Nga: Fet’hi Abdusettar
Të tallesh me gjynahet e dikujt, është një gjynah më i madh
Njerëzit, mes tyre diferencohen në pasuri dhe varfëri, lumturi dhe dëshpërim, hijeshi dhe shëmti, shëndet dhe sëmundje. Ata janë të ndryshëm edhe lidhur me bindjen ndaj Zotit dhe thyerjen e urdhrave të Tij.
Sheriati islam, e ndalon përqeshjen e një personi për shkak të një të mete për shkak të paaftësisë së tij në një fushë të caktuar. Ajo që është më e rëndësishme, është se Sheriati e ndalon përqeshjen dhe talljen me myslimanin për shkak të një gjynahu në të cilin ka shkarë. Myslimanit nuk i lejohet të mburret me devotshmërinë dhe bindjen e tij për Zotin, ashtu siç nuk i lejohet të shajë, përqeshë dhe publikojë gjynahet e dikujt tjetër.
Gëzim i refuzuar
Të tallesh dhe përqeshësh një person për gjynahet e tij, simbolizon gëzimin me të keqen e tij, gjë e cila është e ndaluar nga profeti Muhamed a.s, i cili thotë:”Mos u gëzo me të keqen e vëllait. Zoti mund ta mëshirojë atë dhe të sprovojë ty.” (Tirmidhij)
Nuk ka ndalesë më të qartë se ky hadith, për gëzimin kur një mysliman vepron diçka të shëmtuar. Hadithi na paralajmëron edhe për pasojat e rënda të një ndjenje të tillë. Përqeshja dhe gëzimi mund të bëhen shkak që personi përqeshës të sprovohet me të njëjtën të metë të personit që ka përqeshur.
Zoti mund ta shpëtojë vëllain gjynahqar nga të metat dhe gjynahet e tij, duke ia falur shkujdesjen dhe gjynahun. Ai ia lehtëson rrugën e pendimit dhe kthimit drejt Tij. Por ti nuk e di nëse të sprovon Zoti me të njëjtën sprovë, nëse do të dalësh dhe shërohesh prej saj apo jo, nëse do të pendohesh apo jo, nëse do të pranohet pendimi apo jo dhe nëse do të falet gjynahu apo jo.
Ndër urtësitë e paharrueshme të Ibnul Kajjim, është dhe thënia:”Të përqeshësh vëllain tënd për gjynahun që ka vepruar, është një gjynah më i rëndë. Kjo, sepse përqeshja jote është e veshur me ndjenjë mendjemadhësie dhe vetëmashtrimi për bindjen që tregon ndaj Zotit. Ajo sinjalizon dëlirësinë e nefsit dhe pastërtinë e tij, duke përcjellë indirekt mesazhin e pafajësisë dhe pagabueshmërisë.”
Ibnul Kajjim shton:”Ndoshta, thyerja e zemrës së vëllait për shkak të gjynahut që ka vepruar, ndjenja e dobësisë dhe përulshmërisë karshi Zotit për faktin se nuk e frenoi dot nefsin, e mbron nga mendjemadhësia dhe vetëpëlqimi. Qëndrimi i tij para Zotitme zemër të thyer, kokulur dhe gjithë turp, për një njeri të tillë mund të jetë më e hairit sesa mburrja dhe të qenit hundëpërpjetë.
Ndër thëniet e arta që janë regjistruar nga Ibnu Ataullah Skënderi, është dhe thënia:”Një gjynah i pasuar nga nënshtrimi dhe përulja për Zotin, është më i hairit sesa një vepër e mirë që pasohet na mendjemadhësia dhe mburrja.”
Thotë Ibnul Kajjim:”Sa afër mëshirës së Zotit është gjynahqari dhe sa afër zemërimit të Zotit është mendjemadhi. Një gjynah që ta ul hundën para Zotit, është më e dashur sesa një vepër e mirë me të cilën mburresh para Zotit. Të flesh gjumë dhe të zgjohesh si pendues në mëngjes, është më mirë sesa të falesh gjithë natën dhe të mburresh para të tjerëve. Mburravecit dhe atij që i pëlqen vetja, nuk i ngjiten punët në qiell. Të qeshësh teksa pranon gjynahun, është më mirë sesa të qash teksa mburresh dhe të pëlqen vetja. Ngashërimi i gjynahqarëve, është më i dashur tek Zoti sesa mburrja e atyre që e përmendin Zotin shpesh dhe e lartësojnë Atë.”
A mund të shërbejë gjynahu si ilaç?
Tregues i mëshirës dhe dhembshurisë së Zotit, është se një gjynah mund ta bëjë ilaç të një sëmundjeje të papërballueshme. Pikërisht këtë koncept është përpjekur ta rrënjosë Ibnul Kajjim në disa thënie të arta të tij, ku ndër të tjera thotë:”Ndoshta Zoti ia ka dhënë këtë gjynah vëllait tënd, si ilaç për ta shëruar nga një sëmundje vdekjeprurëse, të cilën mund ta kesh edhe ti, por nuk e ndjen. Zoti ka sekretet e Tij si me gjynahqarët ashtu dhe me ata që i binden, sekrete të cilat nuk i di kush tjetër përveç Zotit. Askush nga njerëzit nuk mund ti deshifrojë këto sekrete. Nuk mund të ndihen të sigurt dhe të paprekur nga caktimi i Zotit dhe goditja e tij, veçse ata që nuk e njohin Zotin.
Bazuar në sa thamë, profeti Muhamed a.s e ka ndaluar përqeshjen dhe talljen me gjynahqarët, edhe në rastin e gjynaheve më të rënda. Si ndëshkimin më të rëndë për këta njerëz, ai ka caktuar ndëshkimin fizik të përcaktuar në Sheriat sipas shkeljes. Askush nuk ka të drejtë ti ndëshkojë këta gjynahqarë me diçka shtesë përveç dënimit të përcaktuar nga Zoti. Thotë Profeti a.s:”Nëse skllavja e dikujt prej jush kryen imoralitet, le ta vërtetojë, me qëllim që të marrë dënimin e duhur, por nuk ka përse ta përqeshë.” (Buhariu)
Përderisa ajo e ka marrë dënimin për gjynahun dhe shkeljen që ka bërë, dënim ky i përcaktuar nga vetë Zoti, nuk ka përse të tallet dhe përqeshet, duke u bërë gazi i botës. Pronarit të kësaj skllaveje, nuk i lejohet diçka e tillë dhe nëse e bën, ai ka shkelur ligjet e Zotit.
Një reagim i tillë, ka qenë traditë dhe vlerë e të gjithë profetëve të Zotit.
Jusufi a.s u keqtrajtua nga vëllezërit e tij, të cilët e xhelozuan, u sollën ashpër dhe e hodhën në një pus. Megjithatë, kur ai ishte në pozita të cilat ia lejonin hakmarrjen, ai nuk pranoi as ti qortojë për atë që i kishin bërë. Përkundrazi u tha:”Ai u tha: “Sot s’ka qortim për ju; Allahu do t’ju falë. Ai është më i mëshirshmi i mëshiruesve!” (Jusuf, 92) Veç kësaj, ai u lut që Zoti ti falë dhe të tregohet i mëshirshëm me ta.
Asnjë i gjallë nuk mund të jetë i sigurt nga sprovat. Për ta përforcuar këtë koncept në zemrat e besimtarëve, Zoti i drejtohet të dërguarit të tij në suren Isra me fjalët:”Ata u përpoqën të largonin ty (Muhamed) nga ai (Kuran), që të kemi shpallur Ne, me shpresë se ti, duke shpifur, do të Na vishje diçka tjetër përveç tij (Kuranit). Po ta bëje këtë, atëherë, ata do të të merrnin ty për mik. Dhe sikur mos të të kishim forcuar Ne, gati do të kishe anuar pak nga ata, dhe atëherë, me të vërtetë, Ne do të bënim që të shijoje dënimin e dyfishtë në këtë botë dhe pas vdekjes; e atëherë, nuk do të gjeje askënd për ndihmës kundër Nesh.” (Isra, 73-75)
Thotë Profeti a.s:”Zemrat e njerëzve janë mes dy gishtave të Gjithëmëshirshmit, nëse dëshiron i mban në rrugë të drejtë, në të kundërt i devijon.”
Vetë i dërguari i Allahut a.s thoshte:”O Ti që ke në dorë zemrat, bëje zemrën time të qëndrueshme në fenë Tënde!” (Tirmidhij dhe Ebu Maxheh)
…