Pyetja:
Selam alejkum!
Allahu i Madhëruar në Kuranin Famëlartë shpesh u drejtohet një grupi njerëzish me emrin të zotet e mendjes, dijetarët etj. Desha ta di se kush janë këta njerëz të dalluar tek Allahu? Vetëm dijetarët muslimanë apo edhe shkencëtarët qofshin ato muslimanë apo të një tjetër religjioni?
Ju faleminderit. E përshëndes veprën tuaj për nxjerrjen e një portali për pyetje në lidhje me Islamin.
Përgjigjja:
Falënderimet i takojnë Allahut, paqja dhe bekimet e Tij qofshin mbi të Dërguarin e Tij Muhamed, mbi familjen e tij, mbi shokët e tij dhe mbi të gjithë ata që ndjekin rrugën e tij deri në Ditën e Gjykimit.
Epiteti “Ulul Elbab” i përdorur në shumë vende në Kuran përkthehet me domethënien: “njerëz të mençur”, “mendarët”, “ata që kanë mendje”, “të zotët e mendjes”, etj.
Në esencë fjala “Elbab” është shumësi i fjalës “Lub”, që në gjuhën arabe, do të thotë thelbi, palca, bërthama e diçkaje, ose me një fjalë pjesa kryesore e një sendi dhe me këtë emërtim janë për qëllim njerëzit e dijshëm, të mençur, që janë të hollë në mendje, që i kapin e kuptojnë gjërat drejt dhe që e përdorin logjikën në dobi të tyre, për të arritur deri tek e sakta.
Allahu i Lartësuar thotë:
“Me të vërtetë, në krijimin e qiejve dhe të Tokës dhe në ndërrimin e natës e të ditës, ka shenja për mendarët.” (Ale Imran, 190)
Dhe thotë: “Por këtë nuk e kupton tjetërkush, përveç njerëzve të mençur.” (Bekare, 269)
“Prandaj, kini frikë prej Meje, o njerëz të mençur!” (Bekare 197)
“Këtë e kuptojnë vetëm mendarët.” (Ale Imran, 7)
Gjithashtu thotë: “Thuaju: “Nuk barazohet e keqja me të mirën, edhe sikur të të habisë bollëku i së keqes. Prandaj kijeni frikë Allahun, o njerëz me intelekt, me qëllim që të shpëtoni.” (Maide, 100)
Pastaj thotë: “Në tregimet e atyre (të dërguarve) ka këshilla për ata që janë me mend.” (Jusuf, 111)
“Ky (Kuran) është shpallje e qartë për njerëzit, me qëllim që ata të marrin paralajmërim nëpërmjet tij, që ta dinë se Allahu është Një Zot i Vetëm dhe që të këshillohen njerëzit e mençur!” (Ibrahim 52)
Nga këto ajete dhe në vende të tjera në Kuran në të cilat përmendet ky epitet, kuptohet se mendarët dhe të zotët e mendjes janë për qëllim ata njerëz që kanë mendje të ndriçuar dhe që me anë të thellimit e meditimit në krijesat nga të cilat rrethohen, sikurse krijimi i gjithësisë, mënyra se si funksionon ekzistenca, pastaj edhe duke vështruar se si është krijuar njeriu, kuptojnë madhërinë dhe fuqinë e krijuesit të tyre, Allahut të Plotfuqishëm.
Komentatorët e Kuranit rreth domethënies së “Ulul Elbab” kanë thënë: “Janë ata që i hapin mendjet e tyre dhe thellohen, i studiojnë e nxjerrin mësim nga gjërat. Ata nuk i vështrojnë gjërat ashtu si vështrohen nga krijesat e tjera (kafshët), pa vënë re mahnitë e krijimit dhe urtësitë e tij”.
Prandaj në këtë domethënie hynë të gjithë ata njerëz të mençur të cilët janë të ditur, mësojnë, studiojnë në lëmi e fusha të ndryshme, por me këto njohuri ata arrijnë ta kuptojnë madhërinë e fuqinë e krijuesit të tyre, Allahut të Plotfuqishëm. Allahu e di më së miri!
Alaudin Abazi
14.6.2009