Dje (20 shkurt 2023) ranë edhe dy tërmete të tjerë në zonën e Antakias, më i forti prej tyre me shkallë 6.4 sipas shkallës së Rihterit. Një aktivitet i tillë sizmik është i zakonshëm për këtë zonë. Zona nga Antakia e deri në Haleb për të vazhduar në më në veri e deri në Armeni dhe Azerbajxhan është një vatër e nxehtë tërmetesh historikisht.
Nuk është çudi që tërmetet në zonë të vazhdojnë sistematikisht edhe për dy vjet të tjerë. Në të kaluarën, kjo zonë ka pasur aktivitete të tilla sizmike. Një nga periudhat me më shumë tërmete shkatërrues në këto zonë ka qënë periudha e shekullit të gjashtë sipas hixhretit (shek. XII gregorian). Në këtë shekull, një valë dyvjeçare tërmetesh e ka goditur dy herë këtë zonë. Vala e parë ka ndodhur mes viteve 532-534 h. dhe e dyta mes viteve 552-554 h.
Tërmeti më shkatërrues i valës së parë ka qenë tërmeti i madh i Halebit, në vitin 533 h. (1138 e.s.). Ai u parapri nga një tërmet tjetër i madh në zonën e el Xhezira, një zonë historike që shtrihet mes dy lumenjve Tigër dhe Eufrat dhe përfshin toka në Turqinë e sotme, Siri dhe Irak. Përpara tërmetit të madh të Halebit ra edhe një numër i madh tërmetesh mesatarë dhe të fortë, më i forti prej të cilëve ishte tërmeti i Xhezirës në vitin 532 h. (1137 e.s.) Për shkak të tërmeteve të shumtë që ndodhën në të, viti 533 h. u quajt viti i tërmeteve.
Historiani i njohur arab Ibën Ethiri, në historikun e tij me titull “El kamil” thotë: “Në muajin sefer të këtij viti (533 h.) ra një numër i madh tërmetesh të fuqishme në Sham, në Xhezira (zona mes Tigrit dhe Eufrait) dhe në vende të shumtë. Më të fuqishëm ishin tërmetet e Shamit, të cilat ndodhën një pas një për një periudhë dhjetë ditore, çdo ditë nga dhjetë goditje.
Shumë qytete u shkatërruan, sidomos qyteti i Halebit. Banorët e Halebit e braktisën qytetin atëherë kur tërmetet u shtuan dhe u shpërngulën në shkretëtirë. Në një natë të vetme prej këtyre netëve numëruan plot 80 goditje. Këto tërmete vazhduan sistematikisht në Sham nga 4-19 të muajit sefer. Tërmetet u shoqëruan me ushtima dhe lëkundje të forta”. Mbaroi fjala e Ibën Ethirit.
Kemaludin ibën Adimi, një tjetër historian i shekullit të VII, thotë: “Në ditën e enjte, në datë 13 sefer, ra një tërmet i fuqishëm që u ndoq edhe nga një tjetër. Tërmetet vazhduan gjatë. Njerëzit e braktisën qytetin e Halebit dhe u vendosën në zona të hapura. Gurët e mureve bllokuan rrugët. Njerëzit dëgjuan dy gjëmime të fuqishme. Kështjella e Ataribit u rrënua, duke shënuar 600 viktima nga muslimanët. Valiu i qytetit shpëtoi bashkë me një numër të vogël. Shumica e qyteteve u shkatërruan; Shihu, Tel Imadi, Tel Halidi dhe Zerdana.
Toka u pa të dallgëzohej dhe gurët e saj të kërcenin ashtu si gruri kur sitet. Në Haleb u rrënuan shumë shtëpi, u dëmtuan muret rrethuese dhe muret e kalasë.
Atabeku (sulltani) u drejtua drejt lindjes për t’u vendosur në Mosul. Tërmetet vazhduan për shumë kohë. Disa i numëruan 80 tërmete.” Shkëputur nga Historiku i Halebit me autor Kemaludin ibën Adim (vd. 680 h.).
Shumë historianë të tjerë i kanë përmendur tërmetet e Halebit në vitin 1138 e.s. me hollësi. Prej tyre kronikani i kohës Ibën Kalanisiu, i cili përshkruan me hollësi tërmetet e ndodhur në një periudhë 20 ditore. Numri i viktimave është llogaritur 230.000 të vdekur. Ai u shtri deri në thellësi të Ruhas (Edesa e vjetër, sot Urfa) dhe është llogaritur të ketë pasur mbi 8 shkallë sipas Rihterit.
Një vit pas tërmetit të madh të Halebit (tetor 1138 e.s) ndodhi edhe tërmeti i madh i Ganxhës, në Azerbajxhan (shtator 1139 e.s.). Ai ishte një tërmet ekstrem që shkaktoi rrënime masive në Azerbajxhan, Armeni dhe Gjeorgji. Vlen të theksojmë se zona nga Antakia e gjer në Armeni është pikëtakimi i tre pllakave të mëdha tektonike; Pllakës Arabe, Pllakës Euroaziatike dhe Pllakës Anatoliane.
Tërmeti i Ganxhës ishte katastrofik duke shkaktuar 230.000 – 300.000 viktima dhe duke rrafshuar dhjetra fshatra e qytete. Ai ishte tërmeti i tretë dhe i fundit katastrofik i një periudhe dy vjeçare dhe mes tij dhe tërmetit të Halebit historianët kanë numëruar një numër të pafund tërmetesh të mesëm dhe të fortë.
Vala e dytë sizmike ndodhi pas dy dekadash në vitin 552 h. (1157 e.s). Kjo valë gjithashtu zgjati për gati dy vjet. Tërmeti më i fortë i kësaj vale ishte tërmeti i Hamasë në gusht të vitit 1157. Ai njihet ndryshe edhe si tërmeti i Nuredin Zenkiut.
Historiani arab Ibën Ethiri, në historikun e tij, e përshkruan kështu këtë tërmet:
“Në këtë vit (552 h.) në muajin rexhep, në Sham ranë tërmete të shumtë dhe të fuqishëm që shkatërruan shumë qytete. Viktimat ishin aq të shumta sa nuk është arritur të numërohen. Tërësisht u rrënuan Hamaja, Sheizeri, Kefër Tabi, Mearra, Efamia, Kalaja e Kurdëve, Arka, Ladhikija, Tripoli, Antakia.
Ndërsa vendet që u shkatërruan pjesërisht ose masivisht shtriheshin në të gjithë Shamin. Muret e qyteteve dhe të kështjellave u rrënuan. Nuredin Mahmudi (sulltani i Shamit) ndërmori masa të lëvdueshme, nga frika e sulmeve të frëngëve kundër qyteteve të Shamit. Ai mobilizoi ushtrinë dhe u vendos në pikat kufitare duke sulmuar frëngët për t’u dhënë mundësi njerëzve të riparonin bedenat dhe kalatë e qyteteve. Ai qëndroi në këtë ekspeditë ushtarake derisa punimet meremetuese u përfunduan tërësisht”.
Vlejmë të theksojmë se të dy valët e tërmeteve kanë ndodhur në zona që ndaheshin mes muslimanëve dhe shteteve të vogla që kishin formuar kryqtarët. Antakia, Tripoli, Ladhikija dhe Suri ishin qytete që kryqëzatat i kishin marrë para disa dekadash dhe në to kishin themeluar koloni kryqtare që ishin të lidhura me Mbretërinë e Jeruzalemit, kryeqendrën e kryqtarëve. Sidoqoftë dëmet në zonat e muslimanëve ishin më të shumta, për shkak të shtrirjes së gjerë të tyre.
Viktimat ishin aq të shumtë në numër sa studiuesit nuk kanë mundur të japin një numër qoftë edhe të përafërt. Kjo valë tërmetesh ishte e fuqishme njësoj si vala e parë. Për të pasur një përfytyrim më të qartë të dëmeve njerëzore mjafton të përmendim këto fjalë të Ibën Ethirit:
“Në lidhje me numrin e madh të viktimave mjafton të përmendim vetëm këtë histori. Një mësues në qytetin e Hamasë, doli nga shkolla për të kryer një punë dhe në ato momente ra tërmeti që shkatërroi qytetin. Shkolla u rrënua dhe të gjithë fëmijët vdiqën. Mësuesi thotë: Askush nuk erdhi të pyeste për ndonjë fëmijë”. Historiku i Ibën Ethirit, vëll. 9, f. 237. Ka për qëllim që jo vetëm nxënësit, po edhe prindërit dhe të afërmit kishin vdekur, prandaj askush nuk u interesua për të pyetur për fëmijët.
Historiani tjetër Imadudin Asfahaniu na jep një pasqyrë të plotë të katastrofës në qytetin e Sheizerit (pranë Hamsë) i cili shkaktoi vdekjen e familjeve të tëra në qytet.
Ndëra Ibën Kethiri, Allahu e mëshiroftë, në librin e tij “El bidaje uen nihaje”, thotë: “Në këtë vit (552 h.) ra një tërmet i madh në Sham. Të vdekurit ishin aq shumë sa vetëm Allahu i di. U shkatërrua shumica e Halebit, Hamasë, Sheizerit, Himsit, Kefër Tabes, Kalasë së Kurdëve, Ladhikijes, Mearres, Afamias, Antakias dhe Tripolit.
Ibën Xheuziu thotë: Sheizeri u rrënua tërësisht dhe thuhet që vetëm një grua e vetme me shërbëtorin e saj shpëtoi nga i gjithë qyteti”. El bidaje uen nihaje vëll. 16 f. 381.
Lëkundjet vazhduan në të gjithë zonën për një kohë të gjatë. Pas një dekade tjetër, në vitin 1170 e.s. ra edhe një tërmet tjetër shumë i fuqishëm në Hama dhe në zonat përreth.
Tërmete të mëdha dhe shkatërrues në këtë zonë ka pasur vazhdimisht, në çdo shekull. Nuk është çudi që kjo zonë ta ketë rritur aktivitetin e saj sizmik pas tërmeteve të fundit në Turqi dhe Siri. Çarjet masive të tokës dhe goditjet e vazhdueshme dëshmojnë që tërmetet do të vazhdojnë të paktën për një periudhë disa mujore. Madje, mund të thuhet që tërmetet e ndodhura ishin vetëm paralajmëruese dhe se një tërmet edhe më i madh mund të ndodhë. Disa historianë kanë përmendur që tërmeti i Halebit u parapri nga disa goditje të forta, përpara goditjes fatale.
Nuk është çudi që në ditën në vazhdim të dëgjojmë për tërmet në Azerbajxhan, në Lindje të Turqisë ose në brendësi të Shamit. Këto janë thjeshtë skenarë të mundshëm. Parashikimet dhe përllogaritjet e sakta janë të pamundura. Sizmiologët përpiqen të japin vetëm disa skenare, bazuar në të dhënat historike dhe në ato aktuale. Aktiviteti sizmik matet me aparate, vetëm atëherë kur ndodh, por nuk është i vëzhgueshëm nën tokë. Studiuesit nuk e kanë akoma të qartë plotësisht se si lëvizin ekzaktësisht pllakat tektonike dhe rrjedhimisht nuk mund të parashikojnë asgjë.
Sidoqoftë një aktivitet sizmik që mund të zgjasë një ose dy vite është shumë normal dhe i mundshëm, sepse ngjarje të tilla kanë ndodhur edhe në të shkuarën dhe historia është gjithmonë dëshmi për të tashmen.