-0.3 C
Pristina
Wednesday, December 25, 2024

Tensionet në veri të Kosovës, mes ushtrisë serbe dhe zyrtarë rus

Më të lexuarat

Prania e zyrtarëve rusë në objektet e ushtrisë serbe, që ndodhen në kufirin midis Serbisë dhe Kosovës, është një mesazh konfuz nga Beogradi, që mund të dënohet nga vendet perëndimore, thotë për Radion Evropa e Lirë analisti serb i politikës së jashtme, Boshko Jakshiq.

Qysh më 20 mars, serbët në veri të Kosovës kanë bllokuar dy vendkalimet kufitare që ndodhen në këtë zonë – Jarinjën dhe Bërnjakun – për shkak të vendimit të Qeverisë së Kosovës për masa reciprociteti ndaj automjeteve me targa të Serbisë.

Me këtë vendim, të gjitha automjetet nga Serbia që hyjnë në Kosovë, duhet të pajisen me targa të përkohshme. Për të monitoruar procesin, në kufijtë në veri është vendosur edhe njësia speciale e Policisë së Kosovës.null

Masa të ngjashme ndaj automjeteve me targa të Kosovës, Serbia zbaton tash e sa vite.

Më 26 shtator, ministri i Mbrojtjes i Serbisë, Nebojsha Stefanoviq, dhe shefi i Shtabit të Përgjithshëm të Ushtrisë Serbe, Millan Mojsilloviq, kanë vizituar disa ushtarë serbë, që janë vendosur në gjendje të gatishmërisë luftarake në bazën ushtarake të Rudnicës. Kjo bazë gjendet pranë qytetit të Rashkës në Serbi, rrugës për në pikën kufitare të Jarinjës.

Me ta ka qenë edhe ambasadori i Federatës Ruse në Beograd, Aleksandr Botsan-Kharchenko, si dhe i dërguari rus për mbrojtje, Aleksandr Zinchenko.

Është thënë se ata kanë shkuar atje që “të binden personalisht për situatën aktuale”.

Jakshiq vlerëson se kjo është një pikë diplomatike për Moskën, por dështim i Beogradit.

“Moska vazhdon ta përdorë me sukses konfliktin e Kosovës si kanalin më të rëndësishëm për zgjerimin e ndikimit të saj. Në anën tjetër, Beogradi e ka marrë pa u menduar ambasadorin në Rashkë dhe nuk ka dyshim se Perëndimi do ta interpretojë këtë si provokim”, thotë Jakshiq.

Në ueb-faqen e Ministrisë serbe të Mbrojtjes thuhet se Stefanoviq i ka falënderuar mysafirët nga Rusia “që janë njoftuar me situatën në vijën administrative dhe në veriun e Kosovës dhe Metohisë”.

Ambasadori rus thuhet se ka konfirmuar mbështetjen e Rusisë për pozicionin e Beogradit dhe se ka shprehur shqetësimin e Moskës zyrtare.

“Kjo ka për qëllim pastrimin etnik të Kosovës”, ka thënë Kharchenko.

Ambasadori rus e ka shfrytëzuar vizitën për të komentuar edhe pozicionin e vendeve perëndimore, të cilat i ka cilësuar si “të çuditshme” dhe “të dëmshme”. Ai ka thënë se ato “i mbyllin sytë në një situatë shumë të rrezikshme”, ndonëse, sipas tij, “të gjithë e kuptojnë se kush është fajtor dhe cila është arsyeja e një provokimi të tillë”.

Që nga fillimi i krizës, Bashkimi Evropian, Shtetet e Bashkuara dhe NATO-ja kanë kërkuar që Kosova dhe Serbia t’i ulin tensionet dhe që çështjet e hapura t’i zgjidhin me dialog.

Analisti serb, Dragomir Angjellkoviq, thotë për Radion Evropa e Lirë se Federata Ruse, në këtë mënyrë, i jep mbështetje Serbisë dhe përçon mesazhin se do të qëndrojë prapa masave që do t’i marrë Beogradi.

“Ky mesazh është dërguar kryesisht në Beograd, ndërsa të gjithë të tjerët, në bazë të kësaj, mund të konstatojnë se Beogradi ka më shumë hapësirë për manovrim, nëse është e nevojshme për të mbrojtur serbët në Kosovë”, thotë Angjellkoviq.

Sipas tij, prania e zyrtarëve rusë në objektet ushtarake të Serbisë kontribuon në qetësimin e tensioneve, sepse “Bashkimi Evropian, i cili është garantues i Marrëveshjes së Brukselit [për lëvizje të lirë], nuk ka bërë asgjë për ta zbatuar atë marrëveshje”.

Jakshiq, në anën tjetër, thotë se mesazhet kontradiktore të Beogradit krijojnë një gjendje të konfuzionit të përgjithshëm.

Sipas tij, presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, përsërit se anëtarësimi në Bashkimin Evropian është një angazhim gjeostrategjik i Serbisë, por, në të njëjtën kohë, ai “vazhdimisht bën lëvizje që e vënë në dyshim këtë”.

Kjo bëhet gjithmonë për shkak të koncesioneve ndaj Rusisë, thotë Jakshiq.

“Në këtë kontekst, shkuarja e ambasadorit Kharchenko në jug të Serbisë është një konfirmim tjetër i qëndrimit të ndrojtur të Qeverisë së Vuçiqit ndaj Kremlinit”, shton Jakshiq.

Ministri i Mbrojtjes i Serbisë, Nebojsha Stefanoviq, është takuar me ambasadorin e Rusisë në Beograd edhe më 22 shtator.

Sipas një komunikate në ueb-faqen e Ministrisë serbe të Mbrojtjes, Stefanoviq, atëbotë, ka shprehur “mbështetjen e fuqishme dhe të qëndrueshme që Federata Ruse i jep Serbisë në ruajtjen e integritetit dhe sovranitetit të saj territorial, veçanërisht në këto kohë të vështira që po përjeton popullata serbe në Kosovë dhe Metohi”.

Sipas Stefanoviqit, situata aktuale, “në të cilën Prishtina shkel liritë e lëvizjes, duke imponuar masa të reja të njëanshme, paraqet vazhdim të mosrespektimit të Marrëveshjes së Brukselit”.

Stefanoviq po ashtu e ka ftuar Rusinë që të marrë pjesë në panairin e ardhshëm ushtarako-teknik “Partner 2021”, i cili do të mbahet në Beograd në muajin tetor.

Serbia dhe Rusia kanë mbajtur tradicionalisht marrëdhënie të ngushta.

Dy vendet nuk e njohin pavarësinë e Kosovës, e cila është shpallur në vitin 2008.

Rusia voton kundër pranimit të Kosovës në Organizatën e Kombeve të Bashkuara, ndërsa Serbia, në këmbim, refuzon të vendosë sanksione ndaj Moskës.

Pikërisht për shkak të bashkëpunimit me Rusinë, Serbia është cak i kritikave nga Perëndimi, sepse, si vend kandidat për anëtarësim në BE, ajo nuk e ka harmonizuar ende politikën e saj të jashtme me atë evropiane.

Perëndimin e shqetëson edhe bashkëpunimi ushtarak i Serbisë me Rusinë.

Në muajin qershor, raportuesi i Parlamentit Evropian për Serbinë, Vladimir Bilçik, ka vlerësuar se stërvitja e përbashkët ushtarake e Serbisë me Bjellorusinë dhe Rusinë nuk e ndihmon përparimin e Serbisë drejt integrimit evropian.

Serbia ka marrë pjesë në stërvitjen trepalëshe “Vëllazëria Sllave 2021”, me Rusinë dhe Bjellorusinë, e cila është mbajtur nga data 8 deri më 19 qershor në territorin Krasnodar, në jugperëndim të pjesës evropiane të Rusisë.

Aktivitetet e llogarive pro-ruse në Serbi
“Moska është e shqetësuar për Kosovën”. Ky është vetëm një nga titujt e shumtë të shpërndarë në Facebook nga llogaritë pro-ruse në Serbi, prejse ka filluar kriza në kufirin midis Kosovës dhe Serbisë.

Bëhet fjalë për grupe dhe ato kanë elemente pro-ruse në emrat e tyre. Fjalët kyçe që i lidhin ato janë: Putini, Serbia, Rusia, Kremlini.

Por, ato kanë edhe një veçori tjetër të përbashkët: çdo postim e publikojnë në të njëjtën kohë.

Një kërkim i Shërbimit të Ballkanit të Radios Evropa e Lirë ka gjetur gjashtë llogari të grupeve në Facebook, që bëjnë fushatë të sinkronizuar.

Postimet flasin me ton pozitiv për aktivitetet e Serbisë në kufi me Kosovën dhe për përfshirjen e zyrtarëve rusë në krizë.

Kjo nuk është hera e parë që këto grupe aktivizohen.

Ato janë përfshirë në retorikë nacionaliste edhe në fillim të këtij muaji, pas tensioneve që ka shkaktuar në Mal të Zi shugurimi i kreut të Kishës Ortodokse Serbe, Joanikije./REL

- Advertisement -spot_img

Më tepër

Të fundit