vete, por që koha, përgjegjësia dhe sensiviteti kërkojnë një inkorporim më gjithëpërfshirës të spektrit politik, dhe të njerëzve me ndikim në opinionin publik, dhe një bashkëpërgjegjësi.
Se si do të funksionalizohen këta mekanizma, në të ardhmen, nga Parlamenti apo ndërpartiak, është çështje që duhet të diskutohet nga spektri politik. Por, unë do t’i dëgjoj me vëmendjen më të madhe opozitën se si mund të kontribuojnë dhe se si ta do të akomodohen apo do të ndiejnë veten mirë dhe meritor në kryerjen e këtyre përgjegjësive shtetërore.
RADIO EVROPA E LIRË
Zoti kryeministër, ditëve të fundit është folur shumë edhe për koalicionin qeverisës. A ka nevojë në prag të këtij dialogu që Kosova të ketë një koalicion tjetër, një koalicion, siç quhet, më të fuqishëm politik, para nisjes së këtyre bisedimeve?
HASHIM THAÇI
Kosova kurrë ndonjëherë në historinë e vet nuk ka pasur ndonjë Qeveri më efektive, më efikase dhe më mirë funksionale. Është një ekip i ri i njerëzve të rinj, kryesisht të edukuar në perëndim dhe të dëshmuar në punët në vend – njerëz që kanë përkushtim dhe kanë kurajë për të punuar. Natyrisht, gjithmonë ka hapësirë për përmirësime – kemi bërë mjaft, por duhet bërë edhe më tepër. Edhe opinionet e qytetarëve i dëgjoj me vëmendje.
Koalicion të ri nuk do të ketë para zgjedhjeve të rregullta nën afatin kushtetues, gjithmonë ka hapësirë për zgjerim dhe forcim të institucioneve. Partnerët e koalicionit e respektojnë kontratën e arritur, ndërsa sa i përket marrjes së përgjegjësive, në nivele politike, natyrisht se do të punojmë me gjithë spektrin politik./RADIOEVROPAELIRE/kohaislame