Sulmi në afërsi të Ankarasë, jetëhumbje e të plagosur
Autoritetet turke njoftuan të mërkurën se një sulm terrorist ishte kryer në selinë e kompanisë Turke të Hapësirës Ajrore (TUSAS) pranë kryeqytetit Ankara, ndërsa mediat lokale raportuan për një shpërthim të fuqishëm në atë vend dhe shfaqën pamjet e shkëmbimit të zjarrit.
Ministri i Brendshëm turk Ali Yerlikaya tha, siç raporton Reuters, se të paktën tre persona u vranë, 14 u plagosën dhe se të paktën dy sulmues u vranë. Më herët, Reuters raportoi deklaratën e kreut të provincës Kahramankazan, Selim Cirpanoglu, i cili tha për mediat turke se tre persona kanë humbur jetën, ndërsa pesë janë plagosur.
“Një sulm terrorist është kryer në objektet e TUSAS në Kahramankazan, Ankara. Fatkeqësisht kemi njerëz të vrarë dhe të plagosur”, ka shkruar Yerlikaya në rrjetin social X menjëherë pas sulmit.
Shkaku i shpërthimit dhe të shtënat që pasuan janë ende të paqarta, me disa media pretendojnë se ishte një sulm vetëvrasës.
Pamjet e kamerave të sigurisë, të transmetuara në televizion, tregojnë një burrë me rroba civile duke mbajtur një çantë shpine dhe një pushkë automatike. Të paktën një grua, gjithashtu me një pushkë sulmi, ishte në mesin e sulmuesve, treguan pamjet.
Panairi i industrisë së mbrojtjes dhe aviacionit
AFP shkruan se pamjet nga skena e transmetuara nga mediat lokale fillimisht treguan re të mëdha tymi dhe një zjarr të madh që shpërtheu në vendin në Kahramankazan, një qytet i vogël rreth 40 kilometra në veri të Ankarasë.
TV Haberturk njoftoi se po ndodhte një “situatë pengjesh” pa dhënë detaje të tjera, ndërsa televizioni privat NTV raportoi të shtënat pas shpërthimit që ndodhi rreth orës 16:00 me orën lokale.
Sipas AFP, askush nuk mori përgjegjësinë për sulmin dhe Ministria e Drejtësisë e Turqisë hapi një hetim për incidentin.
Gazeta Sabah, siç shkruan AFP, publikoi në llogarinë e saj X një foto të marrë nga kamerat e vëzhgimit në hyrje të ndërtesës, ku shihet një i ri i veshur me të zeza, me një çantë shpine dhe atë që duket të jetë një mitraloz, me fjalët: “Ky është një nga terroristët që sulmuan # TUSAŞ.”
Shpërthimi ndodhi ndërsa në Stamboll po mbahet një panair i madh tregtar i industrisë së mbrojtjes dhe aviacionit, i cili u vizitua edhe nga kreu i diplomacisë ukrainase këtë javë.
Sektori i mbrojtjes i Turqisë, i njohur gjerësisht për dronët e tij Bayraktar, përbën gati 80 për qind të të ardhurave të vendit nga eksporti, me të ardhura që pritet të kalojnë 10.2 miliardë dollarë në vitin 2023.
Turkish Aerospace Industries Inc. është një qendër teknologjike për projektimin, zhvillimin, prodhimin, finalizimin, rinovimin dhe shërbimet pas shitjes së platformave ajrore në Turqi. Kompania prodhon pjesë për avionin më të madh të pasagjerëve në botë, Airbus A380, dhe aeroplanin e transportit ushtarak, Airbus A400M, sipas mediave turke.
Sulmet e mëparshme
Ministri i Transportit Abdulkadir Uraloglu “dënoi sulmin terrorist në objektet e Turkish Aerospace Industries Inc. (TUSAŞ) në Ankara”.
“Zoti i mëshiroftë dëshmorët tanë dhe të plagosurit tanë të shërohen shpejt”, shtoi ai në X.
Lideri i opozitës dhe kryetari i CHP-së Özgür Özel gjithashtu dënoi “sulmin terrorist”, duke shkruan në X: “Unë e dënoj terrorizmin, pavarësisht se nga kush dhe nga vjen.”
Sulmi i fundit i regjistruar në Turqi ndodhi në janar kur një person u vra në një kishë në Stamboll dhe ku ISIL mori përgjegjësinë.
Më parë, Partia e Punëtorëve të Kurdistanit (PKK) në luftën e armatosur kundër qeverisë kreu një sulm në Ankara përpara stacionit të policisë në tetor 2023, në të cilin dy sulmues u vranë dhe dy policë u plagosën. /tesheshi.com/