2.6 C
Pristina
Thursday, December 19, 2024

Të vështrosh në të ardhmen – Justinian Topulli

Më të lexuarat

Kur i Dërguari i Allahut (alejhi salatu ue selam) nënshkroi marrëveshjen e Hudejbijes, pati nga muslimanët, mes tyre dhe Umer ibn Hatabi, që e vlerësuan këtë ngjarje si akt nënshtrimi dhe dobësie para Kurejshëve idhujtarë, nisur vetëm nga pamja e jashtme e pikave të marrëveshjes, që dukeshin haptazi që i ishin në favor të idhujtarëve.

Por Zoti që di të fshehtën dhe të dukshmen, të tashmen dhe të ardhmen, e përjetësoi në Kuran këtë ngjarje si “fet’han mubina” (“çlirim të qartë” apo “fitore të madhe”), duke i hutuar akoma më shumë ata që u kufizuan në vështrimin e ngushtë të kësaj ngjarje, dhe nuk panë përtej pikave poshtëruese, që Kurejshët duket se i kishin imponuar muslimanëve.

Fitorja e asaj marrëveshje nuk qëndronte tek detajet e saj të brendshme, por tek ajo që nuk u shkrua, tek efekti politik dhe opinioni publik, që ajo shkaktoi më pas në mbarë gadishullin arabik, ku i nxori muslimanët si palë aq e fortë sa që i detyruan Kurejshët, fisin më të vlerësuar të arabëve, të bënin marrëveshje me muslimanët, ndërkohë që deri dje kishin tentuar t’i shfarosnin dhe zhduknin ata nga faqja e dheut.

Edhe pse para kësaj ngjarje kishin ndodhur beteja e Bedrit dhe ajo e Hendekut, ku Kurejshët kishin dështuar, Allahu e quajti pikërisht marrëveshjen e Hudejbijes si fitore apo çlirim, sepse pikërisht ajo marrëveshje -që në sytë e muslimanë u pa si poshtëruese- qe kthesa vendimtare që pas dy vjetësh do të sillte çlirimin e Mekës, zgjerimin masiv të Islamit në gadishullin arabik dhe nënshtrimin e tij të plotë ndaj shtetit islam të Medinës.

Shpesh historia e tillë është, ngjarje në dukje të vogla apo me pasoja të dëmshme, por që më pas janë pika kthese në histori. Ndaj ato që ndodhin përreth nesh nuk duhen parë ngushtësisht vetëm me syrin e detajeve shpesh pozitive apo negative, por me ritmin dhe kahun nga kanë nisur të fryjnë erërat, të cilat gjithmonë nisin të dobëta, derisa vjen dita dhe ato shndërrohen në stuhi përmbysjesh të mëdha.

Është e vërtetë se pranvera nuk vjen me çeljen e një lule dhe as me një dallëndyshe, dhe i ftohti vazhdon përsëri, por si njëra si tjetra janë lajmëtaret e para të pranverës që vjen në mënyrë të pashmangshme.

- Advertisement -spot_img

Më tepër

Të fundit