“… Ai do t’i ndëshkojë ata për shpifjet e tyre.” (Kur’an: 6:138), ky është përfundimi i gjykimit të Allahut ndaj atyre të cilët ndalojnë atë që Ai ka lejuar dhe lejojnë atë që Ai ka ndaluar.
Kështu, qëllimi ynë nuk është ndalimi i të mirave të Allahut ndaj jush e as lejimi i ndalesave të Tij, por qartësimi i të mirës dhe ndarja e saj nga e keqja. Ne jemi vetëm informues, kurse ata që vendosin mbi veten e tyre jeni ju, megjithëse çdo zgjedhje tjetër përveç rrugës së Allahut është devijim i udhëhequr nga një shejtan (i mallkuar qoftë). Këtë All-llahu e vërteton me ajetin kur’anor: “O ju njerëz, hani nga ajo që është në tokë e që është e lejuar dhe e mirë, e mos shkoni hapave të djallit se ai është armik i hapët i juaji.” (Kur’an: 2:168)
Pra, pika nga e cila duhet të fillojmë është të vetëdijesuarit tonë për të kuptuar se nuk na është e lejuar të blejmë dhe të konsumojmë gjithçka që shohim në shitoret në të cilat tregtojmë, por duhet të kemi kujdes në përzgjedhje.
Në ditët e sotme të një jete shumë dinamike dhe të shpejtë ku të shumtën e kohës terri i mëngjesit dhe terri i mbrëmjes na përcjellin rrugës e cila na shpie kah vendi i punës dhe kah vendi i banimit, nuk e kemi të thjeshtë të e ndajmë ushqimin e lejuar nga ai i ndaluari (pra ushqimin dobiprurës nga ai dëmprurës) sepse ushqimet janë të shumtë, me mijëra në lloje dhe përbërja e tyre është e ndryshme.
Ne nuk e kemi zgjedhur problemin vetëm duke mos konsumuar mishin e derrit dhe alkoolin, apo thjesht vetëm duke zbatuar në përgjithësi ajetin kur’anor: “Juve u janë ndaluar (t’i hani): ngordhësira, gjaku, mishi i derrit, ajo që theret jo në emrin e Allahut, e fryra, e mbytura, e rrëzuara, e shpuara (nga briri i tjetrës), ajo që e ka ngrënë egërsira, përveç asaj që arrini ta therrni (para se të ngordhë), ajo që është therur për idhuj…” (Kur’an: 5:3).
Në asnjë aspekt qëllimi nuk është në mohimin e ajetit kur’anor, por se shikimi i thjeshtë ndaj tij që ne të shohim vetëm se një ushqim është mish derri apo një gotë lëngu është alkool është i mangët dhe nëse ne vetëm kaq interesohemi mbi ushqimin tonë atëherë shpërfillim fjalën e Allahut të thënë në shumë ajete kur’anore ku përmend shprehjet: Hani nga të mirat, ushqimet e mira, e lejuar dhe e mire.
Ne jemi të obliguar të ushqehemi me ushqim të mire në cilësi dhe të lejuar në përbërje.
Gjatë të ushqyerit tonë duhet të kuptojmë që ushqimi duhet të jetë i lejuar dhe i mirë që të plotësojmë urdhrin e Allahut: “Hani nga ajo që All-llahu ju furnizoi si të lejuar (hallall) të mirë dhe, duke qenë se ju Allahut i besoni, ruajuni dënimit të Tij!” (Kur’an: 5:88) dhe “Hani nga të mirat që u dhuruam, e mos u bëni përbuzës….” (Kur’an: 20:81)
Ushqimet e mira “ janë në këtë botë për ata që besuan” (Kur’an: 7:32), kështu që ne duhet t’i kërkojmë (t’i gjejmë) ato dhe të ushqehemi me to për të përmbushur nevojat tona dhe për të plotësuar urdhrin e Allahut.
Akti i të ushqyerit nuk përfshin vetëm aktin e ngrënies së ushqimit, por edhe atë të tregtimit të tij. Ne duhet të jemi të kujdesshëm se prej nga furnizohemi me ushqim, gjegjësisht duhet të zgjedhim shitoren tek e cila blejmë ushqimin tonë.
Pa dyshim se duhet t’iu shmangemi vendeve të dyshimta të tregtimit të ushqimeve, kështu që duhet të përqendrohemi në blerjen e ushqimeve tek vendet për të cilat kemi informacione si vende më të pastra lidhur me të lejuarën (hallallin).
Padyshim, këto shitore janë ato të poseduara nga menaxhues muslimanë, që mund të jenë të rralla në vendet në të cilat jetojmë ne, pastaj pas tyre vijë ato shitore në të cilat punojnë muslimanë, pastaj shitoret të cilat janë të jomuslimanëve e që janë të përqendruara në tregtimin e ushqimeve të pastra, pastaj janë ato të cilat nuk i shohim si të përshtatshme për ne, por në të cilat regëtojnë Ithtarët e Librit (të krishterë, hebrenjtë). Megjithatë gjithmonë duhet anuar kah shitoret muslimane.
Gjykimi i këtillë vije si përgjigje ndaj ajetit kur’anorë: “Sot u lejuan për ju ushqimet e mira, edhe ushqimet (të therurat) e ithtarëve të librit janë të lejuara (hallall) për ju, edhe ushqimet (të therurat) tuaja janë të lejuara për ta (u janë lejuar)…. E kush mohon (tradhton) besimin, ai ka asgjësuar veprën e vet dhe ai në botën tjetër është prej të shkatërruarve.” (Kur’an: 5:5)
All-llahu na lejon blerjen e ushqimit nga besimtarët e librit (krishterët dhe hebrenjtë) si dhe shitjen atyre të produkteve tona, si dhe blerjen e ushqimeve (kur nuk kemi zgjedhje tjetër) në vendet në të cilat ata tregtojnë. Blerja e produkteve të tyre është i kufizuar dhe nuk është i lirë që nënkupton blerjen e ushqimit të lejuar (hallall) nga ata dhe largimi nga ushqimi i ndaluar sido që të jetë në çmim dhe “kualitet” (“kualitet” – All-llahu e kualifikon në ushqim jo të mire) dhe gjithmonë duke anuar kah bizneset islame ashtu siç anojmë kah besimi i vëllezërve tonë muslimanë.
Animi kah shitoret muslimane ka përfitime të shumta si:
• përfitimi në besim – largimi i dyshimit të ekzistimit të ndonjë produkti të ndaluar (haram);
• përfitimi në qetësi të brendshme – me tregtimin në shitore islame vetvetiu largohet dyshimi ndaj ushqimit të blerë dhe qetësohet shpirti nga dyshimet;
• përfitimi në shoqëri – përqendrimi i tregtimit në shitore muslimane mundëson dominimin e muslimanëve në segmentin e konsumatorëve musliman, e në rast se nuk ka biznese islame atëherë vetëdijëson menaxhmentin jomusliman në pastrimin e biznesit të tyre ose në përqendrimin e ndonjë dege të pastër ku drejtohet konsumi musliman;
• përfitimi në kohë – tregtimi në shitore të poseduara nga muslimanët nuk na merr kohë në përzgjedhjen e ushqimit si dhe në analizën e përbërjes së tij, analizë kjo e cila në të shumtën e rasteve mbetet nën një doze të caktuar dyshimi.
Vëllezër e motra muslimane le të përqendrohemi tek vëllezërit tanë të cilët tregtojnë dhe jetojnë si muslimanë (e që nuk përdorin vetëm emrin musliman si formë marketingu) aq sa të kemi mundësi sepse All-llahu i Madhëruar thotë: “Askush nuk ngarkohet më tepër, vetëm aq sa ka mundësin e tij.” (Kur’an: 2:233)
Nëse mundësitë tona na kufizojnë dhe jemi konsumatorë të bizneseve jomuslimane atëherë le të jemi të kujdesshëm ndaj përzgjedhjes së ushqimit tonë, le të zgjedhim “…ushqim të mirë. S’ka dyshim se edhe në këtë ka fakte (mbi fuqinë e Zotit) për njerëzit që kanë menduar.” (Kur’an: 16:67)
Pra “Njeriu le të shikoje ushqimin e vet.” (Kur’an: 80:24), dhe le të kuptojë se Allahu është Ai “i cili i ushqeu pas urisë dhe i siguroi prej çdo frike!” (Kur’an: 106:4).
Ata të cilët pa dijen e tyre janë ushqyer me ushqime të ndaluara le ta lusin Allahun për falje, le të pendohen dhe le të ndërpresin mënyrën e tillë të të ushqyerit sepse Allahu është më Mëshiruesi dhe Ai falë ata që pendohen.
All-llahu e di më së miri!