1.7 C
Pristina
Thursday, December 26, 2024

Të papunët, të pa interesuar për punë

Më të lexuarat

Në kohën kur papunësia në Kosovë po shënon gjithnjë rritje, në komunën e Ferizajt po ndodh një situatë e pazakontë për kohën. Janë 578 vende të lira punë të shpallura në Qendrën për Punësim, për të cilat fare nuk shprehë interesim askush.

Drejtues të kësaj qendre, e cila edhe ndërmjetëson në punësimin e atyre që kërkojnë punë, kanë thënë të enjten se në këtë qendër vazhdimisht ka kërkesa nga subjektet afariste për të punësuar fuqi punëtore, por që interesimi i punëkërkuesve është i vogël. Se ku është arsyeja e vërtetë e këtij mosinteresimi edhe zyrtarët nuk janë në gjendje ta thonë.

Drejtori i QRP-së në Ferizaj, Luan Jahiri, tha për Kosovapress, se kjo më të vërtetë përbën shqetësim për kohën, kur vendet e shpallura kryesisht u takojnë profileve që janë joshëse për fuqinë punëtore që aktualisht mbahen në evidencat e qendrës. “Kemi kërkesën e një biznesi për t’i punësuar 20 zdrukthëtarë me kushte të mira. Fatkeqësisht askush nuk lajmërohet. Kërkesa kemi edhe për profilet tjera si saldator, murator, kamarierë e punëtorë fizikë, por që ja nuk ka të interesuar. Arsyet e punëkërkuesve janë të ndryshme, disa i lidhin me kushtet e punës, udhëtimin e pagën. Ne apelojmë të punëkërkuesit që të vijnë në qendër dhe të njoftohen me këto vend të punës”, theksoi Jahiri.

Por, ata të cilët janë më të interesuarit për të gjetur një vend të punës, nuk mendojnë njësoj sikurse zyrtarët, duke thënë se në të shumën e rasteve punëdhënësit nuk sillen edhe ashtu siç thuhet dhe prezantohet në publik. “Ka raste kur nuk shpërblehesh sa duhet për punën e bërë, e mos të flasim edhe për kushtet e punës dhe orarin e gjatë”, thotë Qamil Xhema, punëkërkues që më shumë e preferon tregun e fuqisë së krahut, se sa të kërkoj ndonjë punë në Qendrën e punësimit.

Së fundi, kjo Qendër do të jetësoj dy projekte të punëve publike, të cilat parashohin punësimin e 60 punëkërkuesve për një kohë të caktuar.

Drejtori i Qendrës, Luan Jahiri, shpjegon se këto dy projekte, njëri që parasheh rregullimin e shtigjeve të ecjes dhe trotuareve në Parkun e Lirisë dhe tjetri që ka të bëjë me mirëmbajtjen dhe kultivimin e zonave rekreative në komunën e Ferizajt, do të angazhoj kryesisht fuqinë punëtore që hëpërhë ndodhën në skemën sociale të kategorisë së dytë. “Ky projekt i cili financohet nga Banka Botërore dhe implementohet në bashkëpunim me Ministrinë e Punës dhe Mirëqenies Sociale (MPMS) synon që të kontribuoj në buxhetin e Kosovës, ngase të punësuar do të jenë përfituesit e skemës sociale, të cilët derisa të jenë të përfshirë në këtë projekt nuk do të marrin asistencën”, tha Jahiri.

Ndryshe, zyrtarisht në komunën e Ferizajt si të papunë janë të evidentuar 15 471 persona të të dy gjinive, shifër kjo që krahasuar me periudhën e njëjtën të vitit të kaluar është më e vogël po thuajse për rreth 3000 persona.kohaislame

- Advertisement -spot_img

Më tepër

Të fundit