9.4 C
Pristina
Monday, November 18, 2024

Të kursehesh nga dënimi

Më të lexuarat

Ia vlen të gëzohemi kur vie Ramazani për shkak të dhuratave të shumta që na i sjell në pako nga Allahu i Madhërishëm. Ato begati janë të shumta dhe të llojllojshme. Secilës prej tyre duhet t’i gëzohet besimtari ngase çdonjëra është shumë e vlefshme, por njëra është shumë e veçantë. Atë e paralajmëron i Dërguari i Allahut në hadithin që vijon:

“Në natën e parë të muajit të Ramazanit prangosen djajtë dhe xhinët e rebeluar, mbyllen dyert e skëterrës dhe asnjë prej tyre nuk hapet, hapen dyert e xhenetit dhe asnjë prej tyre nuk mbyllet. Një thirrës thërret: O ti që synon të mirën, ec dhe, o ti që e synon të keqen, hiq dorë! Allahu amniston njerëz nga zjarri. Dhe kjo ndodh çdo natë.” (Tirmidhiu, sahih)

Çdo besimtar i sinqertë, duke i pasur parasysh të metat e veta, si në rrafshin e obligimeve që ka lënë mangut, ashtu edhe në fushën e ndalesave që nuk ka treguar kujdes, e ka frikë zjarrin e xhehenemit. Ka frikë se mos po përfundon në listën e të dënuarve me meritën e vet. Dhe imagjino, edhe sikur të ishte e arsyeshme ajo frikë, edhe sikur Drejtësia e Allahut të vendoste që ndonjëri, sipas asaj që ka merituar, të ishte prej banorëve të zjarrit, Allahu me Mëshirën dhe Mirësinë e Vet të vendosë që për secilën natë të Ramazanit të largojë nga listat e të dënuarve emrat e robërve të Vet, emrin tënd dhe timin. Dhe kjo mirësi, për sa të zgjasë Ramazani, përsëritet çdo natë, duke u përsëritur mundësia dhe rasti që të shlyhet dënimi. Nuk mund të themi ndryshe vetëm se Mirësia e Allahut e tejkalon Drejtësinë e Tij. Allahu tregohet i Dashur për robërit e Vet dhe ua jep mundësinë të pastrohen, të fisnikërohen, të shpetojnë nga shkatërrimi dhe përfundimi i keq.

Mundësia për të përfituar nga kjo ofertë hyjnore vie në shprehje kur vetëdijësohemi për të metat tona, i pranojmë ato, duke e imagjinuar Drejtësinë e Allahut, njëkohësisht duke u përpjekur që brenda kufijve të njerëzores të shpaguhemi, të shlyejmë emrat nga lista e të dënuarve, të dëshmojmë se na vie keq për atë që ka kaluar dhe se dëshirojmë të përmirësojmë atë që ka mbetur.

Mbetet përgjegjësi e jona që Allahu të sheh në ne vendosmëri dhe seriozitet në rrugën e arritjes së Kënaqësisë së Tij.
Hoxhë Ekrem Avdiu

- Advertisement -spot_img

Më tepër

Të fundit