Të shtunën, rreth 35 mijë maturantë do t’i nënshtrohen pjesës së dytë të provimit të maturës. Derisa në pjesën e parë të provimit më 9 qershor, i janë nënshtruar testit në lëndët e përgjithshme: gjuhë shqipe, gjuhë angleze dhe matematikë, në pjesën e dytë do të përgjigjen në pyetjet nga lëndët që janë të përafërta me drejtimet që i kanë ndjekur gjatë shkollimit të mesëm dhe që përbëjnë dyzet për qind të pyetjeve.
Sipas njoftimit të Ministrisë së Arsimit, Shkencës dhe Teknologjisë, testi i maturës fillon në ora 10:00, ndërsa do të përmbajë 80 pyetje.
Në këtë proces do të jenë të angazhuar 900 komisione, 2 mijë e 600 administrues të cilët drejtpërdrejtë do të merren me administrimin, dhe së paku 300 monitorues nga UP-ja.