Ish-kreu i Lidhjes së Hoxhallarëve: iranianët(Shiizmi), këta ngatërrestarë e sherrxhinj!
Telashet që po ka këto kohë qeveria shqiptare me Iranin, një shtet shiit, pretendohet se janë paralajmëruar me kohë nga zërat klerikalë shqiptarë të besimit islam. Një ndër to, ndër zërat më imponues, Justinian Topulli, ish-kreu i Lidhjes së Hoxhallarëve Shqiptarë, shkruan se fundi dhe kujton një reagim të këtij organizmi kundër pranisë së financimeve apo aktiviteteve Shiite në Shqipëri.
Ai më parë kujton se ç’përfaqëson doktrina shiite, shumë larg Islamit të pastër burimor, atij sunit, që janë dhe shumica e muslimanëve në botë.
“Irani është një shtet misionar militar shiit, Islami për të është vetëm shiizmi dhe askush tjetër. Ky sekt, pakicë mes shumicës sunite muslimane, nuk është thjesht një sekt i ndryshëm nga ai sunit, por është tejet problematik, si në planin doktrinal, ashtu edhe në atë historik. Sa herë kanë pasur pushtetin dhe shtetin në dorë shiitët, kanë qenë ngatërrestarë të mëdhenj dhe kjo sherrnajë e tyre buron pikërisht nga doktrina e tyre”, shkruan Topulli, duke vijuar:
“Nisur pikërisht nga kjo e vërtetë fetare dhe historike, në 2008-n iniciuam një deklaratë të një numri jo të vogël hoxhallarësh, të cilët kërkonin nga KMSH-ja dhe hoxhallarët e tjerë, të bojkotonin financimet dhe aktivitetet e organizatave shiite të Iranit në vendin tonë. Edhe pse një vend larg nesh në shumë plane, Irani sot bëhet kërcënim edhe për sigurinë tonë kibernetike!
Në atë kohë, shumë njerëz nuk na e vunë veshin, madje disa shpifën, duke thënë se kjo ishte e shtyrë nga të huaj, apo x dhe y, ndërkohë që e vërteta përmblidhet vetëm tek përmbajtja e dukshme e asaj deklarate dhe asgjë më shumë”, shkruan ai.
Po ç’përmante ajo deklaratë?
“Nisur nga përgjegjësia fetare, për të mos lejuar cenimin e Islamit Sunit Shqiptar, në një të ardhme të afërt apo të largët, nga një sekt, i cili nuk pajton me besimin Sunitë si dhe traditën e Islamit shqiptar, ne, hoxhallarët dhe teologët shqiptarë, deklarojmë:
Sekti shiit, rafidhi, është një sekt me devijime të rënda në disa prej çështjeve kryesore të besimit islam. Besimet e këtij sekti, bien ndesh me besimin e pastër islam, që muslimanët sunitë kanë trashëguar nga i Dërguari i Allahut (salallahu alejhi ue selem) dhe shokët e tij. Disa prej devijimeve të tyre arrijnë deri në shirk dhe në kufër, gjëra këto, që sqarohen në një literaturë mjaft të gjerë, si sunite ashtu edhe shiite. Historia e hershme dhe ajo aktuale e marrëdhënieve ndërmjet shumicës absolute sunite dhe pakicës shiite në botë, ka rezultuar gjithmonë e hidhur dhe me pasoja katastrofale, për vendet ku ata kanë jetuar.
Duke u nisur nga sa thamë më sipër, si dhe nga faktorë të tjerë që kanë të bëjnë me realitetin e sotëm shqiptar, si në planin politik, gjeografik, social dhe fenjohës nga ana e shqiptarëve, e shohim si përgjegjësi para Zotit dhe besimtarëve muslimanë shqiptarë, t’u kërkojmë këtyre të fundit, të mos kenë asnjë lloj bashkëpunimi, individual apo institucional, bashkëpunim i drejtpërdrejtë ose jo, me shiitët iranianë apo edhe të tjerë (p.sh. Fondacioni Kur’anit), qoftë kjo edhe me marrje fondesh apo donacionesh për arsye nga më të ndryshmet.
Në situatat që po kalojmë, nuk shohim asnjë domosdoshmëri apo nevojë, që muslimanët sunitë shqiptarë, të bashkëpunojnë në çfarëdolloj fushe me ithtarët e këtij sekti, që është i huaj për vendin tonë. Çdo aktivitet i përhershëm apo i përkohshëm që iniciohet apo financohet nga ndonjë përfaqësi diplomatike e ndonjë shteti shiit apo nga organizatat, satelitë të saj, duhet bojkotuar tërësisht.
Çdo bashkëpunim, i hap dyert propagandës dhe më pas, prezencës shiite në vendin tonë, çka do të rezultojë në të ardhmen, me pasoja tepër negative për mbarëvajtjen e Islamit, në mesin e shqiptarëve.
Duke reflektuar ndaj thirrjes sonë, u kërkojmë të gjithë muslimanëve shqiptarë, t’i përgjigjen pozitivisht, këtij detyrimi fetar”, thuhej në deklaratë. /tesheshi.com/