AGIM BAÇI
LETËR TIM BIRI
“Të shkollohesh” biri im do të thotë shumë, por ndonjëherë edhe asgjë, ose shumë pak për të kuptuar jetën njerëzore. Nuk kam qëllim të të dekurajoj duke të shkruar këto rreshta vetëm për të të thënë se shkolla nuk të jep disa gjëra të rëndësishme për të kuptuar si duhet jetën dhe sfidat e saj. Ka shumë mësues që na kanë mbetur në mendje neve, prindërve të tu, e sigurisht do të të mbeten në mendje edhe ty dhe vëllait tënd disa prej tyre. Por jo për ato që kanë librat, por për mënyrën se si na e kanë qasur të mësuarit, se si kanë arritur të komunikojnë me ne, se çfarë kanë arritur të bëjnë të rëndësishme në jetën tonë e mbi të gjitha, se sa kanë besuar në aftësitë tona. Por, biri im, duhet të dish se shumë gjëra thelbësore për jetën tonë i mësojmë jashtë kurrikulës së shkollës, pasi aty nuk na mësohet as si të dashurojmë, as si të kemi kurajë dhe as si të luajmë, si të grindemi, si të kërkojmë falje apo se si të falim dikë tjetër.
Biri im, kam kohë që edhe unë mësoj çdo ditë prej teje dhe prej vëllait tënd, sepse ju jeni bij të një kohe tjetër, asaj teknologjike dhe të informacionit. Por, duhet të dish se ti dhe yt vëlla jeni njëkohësisht edhe vijim i kohës së përhershme, nga e cila të gjithë kemi nevojë të marrim disa gjëra, që shkolla nuk i ka në kurrikulat e saj – kjo është koha e të kuptuarit të vlerave të përhershme njerëzore, e të kuptuarit të tjetrit, e të kuptuarit të lirisë. P.sh., biri im, ndër gjërat më të shtrenjta në jetë janë miqësia pa interes dhe dashuria e sinqertë e të tjerëve ndaj nesh. Në botën e sotme nuk janë aspak të lehta për t’u arritur. Nuk kanë qenë kurrë të lehta rrugët as për gjyshërit apo prindërit e tu për të kërkuar këto kënaqësi. Por përvoja jonë është vetëm një shtysë për ty, pasi sot, në një botë ku interesi ka mbuluar thuajse gjithçka e sidomos kur dija dhe ndershmëria nuk nënkupton më një rrugë me të cilën njerëzit krenohen, të kërkosh një miqësi dhe një dashuri të tillë është edhe më e vështirë sesa në kohën tonë. Por në këtë udhë të gjetjes së këtyre kënaqësive, mos u shkarko kurrë nga përgjegjësia jote edhe nëse nuk i gjen për një kohë të gjatë e mos prano të të shkarkojmë as ne, prindërit e tu, nga kjo përgjegjësi, sepse shkarkimi nga përgjegjësia do të të kthejë ty në skllav të dëshirave, do të bëjë që të urresh lirinë tënde për të vendosur.
Biri im, të gjitha kohërat kanë vështirësitë e sfidat e veta. Dhuna e të gjitha llojeve, poshtërsitë apo grabitjet e ndryshme të pronës, gënjeshtrat apo mashtrimet kanë qenë gjithmonë pjesë e kësaj bote. Ndaj, që të jetosh mirë, të jetosh ndershmërisht, nuk të vjen si dhuratë nga qielli, por nga ajo që ti beson, nga guximi yt, nga kuraja jote, pasi ne në thelb jemi ajo që mbrojmë në përditshmërinë tonë, sepse ne jemi ajo që zgjedhim të bëjmë.
Me të drejtë mund të më pyesësh se përse po t’i them sot që je ende në shkollë të gjithë këto gjëra, nëse disa prej këtyre dijeve që po të them nuk i përkasin shkollës? Po t’i them biri im, sepse në shkollë je me shumë nga bashkëmoshatarët e tu, me të cilët ke nevojë të debatosh, me të cilët bashkëndan disa prej ëndrrave të moshës tënde. A i studion ëndrrat tuaja kurrikula? A kanë për detyrë mësuesit të merren me ëndrrat tuaja? Jo, biri im, as kurrikulat e as mësuesit nuk mund të merren me ëndrrat tuaja. Por shkolla shpesh bëhet pjesë e mënyrës se si ëndërrojmë, ndërkohë që një mësues na fton në këtë rrugë e ndonjë tjetër na ul me këmbë në tokë, duke na kërkuar të shohim vetëm realitetin. Ndaj dhe dua që ta dish se jo gjithçka na e mëson shkolla apo mësuesi, por ne duhet të dimë se auditorët janë një autostradë ku ne mësohemi se si të ecim me të tjerët, të kuptojmë atë që na thuhet si pjesë e së tërës. E nëse mundesh që lirinë, kurajën, grindjen, faljen dhe ëndërrimin t’i diskutosh edhe me miqtë e tu, në shkollë dhe jashtë shkolle, atëherë ke nisur një rrugë që nuk do jesh kurrë vetëm. Është një rrugë që edhe kur të rrëzohesh, do të kesh mundësi të ngrihesh për të ecur sërish. Ndaj, më lejo edhe një herë të të kujtoj se të shkosh në shkollë, nuk do të thotë edhe se “je bërë Njeri”.