-1.4 C
Pristina
Monday, January 13, 2025

Të dhëna të tmerrshme nga Gjermania mbi “njerëz të Zotit” pa Zot

Më të lexuarat

Priftërinjtë e akuzuar për abuzim, të dërguar në misione jashtë vendit

Një prift dyshohet se ka abuzuar me vajza, por në vend që të hetohej rastin, Kisha Katolike e ndihmoi atë të arratisej në Amerikën e Jugut. Siç raporton shërbimi publik ARD, ky nuk është një rast i izoluar.

“German Josef” ishte emri i një prifti që erdhi në Brazil nga Bavaria, kjo në fund të viteve 1970 dhe në fillim të viteve 1980. Fjala është për priftin Josef Ludwig Zottmann, i cili u vendos në qytetin Itumbiara.

Megjithatë, ajo që besimtarët nga Itumbiara nuk e dinë deri më sot është se ky misionar gjerman ishte në të vërtetë në arrati. Në vitin 1969, për të u lëshua një urdhër arresti me dyshimin se kishte sulmuar seksualisht pesë studente.

Zyrtarët e lartë të kishës në Gjermani dhe Brazil, duke përfshirë një abat dhe disa peshkopë, u informuan më pas për ndjekjen penale. Megjithatë, ata nuk bashkëpunuan me autoritetet. Këtë e vërtetojnë letrat që u shqyrtuan ekskluzivisht nga gazetarët e revistës politike Report München dhe studios ARD në Rio de Zhaneiro. Vetëm pasi çështja u harrua, Zottmann u kthye në Gjermani në vitet 1980.

Dioqeza financoi fshehurazi të dyshuarin

Dioqeza Eichstätt financoi fshehurazi priftin, duke e maskuar rrogën e tij si një “dhurim misioni”, ndaj famullitari i përgjithshëm i Eichstätt i transferoi paratë jashtë vendit.

Këtë e tregojnë dokumentet konfidenciale të mëparshme nga arkivat e dioqezës Eichstätt. Ish-oficeri i policisë Peter Grimm aktualisht po heton çështjen Zottmann për Komisionin e Pavarur Hetimor në atë dioqezë. “Gjurma e parave luajti një rol kyç në hetim: edhe pasi ai u arratis dhe ishte jashtë vendit, paratë i shkonin aty ku ishte,” tha Grimm.

Një tjetër prift u dërgua në Bolivi pas akuzave për abuzim

Report München ka dokumente për raste të tjera të priftërinjve me një histori abuzimi që përfunduan jashtë vendit. Kryepeshkopata e Bambergut, për shembull, ndihmoi priftin Dieter Scholz, kundër të cilit dy djem kishin ngritur akuza për abuzim në vitin 1963, të shkonte dhe të punonte si misionar në Bolivi. Pas pesë vjetësh, ai u kthye në Gjermani dhe shërbeu si pastor në Bavari, ku u shfaqën përsëri akuzat për abuzim kundër tij.

Martin Berger (emri i ndryshuar), një ish-djalë altari, akuzon Scholz-in për abuzime të shumta gjatë viteve 1970. Berger është i indinjuar që Kryepeshkopata e Bambergut e lejoi Scholz-in të vazhdonte shërbimin e tij pavarësisht akuzave të mëparshme: “Për mua, kjo ishte një licencë dhe leje e hapur për autorin që të vazhdonte mizoritë e tij.”

E pyetur nga ARD, Kryepeshkopata e Bambergut u shpreh: “Përse prokuroria apo policia nuk ishin të informuara në atë kohë, tani është e pashpjegueshme për ne”. Ndërkohë, është porositur një studim shkencor për abuzimin seksual të klerikëve në kryepeshkopatë.

Sipas informacioneve nga zyra e shtypit, disa raste janë të njohura edhe nga dioqeza e Trierit në Gjermaninë perëndimore. Ato përfshijnë një prift që u ndoq penalisht në Gjermani për abuzim seksual dhe që u dërgua në Evropën Lindore në fund të viteve 1990. Prifti i dytë kishte punuar si pastor në Amerikën e Jugut që nga viti 1966, pavarësisht se qysh në vitet 1960 kishte “indikacione të qarta për raste të mundshme abuzimi” në Gjermani.

Këto raste është duke i hetuar edhe Dioqeza e Trierit përmes një komisioni të pavarur.

Mbulimi i abuzimit

Ekspertja ligjore Bettina Janssen hasi në raste të ngjashme gjatë kërkimit të dokumenteve të kishës për Konferencën e Peshkopëve Gjermanë. “U gjetën mënyra të ndryshme për të fshehur priftërinjtë dhe lidhjet me dioqezat, duke përfshirë ndihmën financiare,” tha Janssen. U përdorën identitete të rreme, llogari ndërmjetëse dhe kanale financiare sekrete dhe viktimat u neglizhuan. Janssen e përshkruan këtë si “një formë të pengimit të drejtësisë”.

Çfarë thonë përgjegjësit në Kishën Katolike?

Peshkopi i Eichstätt, Gregor Maria Hanke, i quajti këto praktika “të papranueshme” dhe “natyre kriminale”: “Viktimat kanë pësuar vuajtje të papërshkrueshme, jetët e tyre janë shkatërruar. Të shohësh se si mbrohen autorët është skandaloze”. Dioqezat e Trierit, Eichstätt dhe Kryedioqeza e Bambergut aktualisht po u bëjnë thirrje viktimave të mundshme të dalin përpara drejtësisë, raporton Deutsche Welle.

- Advertisement -spot_img

Më tepër

Të fundit