Sabrie Tefiki, 24-vjeçare nga Tetova, thotë se pas përfundimit të studimeve në nivelin master për psikologji, gjendet në udhëkryq, pasi nuk e di sesi do ta ushtrojë profesionin e saj.
Tefiki thotë për Radion Evropa e Lirë se gjatë studimeve ka marrë njohuri të shumta rreth psikologjisë, porse ato nuk i kanë mjaftuar, pasi, siç thotë, nuk ka pasur një plan sesi do t’i realizojë synimet që ia ka vënë vetes.
“Është më se e nevojshme që të kemi një plan të strukturuar rreth asaj se cilat janë synimet tona, sa mund t’i arrijmë ato dhe, në këtë kontekst, është ajo ideja se kam më shumë nevojë për më shumë informacion, në mënyrë që t’i kem më të qarta synimet, ta kem më të qartë atë që dua dhe, mbi të gjitha, të kem një plan mbi të cilin do të drejtohem”, thotë Tefiki.
Ajo thotë se për profesionin e psikologut ka shumë nevojë në ditët e sotme, për shkak të depresionit të nxitur nga kriza e pandemisë së koronavirusit. Por, sipas saj, sfidë është përshtatja e këtij profesioni me kërkesat e kohës.
Për këtë ajo ka marrë ndihmë të madhe gjatë trajnimeve të organizuara nga Ministria e Arsimit dhe organizata joqeveritare, Këshilli Kombëtar për Arsimin e të Rinjve, ku të rinjtë kanë mundësi të hartojnë plane për karrierën e tyre.
Sipas Tefikit, të rinjtë kanë pak informacione sa i përket mundësisë së zhvillimit të karrierës.
“Nuk është çështja të kërkoj një punë dhe ta gjej. Në çdo profesion, ne kemi disa mundësi. Por, na mungojnë informacionet se cila është mundësia më e mirë”, thotë ajo.
Teodora Tomevska, 23-vjeçare, thotë se trajnimet që përgatisin të rinjtë për zhvillimin e bizneseve, janë shumë të rëndësishme, pasi ato ua bëjnë të qartë atyre se çfarë mundësish kanë.null
Ajo aktualisht është në vitin e fundit të studimeve në drejtimin Inxhinieri Informative.
“Tani që jam në fund të studimeve jam në udhëkryq: të vendos që të vazhdoj në drejtimin që kam zgjedhur si programuese në inxhinieri softueri apo të orientohem nga dizajni dhe programimi i video-lojërave që i kam si hobi”, thotë ajo.
“Në mënyrë të njëjtë i dua që të dyja këto drejtime. Trajnimi ma bën më të qartë rrugën që duhet të ndjek gjatë zhvillimit të karrierës sime. Pra, cili profesion është më i duhuri në bazë të afiniteteve, njohurive, por edhe pasionit që kam? Gjithsesi, kam nevojë për më shumë informacione rreth mundësisë që të kem një biznes timin”, thotë Tomevska.
Nga Oda Ekonomike e Maqedonisë Veriperëndimore thonë se po thellohet hendeku i pritjeve të punëdhënësve dhe punëkërkuesve.
Drejtori i kësaj ode, Drilon Iseni, thotë për Radion Evropa e Lirë se punëdhënësit janë të pakënaqur nga kuadrot që dalin pas përfundimit të studimeve universitare.
“Pse të rinjtë nuk kyçen në biznes? Vlerësimi ynë është se në shkolla, pavarësisht niveleve, nuk stimulohet konkurrueshmëria në mesin e të rinjve, gjegjësisht nuk kemi metoda të nxitjes së shpirtit si sipërmarrës dhe kjo bën që të rinjtë të jenë më pasivë dhe të mos kenë guxim të kyçen në sektorin e biznesit. Edhe anketat e ndryshme që realizojmë ne si Odë Ekonomike, mbi 90 për qind e tyre, kanë preferencë që të kyçen në administratë dhe jo në sektorin privat”, thotë Iseni.
Kryetari i Organizatës së Punëdhënësve në Maqedoninë e Veriut, Angell Dimitrov, thotë se pandemia COVID-19 ka dëshmuar se shumë profesione mund të ushtrohen suksesshëm në mënyrë jokonvencionale.
Ai thotë se personat më të suksesshëm nuk janë ata që gjatë studimeve kanë pasur nota të mira, por ata që arrijnë të përvetësojnë shkathtësi të ndryshme dhe u përshtaten rrethanave të imponuara nga COVID-19.
“Për të rritur pagat nevojitet të rritet produktiviteti. Kjo arrihet vetëm përmes të punësuarve që kanë ide kreative për të zhvilluar biznesin. Kjo u dëshmua gjatë pandemisë, pasi kishim shumë raste kur persona të caktuar punonin nga shtëpia dhe ishin shumë më produktivë, ndërkohë që kostoja e kompanisë ishte e ulët”, thotë Dimitrov.
Sipas të dhënave të Entit të Statistikave, papunësia në Maqedoninë e Veriut është rreth 16 për qind. Por, shkalla e papunësisë në grupmoshën 15-29 vjeç është 28.8 për qind.
Sipas hulumtimit të organizatës joqeveritare Sega, të rinjtë në Maqedoninë e Veriut, pas përfundimit të shkollimit, presin rreth dy vjet e gjysmë që të gjejnë një vend pune./REL/