-3.4 C
Pristina
Sunday, January 19, 2025

Të sëmurët nga Kosova mirënjohës shëndetësisë turke

Më të lexuarat

Xhemil Selmani, Violeta Vehapi dhe Halil Halili janë tre pacientë nga Kosova që kurohen në spitalin trajnues dhe kërkimor të onkologjisë “Dr. Abdurrahman Yurtarslan” në Ankara, një nga spitalet e mirënjohura në fushën e onkologjisë…

 

Ambasadori i Republikës së Kosovës, Z. Avni Spahiu i shoqëruar nga diplomatët e ambasadës Gulsen Bolukbasi dhe Melhin Mahmuti dhe nga Dr. Mehmet Bakirtas, zhvilloi një vizitë tek pacientët kosovarë, të cilët kurohen në spitalin trajnues dhe kërkimor të onkologjisë “Dr. Abdurrahman Yurtarslan” në Ankara.

Pacientët nga Kosova, Xhemil Selmani, Violeta Vehapi dhe Halil Halili, trajtimi i të cilëve bëhet me shpenzimet e Ministrisë së Shëndetësisë së Republikës së Turqisë dhe që mundësohet në kuadër të marrëveshjes për bashkëpunim në sektorin e shëndetësisë mes dy vendeve, shprehën falënderimet e tyre ndaj Ministrisë së Shëndetësisë së Turqisë dhe spitalit onkologjik “Dr. Abdurrahman Yurtarslan” në Ankara për mundësimin e kurimit të tyre.

Xhemil Selmani, njëri prej pacientëve që vazhdon të mjekohet në këtë spital, shprehu kënaqësinë nga vizita e përfaqësuesve të Ambasadës, ndërsa shtoi se mundësia për t’u kuruar në Turqi është një shans i madh për t’u kthyer në jetë.

“E falënderoj popullin turk, sepse unë falë ndihmave të tyre po kurohem në njërin prej spitaleve më të suksesshme në botë. Falënderoj nga zemra udhëheqësit e spitalit “Dr. Abdurrahman Yurtarslan”, me në krye Doc. Dr. Mehmet Sinan Dal, të gjithë mjekët, infermieret, të cilat e kryejnë detyrën e tyre me përkushtim dhe të gjithë punonjësit e tjerë që punojnë me përkushtim për shërimin tonë. Gjithashtu i shpreh mirënjohje të thellë Ministrisë së Shëndetësisë dhe Republikës së Turqisë, e cila drejtohet nga lideri i të gjithë myslimanëve, Presidenti Recep Tayyip Erdogan”, theksoi Selmani.

Edhe Violeta Vehapi, nënë e 5 fëmijëve, e cila para disa muajsh humbi bashkëshortin e saj, shprehu mirënjohjen e saj të thellë ndaj institucioneve turke, ndërsa vijoi me këto fjalë: “I shpreh falënderimet e mia Ministrisë së Shëndetësisë, e cila më mundësoi kurimin dhe të gjithë punonjësve të spitalit onkologjik të Ankarasë. Falënderoj të gjithë ata që bënë përpjekje për ardhjen time këtu; ata të cilët më ndihmojnë prej ditës së parë dhe gjithë stafin e spitalit. Me mbështetjen dhe ndihmën e tyre unë po shërohem dalëngadalë. Nuk mund të ketë lumturi më e madhe se kjo. Unë me lejen e Allahut dhe ndihmën e tyre do të kthehem përsëri në jetën dhe familjen time”.

Ndërsa Halil Halili, duke vënë në dukje se trajtimi i tij në këtë spital po ecën shumë mirë, tha se “Çdo gjë në këtë spital është në nivel të lartë. Unë falënderojë Ministrinë e Shëndetësisë së Turqisë për mundësimin e kurimit tim këtu dhe ambasadën e Republikës së Kosovës për interesimin e treguar ndaj pacientëve kosovarë. Gjithashtu shpreh falënderime edhe Ministrisë së Shëndetësisë së Kosovës dhe të gjithë punonjësve të spitalit onkologjik të Ankarasë, të cilët janë shumë profesional. Është një shans i madh për mua që më mundësohet të vazhdojë trajtimin në këtë spital. Shërbimet shëndetësore dhe interesimi për pacientët këtu janë në nivelin më të lartë. Shërimi im ecën mirë dhe kam rezultate të mira”.

Në kuadër të marrëveshjes për bashkëpunim në sektorin e shëndetësisë të arritur mes Kosovës dhe Turqisë në vitin 2009, me mbështetjen e Ministrisë së Shëndetësisë së Turqisë deri më sot në Turqi janë kuruar me qindra të sëmurë nga Kosova.

- Advertisement -spot_img

Më tepër

Të fundit