1. Si qëndrojnë raportet e tua me Allahun, cili është preokupimi yt kryesor gjatë ditës?
2. Nëse dështon, atëherë mos u dëshpëro, por përkundrazi kremto, ngase mossuksesi në fillim të çfarëdo projekti gjithsesi në mbarim përmban një përfundim të suksesshëm.
3. Parashtroja vetes këtë pyetje: “Çfarë mund të bëj tani, që nëse e bëj rregullisht do të ketë ndikim të dobishëm dhe me vlerë në jetën time?”
4. Suksesi dhe dështimi qëndron në mendjen dhe intelektin tonë. Në jetë nuk ekziston diçka që quhet e pamundur, kjo ekziston vetëm në mendjen e të falimentuarve. Kur të ballafaqohesh me ndonjë detyrë mbështetu tek Allahu dhe thuaj; mundem ta kryej… e thjeshtë… e lehtë….! Pra, për njerëzit e suksesshëm konsiderohet diçka e mundur për t’u realizuar, ndërsa për dështakët e pamundur.
5. Çdo pengesë para suksesit tënd konsideroje sfidë.
6. Në shumicën e rasteve ti je rezultat i mendimeve dhe i botëkuptimeve të tua.
7. Njerëzit e suksesshëm janë optimist. Optimizmi përbën një përqindje të konsiderueshme te suksesit. Shumica e njerëzve të suksesshëm nuk mendojnë për të kaluarën dhe problemet e saj. E kaluara ka shkuar dhe ka ikur, ndërsa ne tani jetojmë në një ditë të re, që i ka karakteristikat dhe prurjet e saj të reja. Shpreso dhe mendo mirë vazhdimisht.
8. Vetëm ti je përgjegjës për të gjitha veprimet dhe botëkuptimet e tua.
9. Shembulli ynë në këtë botë është sikurse shembulli i bujkut, sepse atë që mbjellim sot do ta korrim në të ardhmen. Prandaj, medito se a je vërtetë duke mbjellë në mendjen tënde mendime të frytshme? Zëvendëso mendimet e dështuara dhe të pashpresa me mendime të mira dhe produktive. Përse të mos synosh që shprehjet negative, të cilat i ke bërë zakon t’i përdorësh t’i transformosh në fjalë frytdhënëse dhe kështu do të vëresh shumë shpejt në jetë efektin e tyre pozitiv. Bëhu prej atyre që i kontrollojnë mendimet dhe fjalët e tyre.
10. Injoro dhe braktis ata persona që në mënyrë të përsëritur deklarojnë: e parealizueshme, e vështirë, e pamundur etj. Dije se ai që i thotë këto fjalë është injorant, ngaqë me lejen dhe ndihmën e Zotit çdo gjë është e mundshme.
11. Varësisht prej sasisë së angazhimit dhe preokupimit tënd rreth një çështjeje, me dëshirën e Zotit do të arrish suksese dhe rezultate të caktuara. Të suksesshmit pas mbështetjes në Allahun dhe mendimit të mirë në Të, besojnë në aftësitë e tyre dhe kanë vetëbesim të lartë.
12. Që të ndryshojnë të tjerët dhe rrethi ku jeton lipset që së pari ti të ndryshosh.
13. Nëse përqendrohesh në kërkim të zgjidhjes, nëse mendja jote pyet për zgjidhjen, me lejen e Zotit do ta gjesh zgjidhjen e duhur. Në të shumtën e rasteve ne e arrijmë atë që përqendrohemi në të.
14. Përmes të menduarit për suksesin ti ke gjasa më të mëdha që t’i zbulosh edhe mënyrat e duhura që të çojnë drejt zgjidhjes finale. Një gjë është e përbashkët gati për të gjithë njerëzit e suksesshëm, se ata gjithmonë mendojnë dhe meditojnë për suksese dhe për arritje. Ata kanë një moto, se çfarëdo përvoje që përfundon me mosrealizim të kënaqshëm është një hap i rëndësishëm drejt një suksesi të madh, ngase për ta nuk ekzistojnë veprime të dështuara, por vetëm përvoja.
15. Ngulmi mund të përkthehet thjesht edhe si sukses paraprak. Këmbëngulja dhe zelli çojnë drejt shumë zgjidhjeve të reja dhe kreative.
16. Ai që është më fleksibël është edhe më i suksesshëm me veten dhe të tjerët. Prandaj ji fleksibël.
17. Çdo gjë fillon me hapin e parë. Dyshimi dhe hezitimi janë pengesat e para që shfaqen në rrugën e suksesit.
18. Forca jote kryesore pas besimit tek Allahu i Madhërishëm prehet në fuqinë e vullnetit, durimit dhe të mundësisë së kalimit të pengesave për të hulumtuar dhe testuar mundësitë e ndryshme, gjersa të arrish të gjesh zgjidhjen e artë për vete dhe për të tjerët. Ai që zotëron vullnet, ai zotëron edhe fuqinë.
19. Mendo për përvojat e tua të suksesshme dhe shkruaj me saktësi, se çfarë dëshiron të arrish në ditën e sotme.
20. Askush nuk ka mundësi të ndikoj tek ti vetëm nëse ti personalisht e pranon një gjë të tillë.
21. Mos shkatërro asgjë para se të jesh i përgatitur për të ndërtuar diçka më të mirë në vend të saj. Ku qëndron dobia të prishësh një pallat e të ndërtosh në vend të tij një tendë?
22. Mos u merr me atë që ke punuar në të kaluarën, por preokupohu me atë se çfarë do të bësh sot dhe në të ardhmen.
23. Kujdesu çfarë po sheh, çfarë po dëgjon dhe po lexon. Kushtoji kujdes ushqimit shpirtëror duke falur namaz, duke u lutur, agjëruar dhe duke u përkushtuar në adhurim në pjesën e tretë të natës, atëherë kur Allahu Fuqiplotë zbret në qiellin e kësaj bote dhe pyet: a ka kush ndonjë kërkesë që t’ia plotësoj…
Ushqeje shpirtin me leximin e Kuranit dhe librave të dobishëm. Caktoji vetes një orar të veçantë për të dëgjuar dhe lexuar libra, që lidhen drejtpërsëdrejti me avancimin tënd personal.
24. Medito rreth jetës së njerëzve të suksesshëm dhe do të mësosh, se që të gjithë janë ballafaquar me pengesa të shumta gjatë rrugëtimit të tyre drejt suksesit. Madje ndoshta ata që më së shumti kanë tentuar e dështuar janë më të suksesshmit dhe më të pasurit. Në jetë dështimi konsiderohet një shkollë mahnitëse për të gjithë ne, sepse prej tij mësojmë, durimin, ngulmin dhe mësimin nga gabimet.
25. Hezitimi dhe frika nga marrja e vendimeve, përballja me probleme, të folurit para publikut janë sëmundje me ndikime fatale. Ka ardhur koha që me vetëbesim të ballafaqohesh me çdo sfidë që ke përpara. Vetëbesimi dhe frika nuk mund të qëndrojnë në një vend në jetën e askujt. Ti je trim, nismëtar, i guximshëm dhe iniciator.
26. Të gjithë liderët, kolosët, administruesit dhe mendimtarët, të cilët kanë udhëhequr popullin kanë pësuar disfata. Dallimi i vetëm ndërmjet këtyre dhe dështakëve është se ata pas dështimeve i kanë marrë përsipër përgjegjësitë dhe u ngritën në shkallët e suksesit duke pyetur veten: “Çfarë kërkohet prej meje që të veproj për të arritur…” Ndërsa dështakët qysh në disfatën e parë tërhiqen dhe zmbrapsen, dhe nuk e kanë më kurajën dhe guximin që të tentojnë sërish.
27. Mos i cakto zgjidhjes së problemit tënd vetëm një alternativë, por mendo dhe vendos më shumë se një zgjidhje, sepse si do të veprosh nëse mundësia jote e vetme të mos funksionojë? Çfarë do të ndodhë, nëse rrethanat do të ndryshonin? Cili do të jetë reagimi yt? Prandaj gjithmonë mendo për më shumë se një zgjidhje dhe mos harro që t’i shkruash ato në letër.
28. Ai person që nuk ka një synim të caktuar madhor është njeri i humbur. Shembulli i tij është sikurse shembulli i anijes, e cila lundron në oqean pa busull.
29. Të shumtë janë ata që pretendojnë se dinë gjithçka dhe kur ballafaqohen me ndonjë problematikë rreth së cilës nuk kanë njohuri tregojnë mendjemadhësi ndaj së vërtetës dhe veprojnë me hamendje. Nëse ke guximin dhe dëshirën të arrish deri te zgjidhjet kreative prano së pari para vetes se nuk di aq sa duhet, porse ke nevojë për njohuri më të shumta. Ky miratim konsiderohet fuqi për ty dhe për të tjerët. Ky lloj pranimi do të kontribuoj dukshëm që t’i të përparosh dhe të bëhesh i dijshëm për t’u njohur me zgjidhjet përmes kërkimit të dijes dhe njohurive shkencore.
30. Nëse dëshiron t’i përfitosh të tjerët, nëse ke dëshirë që të gëzosh popullaritet te njerëzit, nëse synon që të ecësh në rrugën e gjetjes së zgjidhjes, atëherë zbulo te njerëzit anët e tyre pozitive dhe inkurajoji, lavdëroji dhe uroji për to, e më pas bëju një kritikë konstruktive kur të jeni vetëm. Askush nuk ka dëshirë që të kritikohet në prani të të tjerëve, sepse njeriu është qenie emocionale dhe gjakësor nën lëkurë. Lavdëro, uro dhe përgëzo e pastaj kritiko e përmirëso.
31. A e ke kapur lapsin në dorë për të shkruar çfarë dëshiron të arrish sot. Nëse e bën një gjest të tillë shprehi, atëherë kjo me lejen e Zotit do të ndikojë që jeta jote të ndryshojë për të mirë, ku do të çojë në realizimin e synimeve të tua.
32. Mendo, medito dhe pyet cilët janë ata persona, me të cilët unë po shoqërohem më shumë? Sa është përkushtimi i tyre ndaj fesë? Çfarë është të menduarit e tyre? Cili është perceptimi i tyre për jetën? Si ndihem unë kur dëgjoj fjalët dhe mendimet e tyre? Nëse zbulon se disa prej tyre nuk të inkurajojnë dhe nuk të frymëzojnë fare, mirëpo vetëm ndikojnë në vonimin tënd drejt suksesit, atëherë cila është arsyeja që të detyron të vazhdosh të qëndrosh me ta? Ndeja me çfarëdo personi që përhap informata negative dhuron pesimizëm dhe ndikon për keq në të menduarit tënd, duke t’i mbyllur dyert e zgjidhjeve, është humbje. Prandaj përcakto se kush janë ata dhe largohu prej tyre psiqikisht dhe fizikisht. Mendo për njerëzit e devotshëm, për kolosët e këtij umeti dhe rri me njerëz të suksesshëm, të garantoj se shumë shpejt do ta vëresh dallimin.
33. Përcilli me kujdes arritjet e tua ditore dhe do të arrish sukses me një shpejtësi të madhe. Vijimësia e pandërprerë është prej çelësave të suksesit.
34. Nëse për një punë shpenzon mundin maksimal dhe papritur ndodh diçka e pakëndshme, e cila ndikon që punët të mos ecin për së mbari, mos e qorto dhe mos e mallko veten, por thuaji fjalë shpresëdhënëse dhe inkurajuese, si p.sh. Allahu kështu ka caktuar dhe atë që ka dashur ka vepruar, të Allahut jemi dhe vetëm tek Ai do të kthehemi.
35. Optimisti i gjen dyert e zgjidhjes gjithmonë të hapura para vetes. Liderët kanë arritur që të qëndrojnë stoikisht para sfidave të jetës, ndërsa vështirësitë që i kanë hasur gjatë rrugëtimit të tyre i kanë shndërruar në raste dhe mundësi.
36. Nëse je plotësisht i bindur se ke të drejtë, atëherë prej kujt frikësohesh? Nëse veprimtaria jote është në përputhje me kënaqësinë e Allahut, pse atëherë të ekzistojë droja dhe frika prej njerëzve. Nisu qysh sot dhe thuaje qartë atë që dëshiron, ngase Zoti ty të krijoi të jetosh i lirë.
37. Askush nuk mund të jetë i lirë plotësisht përderisa nuk bëhet i sinqertë dhe besnik ndaj vetes.
38. Ti je rezultat i asaj çfarë mendon, sjellja jote është produkt i mendimeve të tua, nëse sheh dikë duke qeshur dhe është i lumtur dije se mendimet e tij të brendshme janë pozitive. Ndrysho të menduarit tënd në drejtim të sferës së shpresës, optimizmit dhe zgjidhjes, kjo me dëshirën e Zotit do të reflektohet dhe kthehet në sjelljet dhe raportet e tua me të tjerët, duke të ofruar rehati dhe sukses.
39. Nëse një mendim mund të ndikojë, që të sëmuresh, atëherë ka mundësi gjithashtu të veprojë, që të ndihesh i shëndetshëm.
Ai që në jetë ka më shumë armiq se sa miq, le ta kontrollojë mënyrën e të menduarit të tij.
Agron Terziqi
albislam.com