Marshi i flamurit mbahet nga kolonët izraelitë për të festuar atë që ata e quajnë bashkimi i Kudsit, duke iu referuar pushtimit të Kudsit Lindor nga Izraeli në vitin 1967
Mijëra izraelitë të ekstremit të djathtë u mblodhën në Kudsin Lindor të pushtuar për marshimin vjetor të “ditës së flamurit”, i cili u zhvillua këtë vit mes tensioneve të rritura, raporton Anadolu.
Autoritetet izraelite thanë se vendosën 3.200 pjesëtarë sigurie për paradën, e cila mbahet nga kolonët izraelitë për të festuar atë që ata e quajnë bashkimi i Kudsit, duke iu referuar pushtimit të Kudsit Lindor nga Izraeli në vitin 1967.
Ministri izraelit i Transportit Miri Regev ishte mes njerëzve me flamuj izraelitë në sheshin e Portës së Damaskut.
Turmat e palestinezëve u përgjigjën duke valëvitur flamuj palestinezë, ndërsa izraelitët performuan gjithashtu të ashtuquajturën “valle të flamurit”.
Marshimi fillon në Kudsin Perëndimor, duke lëvizur përmes portës së Damaskut dhe lagjes muslimane në qytetin e vjetër deri në Murin Burak, të cilin hebrenjtë e quajnë Muri i Vajit.
Marshi i diskutueshëm ka shkaktuar përleshje të dhunshme vitet e fundit, duke përfshirë një konflikt 11-ditor midis Izraelit dhe grupeve palestineze në Gaza në maj 2021.
Për muslimanët, Al-Aksa përfaqëson vendin e tretë më të shenjtë të Islamit. Hebrenjtë e quajnë këtë zonë Mali i Tempullit, duke thënë se ishte vendi i dy tempujve hebrenj në kohët e lashta.
Izraeli pushtoi Kudsin Lindor, ku ndodhet Al-Aksa, gjatë Luftës Arabo-Izraelite të vitit 1967. Ai aneksoi gjithë qytetin në vitin 1980, hap ky që nuk u njoh kurrë nga komuniteti ndërkombëtar.