3.8 C
Pristina
Monday, December 23, 2024

Teologë myslimanë e të krishterë simpozium shkencor “Krijimi dhe njeriu si kujdestar i tij”

Më të lexuarat

Ditën e enjte me datë 12 maj 2016 është zhvilluar simpoziumi “Krijimi dhe njeriu si kujdestar i tij”, organizuar si një aktivitet i përbashkët i shkollave teologjike, islame e të krishtera dhe pikërisht nga Departamenti i Shkencave Islame në Universitetin Bedër, Instituti Teologjik Katolik në Seminarin Ndërdioqezian, Shkodër dhe Akademia Teologjike Ortodokse, Durrës, mbajtur në ambientet e kësaj të fundit në Shën Vlash, Durrës.

Simpoziumi është përshëndetur nga Dekani i Akademisë Teologjike Orthodhokse Hirësi Nikolla Hyka, rektori i Universitetit Bedër Prof. Dr. Ferdinand Gjana, Drejtori i Institutit Teologjik Katolik Atë Mario Imperatori, si dhe peshkopi i Kishës Ortodokse Shqiptare të Amerikës në Boston, Hirësi Ilia. Më pas simpoziumi ka vazhduar me kumtesat e referuesve, ku si fillim ka referuar pedagogu në Departamentin e Shkencave Islame në Universitetin Bedër z. Veton Tulla me temë “Krijimi është kryeargumenti i ekzistencës së Zotit” dhe më pas kanë referuar edhe z. Lorenzo Rosseti, pedagog në Institutin Teologjik Katolik me temë “Kujdesja e natyrës për një përparim të vërtetë”, si dhe z. Natan Hoppe, pedagog në Akademinë Teologjike Ortodokse me temë “Krijmi, kungim me Zotin”.
“Krijimi dhe njeriu si kujdestar i tij”, ka qenë tema e përbashkët e këtij simpoziumi, ku tre referuesit kanë dhënë argumentet e tyre teologjike dhe filozofike, lidhur me krijimin dhe përgjegjësitë e njeriut, si krijesa më e përsosur e Zotit.
Pas referimeve është zhvilluar edhe një seancë me pyetje dhe përgjigje nga studentët e pranishëm, drejtuar referuesve të këtij simpoziumi.

Në këtë aktivitet të përbashkët merrnin pjesë gjithashtu edhe Prof. Dr. Ajhan Tekinesh, dekan i Fakultetit të Shkencave Humane në Universitetin Bedër, Dr. Genti Kruja, pedagog në Departamentin e Shkencave Islame & drejtor i Kulturës dhe Dialogut Ndërfetar në KMSH, Dr. Atakan Derelioglu, përgjegjësi i Departamentit të Shkencave Islame në Universitetin Bedër, si dhe pedagogë e studentë nga të tre shkollat teologjike.

Krahas simpoziumit drejtues të lartë akademikë të këtyre institucioneve arsimore kanë zhvilluar edhe një takim pune, ku kanë diskutuar për rëndësinë e këtyre aktiviteteve të përbashkëta për të forcuar kështu bashkëpunimin dhe frymën e dialogut, vazhdimësinë e tyre, si një rrugë e sigurt drejt së ardhmes, rëndësinë e familjes, si një institucion i shenjtë dhe i patjetërsueshëm, si dhe tema të tjera. Ata kanë vizituar gjithashtu edhe ambientet e kompleksit të Manastirit të Shën Vlashit, auditorët, bibliotekën, etj.

Ky organizim vjen pas një fillimi të një bashkëpunimi akademik midis shkollave të larta teologjike, si seminare dhe leksione të hapura me studentët e secilës shkollë dhe së fundmi edhe simpoziumi “Liria e besimit dhe dialogu ndërfetar në Shqipëri”, organizuar para disa kohësh nga tre institucionet e larta teologjike, mbajtur në Universitetin Bedër./dritaislame/

- Advertisement -spot_img

Më tepër

Të fundit