Gjykata Themelore në Prishtinë u ka vazhduar paraburgimin edhe për dy muaj të tjerë dy të dyshuarve për vjedhjen e 2.1 milionë eurove nga Thesari i Shtetit në kuadër të Ministrisë së Financave.
Të dyshuarit Kadri Shala dhe Labinot Gruda do të vazhdojnë të qëndrojnë në paraburgim deri në muajin maj të këtij viti.
Kjo është konfirmuar për lajmi.net nga zëdhënësja e Gjykatës Themelore në Prishtinë, Mirlinda Gashi.
Gashi ka deklaruar se Gjykata Themelore në Prishtinë-Departamenti Special ka vazhduar masën e paraburgimit për dy të pandehurit edhe për dy muaj.
“Gjykata Themelore në Prishtinë – Departamenti Special ka vazhduar masën e paraburgimit për të pandehurin K.SH. në kohëzgjatje edhe për dy muaj, respektivisht prej datës 23 mars 2021 deri me datë 22 maj 2021, ndërsa edhe të pandehurit L.G. i është vazhduar paraburgimi edhe për dy muaj, prej datës 17 mars 2021 deri me datë 16 maj 2021”, u tha në përgjigjen e Gashit.
Ndryshe në fund të muajit tetor të vitit 2020 u bë e ditur se nga Thesari i Shtetit janë “avulluar” 2.1 milionë euro.
Përmes një konferencë të jashtëzakonshme Ministrja e Financave asokohe, Hykmete Bajrami pati njoftuar se bëhet fjalë për një vjedhje jo të zakonshme, duke deklaruar se nga Thesari i Shtetit u vodhën më tepër se 2 milionë euro.
“Ajo që dua t’ju siguroj është se ky është një rast i izoluar më te cilin po merret intensivisht edhe Ministria e Financave dhe organet e rendit. Mjetet e tyre dhe buxheti i Kosovës është i sigurt. Nuk është tërheqje e mjeteve kesh, por përmes llogarisë sepse mjetet e buxhetit të Republikës së Kosovës janë në Bankën Qendrore të Kosovës dhe janë të sigurta”, pati thënë ministrja para mediave.
Lidhur me këtë rast në shkurt të këtij viti nga Prokuroria Speciale e shtetit u bë e ditur se janë bllokuar gjithsej 34 llogari bankare dhe janë bllokuar poashtu edhe 600 mijë euro.
Përpos kësaj nën dyshimin e përfshirjes në këtë rast janë sekuestruar edhe katër vetura.
“Ju njoftojmë se janë ngrirë 34 llogari bankare, të bizneseve në të cilat janë transferuar të hollat nga i pandehuri K. SH, pronar i (LDA Group). Vlen të theksohet se deri më tani shuma e përgjithshme e ngrirë është rreth 600,000 euro, janë sekuestruar 4 automjete vlera e përafërt e të cilave është 100,000 euro”,ishte thënë në njoftimin e prokurorisë.