4.7 C
Pristina
Saturday, April 20, 2024

A mundeni të më tregoni shpjegimin e ajeteve 86-90 të sures Kehf?

Më të lexuarat

Pyetja:

Selam alejkum!
A mundeni të më tregoni shpjegimin e ajeteve 86-90 të sures Kehf?
Përgjigjja:

Falënderimet i takojnë Allahut, paqja dhe bekimet e Tij qofshin mbi të Dërguarin e Tij Muhamed, mbi familjen e tij, mbi shokët e tij dhe të gjithë ata që ndjekin rrugën e tij deri në Ditën e Gjykimit.

Ajetet për të cilat kërkoni shpjegim flasin për ngjarjen e Dhulkarnejnit. Ne kemi përmendur edhe 3 ajete të mëparshme, ku fillon rrëfimi i ngjarjes.

“Ata të pyesin ty (Muhamed) për Dhulkarnejnin, thuaj: “Unë do t’ju tregoj disa lajme për të.” Ne i dhamë atij mundësi në tokë dhe i dhamë mjete e rrugë për të arritur çdo gjë, kështu që ai u nis në një rrugë.”
“Kur arriti në vendin e perëndimit të Diellit, pa se ai po ulej në një burim të zi balte dhe në afërsi të tij gjeti një popull. Ne thamë: “O Dhulkarnejn, mund t’i ndëshkosh ata ose mund t’u bësh mirë atyre.” Ai tha: “Sa i përket atij që bën të këqija, Ne do ta ndëshkojmë e pastaj do të kthehet te Zoti i vet, i Cili do ta ndëshkojë me një dënim të rëndë. Sa për atë që beson dhe bën vepra të mira, atij i takon shpërblimi më i mirë dhe do t’i premtojmë atij lehtësira.” Pastaj ndoqi një rrugë tjetër. Kur arriti në vendin e lindjes së Diellit, Ai e pa të lindte mbi një popull, të cilit Ne nuk i kishim dhënë gjë, për t’u mbrojtur nga dielli.” (Kehf 83-90)
“Ata të pyesin ty (Muhamed) për Dhulkarnejnin,…” Kush janë ata që e pyetën të Dërguarin, lavdërimi dhe paqja e Allahut qoftë mbi të, për Dhulkarnejnin? Ata ose janë paganët dhe jobesimtarët e Mekës ose çifutët, të cilët shkuan te çifutët dhe u thanë ta pyesnin të Dërguarin për një mbret i cili ka sunduar botën, pra, për Dhulkarnejnin. Të pyesin ty për gjendjen, për punën dhe për çështjen e tij e jo për emrin, prejardhjen e tij. “Të pyesin ty për Dhulkarnejnin thuaj: “Unë do t’ju tregoj disa lajme për të.”
Do t’ju tregoj lajme nga Kurani e asgjë nuk do t’ju tregoj nga vetja ime për të. Përgjigjja është nga ana e Allahu të Lartësuar, e pa dyshim se përgjigjja e Tij është më e mira, fjala e Tij është më e sinqertë. Në këtë rast themi se nga udhëzimi i Kuranit gjatë tregimeve nuk fokusohet në kohërat e as në vendet e as në emrat e personave. Kurani nuk është libër historik, mirëpo ai na rrëfen ngjarje në mënyrë që të marrim mësim dhe këshillë. Përmendja e kohëve, vendeve, emrat e personave nuk paraqesin ndonjë dobi shumë të madhe, por qëllimi pra është marrja e mësimit ashtu siç thotë edhe Allahu i Lartësuar në fund të kaptinës Jusuf: “Në tregimet e atyre (të Dërguarve) ka këshilla për ata që janë me mend.” (Jusuf, 111)
Parashtrohet pyetja kush është Dhulkarnejni? Si quhet, cila është prejardhja e tij, kur dhe ku ka jetuar? Për të gjitha këto Allahu i Lartësuar nuk e ka informuar të Dërguarin e Tij, për shkak se në këtë nuk qëndron ndonjë dobi e madhe siç cekëm më sipër..
Pyetja tjetër që mund të shtrohet në këtë rast është se Dhulkarnejni a ka qenë Pejgamber apo rob i mirë? Komentuesit e Kuranit kanë dy mendime lidhur me këtë. Mirëpo ne pa dashur të thellohemi në sjelljen e argumenteve të të dy palëve, pa dashur të zgjerohemi, themi se mendimi i drejtë dhe i saktë i komentuesve të Kuranit është se Dhulkarnejni nuk ka qenë Pejgamber, por mbret i drejtë prej robërve të mirë të Allahut.
“Ne i dhamë atij mundësi në tokë dhe i dhamë mjete e rrugë për të arritur çdo gjë” Allahu i dha forcën, mundësinë, mjetet dhe rrugët dhe çdo gjë tjetër që i nevojitet për forcimin e mbretërisë dhe fronit të tij. Ashtu siç i ka thënë pupëza Sulejmanit, për Belkizën: “Ajo zotëronte çdo gjë dhe kishte një fron madhështor.” (Neml, 23)
Dhulkarnejni, edhe pse ishte mbret, nuk u tregua neglizhues në marrjen e shkaqeve të cilat ia ka përgatitur Allahu. I mori ato shkaqe dhe iu mbështet Allahut të Lartësuar. Kjo është mbështetja e vërtetë në Allahun. Nuk lejohet t’i lëmë shkaqet e të themi se i jemi mbështetur Atij. Prandaj, nëse të ofrohen shkaqe për të bërë vepra të dobishme, mos i humb ato. Dhulkarnejni i mori ato shkaqe dhe bëri tre udhëtime: Udhëtimi i parë ishte drejt Perëndimit, i dyti në Lindje, ndërsa i treti siç thotë Allahu i Lartësuar: “…derisa, kur arriti në mes dy malesh,” (Kehf, 93)
“Kur arriti në vendin e perëndimit të Diellit pa se ai po ulej në një burim të zi balte dhe në afërsi të tij gjeti një popull. Ne thamë: “O Dhulkarnejn, mund t’i ndëshkosh ata ose mund t’u bësh mirë atyre.” Ky qe udhëtimi i parë i Dhulkarnejnit. Allahu i tha: Mund t’i ndëshkosh ata me vrasje, rrahje, burgim, ngase si duket ata kanë qenë popull jobesimtar ose mund t’i falësh. S’ka dyshim se një njeri i cili e ka fuqinë ta ndëshkojë një njeri tjetër e pastaj e fal, pa dyshim se ka bërë një të mirë. Allahu i la mundësinë të zgjedhë. Mirëpo, shikoni se cila ishte përgjigjja e këtij mbreti të mirë, mendjemprehtë, përgjigjja e drejtë. Ai tha: “Sa i përket atij që bën të këqija, Ne do ta ndëshkojmë e pastaj do të kthehet te Zoti i vet, i Cili do ta ndëshkojë me një dënim të rëndë.” Sa i përket atij që bën të këqija, do të thotë sa i përket atij që i bën padrejtësi vetes me kufër ndaj Allahut, me shirk në fjalët e tij dhe refuzon të pranojë ftesën për në Islam, ne do ta ndëshkojmë në këtë botë e pastaj i kthehet Zotit të vet në ahiret, i Cili do ta dënojë me dënim të dhimbshëm. “Sa për atë që beson dhe bën vepra të mira, atij i takon shpërblimi më i mirë dhe do t’i premtojmë atij lehtësira.” Ndërsa sa i përket atij që pranon ftesën tonë për në Islam, për në besim, njëshmërinë e Allahut, atij i takon shpërblimi i Allahut i cili është xheneti dhe atij do t’i premtojmë lehtësira, do t’i themi fjalë të lehta, fjalë të mira.

Medito mbi këtë përgjigje të Dhulkarnejnit sa u përket dy shpërblimeve. Në shpërblimin e parë ka përmendur atë që bën padrejtësi me kufër, shirk, me dënimin e tij në këtë botë dhe e ka vonuar dënimin e botës tjetër. Ndërsa kur ka përmendur shpërblimin e atij që ka besuar dhe bërë vepra të mira, fillimisht ka përmendur shpërblimin e ahiretit dhe e ka vonuar shpërblimin e tij. Ka filluar me përmendjen e shpërblimit të atyre që kanë bërë padrejtësi me dënim më të lehtë në këtë botë dhe e ka shtyrë dënimin e madh. Ndërsa në shpërblimin e besimtarëve, të cilët pranuan thirrjen, besuan në Allahun dhe iu dorëzuan Atij, fillimisht ka përmendur shpërblimin e madh, xhenetin, ndërsa e ka shtyrë shpërblimin e tij.
Në përgjigjen e Dhulkarnejnit ka mësim për ata mbretër të cilët çlirojnë vende që t’i respektojnë banorët e tyre dhe të jenë të drejtë me ta. Gjithashtu është obligim i tyre t’i falënderojnë të mirët e t’i afrojnë dhe t’i ndëshkojnë të këqijtë.

“Pastaj ndoqi një rrugë tjetër. Kur arriti në vendin e lindjes së Diellit, Ai e pa të lindte mbi një popull, të cilit Ne nuk i kishim dhënë gjë, për t’u mbrojtur nga dielli.” Për të dytën herë Allahu vërteton se Dhulkarnejni i ka marrë shkaqet dhe i është mbështetur Allahut. Ndoqi një rrugë tjetër erdhi nga Perëndimi në Lindje. Ai e pa diellin të lindte mbi atë popull, të cilit Allahu nuk i kishte dhënë asgjë për t’u mbuluar, për t’u mbrojtur që nga Lindja e deri te Perëndimi. Të njëjtën gjë i mundësoi Allahu atij edhe në këtë vend dhe përgjigjja e Dhulkarnejnit ishte identike me përgjigjen e parë.

“Kështu ndodhi dhe Ne dinim gjithçka për të.” (Kehf, 91) Do të thotë se udhëtimi i Dhulkarnejnit në Lindje e në Perëndim dhe ajo çfarë bëri me njerëzit në dy drejtime, e gjithë kjo ka ndodhur me dijen e Allahut të Lartësuar, ngase Atij nuk i fshihet asgjë në tokë e as në qiell. Dija e Tij përfshin çdo gjë. Ajetet në vijim flasin edhe për udhëtimin e tretë të Dhulkarnejnit dhe tregimi me popullin jexhuxh dhe mexhuxh. Allahu e di më së miri!

Almedin Ejupi
19.9.2008

- Advertisement -spot_img

Më tepër

Të fundit