1.8 C
Pristina
Friday, November 15, 2024

Të burgosur në shpellë – Fabian Zhilla

Më të lexuarat

Të burgosur në shpellë

Fabian Zhilla

Duket si paradoks. Shpella është një ambient i mbrojtur në lirinë natyrale dhe të përkorë. Si e dhënë nga Zoti, çdo kalimtar mund të zgjedhë të strehohet në të nëse i duhet të kyçet për të kaluar një natë apo një sezon të vështirë dimri deri sa të vijë pranvera. Ndërkohë, burgu është një institucion i krijuar nga njerëzit për të dënuar dhe ndëshkuar. Njeriu e vendos vetë nëse do ta kthejë një shpellë në burg edhe pse kjo nuk është krijuar për këtë qëllim. Dhe këtu kthehemi tek esenca e këtij shkrimi. A kanë vendosur shqiptarët që ta kthejnë shtetin e tyre në një shpellë burg? Çfarë i detyron ata të mos dalin dot prej saj paçka se stina politike ka ndryshuar?

Marrëdhënia delikate, gati dëshpëruese, e shoqërisë shqiptare me shtetin e së drejtës është jo vetëm shqetësuese, por po kthehet gradualisht në një makth kulturor. Shoqëria shqiptare ishte subjekt i një diktature me karakter politik, por edhe kulturor, pasojat e të cilës vazhdojnë të sfidojnë dhe sot studiues dhe intelektualë të cilët kërkojnë të shpjegime për arsyet dhe zgjidhjet. Diskutimi se çfarë nuk shkon mirë në demokracitë postkomuniste qëndron akoma i hapur. Marrëdhëniet midis individit, sistemeve qeverisëse, parimeve dhe traditës politike në këto shoqëri duket se nuk po akomodohen.

Në Shqipërinë postkomuniste i vetmi sukses ka qenë dështimi i vazhdueshëm i shtetit ligjor duke prodhuar një demokraci procedurale, por jo substanciale. Kjo ka prodhuar një demokraci fasadë, të lehtë dhe poroze, e cila kontrollohet nga nëntoka e formave informale të “nëntokës” e cila gjallon. Ashtu si edhe bima, nëse nëntoka është e helmuar, çfarëdolloj fare t’i hedhësh, ajo është e paracaktuar të rrisë fidanë të dobët sado që të prashiten ato sipas modeleve bashkëkohore. Ky shkrim argumenton se ajo që ka shkuar mirë në shtetin ligjor shqiptar, në fakt, është ajo që duhet të shkonte keq.

Në njërën nga kryeveprat më të njohura të Platonit, Republika, ky i fundit përpiqet të interpretojë simbiozën midis fuqisë dhe pafuqisë së individit për ta kundërshtuar apo përshtatjen ndaj një sistemi qeverisës. Platoni, duke dashur të shpjegojë kompleksitetin e kësaj simbioze, përdor në formë alegorike sjelljen e disa të burgosurve në “shpellë”. Nëpërmjet një rrëfenje, e cila karakterizohet nga një diskutim midis Glaukonit (vëllait të Platonit) dhe Sokratit(mësuesit të tij), Platoni përmes gojës së Sokratit shpërfaq epistemologjinë e tij mbi marrëdhënien e brishtë midis sistemit dhe individit.

Në këtë rrëfenjë, Platoni vendos disa individë, të cilët që nga fëmijëria e tyre gjenden në një shpellë të nëndheshme, në pjesën e sipërme të së cilëska vetëm një hyrje që lejon një rreze drite e cila përshkon të gjithë shpellën. Të burgosurit janë të prangosur në këmbë dhe krye duke mos pasur mundësi të lëvizin. Të vendosur përballë njërit prej mureve të shpellës, ata shohin vetëm hijet e njerëzve dhe objekteve që kalojnë pranë një zjarri i cili është ndezur pas tyre. Dialogët e këtyre të burgosurve janë mbi kuptimin e hijeve të cilat projektojnë sendet në murin e shpellës. Të burgosurit japin interpretimet e tyre. Të burgosurit, gjithashtu, së bashku me hijet e sendeve në muret e shpellës shohin dhe hijet e tyre. Ata nuk mund të shohin asgjë tjetër vetëm se hije në një mur, por as mund të lëvizin pasi prangat pengojnë pamjet dhe lëvizjen e lirë.

Sokrati tregon që në fillim të bisedës së tij me Glaukonin se qëllimi i alegorisë së shpellës është për t’i treguar atij se marrëdhënia midis individit dhe qeverisjes lidhet me atë sesa dëshirë ka shoqëria për t’u ndriçuar. Sipas Sokratit imazhet që shohin të burgosurit janë hijet e njerëzve dhe objekteve të cilët ata i kanë me vete si objekte, statuja, kukulla druri ose metali, disa nga to flasin dhe disa heshtin. Që në krye të tregimit, Glaukoni nënvizon se sikurse imazhet që shohin të burgosurit, por dhe vetë ata, janë të veçantë. Më pas, ngjarja vijon me diskutimin e Sokratit i cili shpjegon se edhe nëse në rast se të burgosurve do t’u jepet mundësi të dalin nga burgu, ata do ta kenë të vështirë të përshtaten e të ballafaqohen me realitetin. Edhe sikur për një moment njëri prej tyre do të kishte mundësinë të fitonte lirinë, së pari,ai do ta kishte të vështirë të përballonte dritën e diellit, por nga ana tjetër, dhe t’u shpjegonte realitetin e ri të burgosurve.

Megjithatë, e vetmja mundësi për të dalë nga shpella është që më të mirët e saj të ballafaqohen me dritën e diellit, e cila simbolizon dijen dhe më pas të bindin dhe të burgosurit e shpellës për të dalë prej saj në realitetin e ri. Logjika platonike konsiston në atë se ata që qeverisin duhet medoemos të jenë njerëzit më të arsimuar dhe më të virtytshëm (filozofët). Dhe kjo kërkon dëshirë ose vullnet politik, pra “nuk mund t’i japësh jetë një shpirti që nuk ekziston, sikurse nuk mund të kërkosh t’i japësh dritë syve të verbuar”. Vetëm ata mund t’i nxjerrin të burgosurit nga shpella. Megjithatë, Platoni nuk na shpjegon çfarë ndodh nëse të këqijtë e shpellës dalin prej saj dhe marrin ata në dorë fatet e përcaktimit të imazheve?

Alegoria e shpellës platonike mund të na ndihmojë për të kuptuar se ndryshimi i realiteteve të mbyllura kërkon dëshirë të mbrujtur në parime dhe vizion nga pjesa më e ndriçuar e shoqërisë, intelektualët.

Në pamje të parë, alegoria e shpellës i përshtatet më së shumti situatës që shoqëria shqiptare kaloi gjatë komunizmit. Pra shpella e nëndheshme do të ishte Shqipëria komuniste e cila kaloi një ndër diktaturat më të spikatura në të gjithë Evropën Lindore. E vetizoluar nga pjesa tjetër e botës, asaj të ndriçuar, por dhe asaj në hije, çdokush që Zoti i caktoi të lindte në atë periudhë, do të ishte i detyruar të ballafaqohej me një jetë të izoluar dhe të kontrolluar nga monopartia. Kjo e fundit kishte krijuar habitatin e saj politik në të cilin, si në shpellë, shoqëria ishte e detyruar të zhvillonte intelektin e saj vetëm nëpërmjet perceptimit të imazheve të shformuara ideologjike të cilat u përcilleshin vetëm nga një burim dhe vetëm në një pamje, atë të makinerisë propagandistike të sistemit komunist.

Ky sistem jo vetëm që prangosi shoqërinë e saj, por iu vranë dhe më të mirët e tyre. Pra mundësia që në shpellë të kishte filozofë ishte e pamundur. Dhe se kjo mund të iniciohet nga të mençurit e saj që kanë dëshirën e mirë. Vetëm të ndriçuarit (filozofët) duhet të jenë ata që duhet të udhëheqin dhe t’u interpretojnë imazhet e vërteta banoreve të shpellës.
Sokrati provokon Glaukon duke e pyetur a nuk mendon se a nuk do të mundeshin që të burgosurit të debatonin midis tyre pasi imazhet që ata shohin nuk janë vetëm projeksionet e objekteve që kalojnë pas tyre, por të burgosurit shohin dhe hijet e tyre.

Pra këta të burgosur duhet të jenë në gjendje të bëjnë dallimin midis imazhit dhe realitetit. Por, të mbyllur në një shpellë dhe ku numri i hijeve të cilat vijnë nga imazhet janë më të shumta në numër sesa pamjet reale të të burgosurve, këta të fundit e kanë të vështirë të bëjnë dallimin. Për këta të burgosur e vërteta, nënvizon Sokrati, nuk është asgjë më shumë se hije imazhesh. Pra të vërtetat e komunizmit në Shqipëri ishin tërësisht të mbështetura në projeksione të ideologjive të pavërteta.

Shoqëria jetonte në një pseudoimazh të përcaktuar dhe të projektuar nëpërmjet dialektikës marksiste, ku qytetari i shpellës së Shqipërisë komuniste jetonte në vendin më të bukur dhe në sistemin më të drejtë politik, por i cili rrezikohej nga hijet të huaja.

Zërat e tyre dëgjoheshin, por shoqëria nuk ishte e sigurt nëse këto zëra sipas alegorisë së shpellës ishin të njerëzve që kalonin aty pranë apo ishin zëra të imazheve. Pra shoqëria pështjellohej qëllimisht në lidhje me të vërteten dhe të drejtën duke iu ofruar si e vërtetë vetëm ajo e vijës së partisë dhe si imazh i gabuar ajo e ideologjive të tjera “revizioniste”. Këto të fundit kërkonin të ndryshonin barazinë që kishin të burgosurit, ku të gjithë ishin të barabartë dhe në të njëjtat kushte në shpellë dhe me një orientim.

Platoni sugjeron se të burgosurit mund të njohin realitetin e vërtetë dhe të dalin nga shpella vetëm nëse njëri prej tyre do të marrë guximin të dalë prej saj. Siç e cekëm, kjo kategori filozofësh ishte në burgje dhe e internuar për të mos u integruar më. Protestat e studenteve nuk do t’i ngjanin filozofit platonik që kërkoi të dalë nga shpella, por mbase një dëshire gati intuitive të të burgorsurve për të provuar vetë realitetin e ri. Por sikurse alegoria e shpellës nënvizon, dikush që sapo del nga shpella e ka të vështirë të përshtatet me dritën e fortë të diellit dhe do t’i duhet shpirti (që sipas Sokratit janë virtytet) ta përballojë atë dhe të presë me durim që sytë të mësohen me dritën pas një kohe të gjatë në errësirën e sistemit komunist.

Është ende e debatueshme nëse këta studentë i thyen prangat apo ato pranga u oksiduan nga agjentët e rinj politikë që qarkullonin në rajon. Nga ana tjetër, sot nuk ka studime shteruese midis lidhjes shkak-pasojë të ndikimit të studentëve në formimin e realiteti të ri politik, e cila vazhdon të prodhojë debat edhe në studime të rasteve të tjera studimore të shoqërive ish-komuniste. Në dukje reagimi i studentëve duket më shumë intuitiv sesa ideologjik duke mos arritur dot të përfitonin nga drita e diellit dhe ta përcillnin brenda shpellës për ta kthyer atë nga burg në një ambient banimi.

Disa nga të burgosurit u arratisën nga shpella dhe nuk arritën ta ndriçonin atë. Ajo vazhdoi të ngelet shpellë dhe të administrohet nga të tjerë që ishin familjarizuar me të dhe nuk donin jetë pasi u mungonte shpirti, nuk kërkonin dritë sepse ishin të verbër sipas Sokratit. Pra mundësia e formimit të një elite të re me virtyte duket se dështoi dhe ata që kishin zotëruar shpellën vazhduan ta zotërojnë atë duke mos dashur të ndryshojnë habitatin e forcave brenda shpellës.

Studiues seriozë, si: Ivan Krastev, Rama Karklins, Leslie Holmes apo dhe Alena Ledeneva janë përpjekur të shpjegojnë mungesën e seriozitetit dhe të dëshirës së elitave postkomuniste për të ndryshuar status quo-në. Të akomoduar,pra, në një sistem që u kishte ofruar privilegje dhe u kishte mundësuar nën zhguallin mbrojtës ideologjik të sistemin komunist, elita e saj, e cila trashëgoi edhe drejtimin e shteteve kinse demokratike, nuk kishte tashmë asnjë vullnet për të ndryshuar. Komunizmi kishte arritur të krijonte një shpellë sociale dhe elitën e saj. Në rastin e Shqipërisë, kjo elitë kishte humbur betejën, por do të vazhdonte luftërat e vogla për të tejzgjatur dhe stërholluar dëshirën e shoqërisë për të ndryshuar. Tashmë ‘armiku i jashtëm’ ishte konvertuar në një armik të brendshëm, qëishte lufta për të influencuar këdo që merrte pushtetin.

Pra, nëse njerëzit e shpellës tashmë ishin të lirë nga prangat, ata nuk duhet të ishin të lirë nga mentaliteti i burgut kulturor. Kështu që termi liri duhej relativizuar. Shoqëria do të kishte të drejta, por nuk do të ishte e lirë. Në rastin e Shqipërisë ata që kinse më pas dolën nga shpella dhe drejtuan politikën gjatë tranzicionit duke iu interpretuar shqiptarëve demokracinë nuk ishin më të mirët e saj, por më të fortët e shpellës. Ata nuk pranuan kurrë të ambientonin sytë e tyre me dritën e fortë të dellit. Përkundrazi, ata e refuzuan dhe bënë çdo gjë që ishte e mundur të pengonin që dhe banorët e tjerë të përfitonin imazhet e vërteta të realitetit të ri. Shoqëria shqiptare doli nga shpella e verbuar dhe, si e çartur, vrapoi drejt Evropës duke ndjerë dritën e diellit të saj, por me vështirësi për ta njohur siç duhet, atëherë kur djeg dhe kur ngroh.

Elita postkomuniste luftoi që të orientonte dëshirën për t’u integruar në Evropë në dëshirën për ta braktisur vendin. E bëri këtë duke e paraqitur dhe krijuar idenë se ky vend nuk mund të ndryshojë dot dhe e ka gati të pamundur ndryshimin. Pra shoqëria paraqitet në kufijtë e disfatës, madje shpesh përflitet gati në terma profetikë si vend i “mallkuar” dhe i pandreqshëm, paçka se Zoti, megjithëse u mohua për 40 vjet, nuk e kurseu mëshirën e Tij për t’ua mundësuar shqiptarëve ta gjejnë përsëri Atë. Kjo elitë u përpoq me sukses të “hakmerrej” duke lejuar që vendi të zhvatej nga “bijtë” e tij, të cilët sapo dolën në një sistem të ri politik u sollën po aq keq me shtëpinë e tyre sesa ata përpara tyre.

Madje ata të mëparshmit ishin më të ndershëm dhe shtëpia ishte me funksionale (hanim dhe jetonim të gjithë njësoj). Për të krijuar imazhin e një shoqërie të kalcifikuar kulturalisht dhe politikisht, një numër arsyetimesh sipërfaqësorë kalojnë nga diskutime politike në anekdota antropologjike, ku fajin për këtë ngërç e kemi vetë pasi është në natyrën tonë si shqiptarë mosdëshira për sisteme që promovojnë meritokracinë dhe të drejtën.

Më pas argumenti historik kërcen pupthi dhe na paraqet historikisht si skllevër të cilët kemi qenë gjithmonë të prangosur politikisht nga pushtuesit e huaj dhe kjo ka ndikuar në psikën tonë kulturore duke na kultivuar ndër shekuj rehatinë me robërinë. Pra si shoqëri funksionojmë më mirë të shtypur dhe jemi krejtësisht të pazotë për të jetuar të lirë.

Të gjitha këto argumente të mahisur nga ‘profesorë’ të së shkuarës, fatkeqësisht, arrijnë të ndikojnë dhe të krijojnë bindjen se në to ka të vërteta. Në një shoqëri ku teknologjia ka shteruar thellimin dhe reflektimin intelektual, këto teza nuk e kanë të vështirë të prodhojnë gjykime. Ato u ngjajnë guralecëve që i hidhen një kali të verbër për t’i dhënë drejtim kur ky i fundit përplaset në pengesa të ndryshme.

Pra mjafton që kalin të mbash gjithmonë në lëvizje dhe ta ndihmosh të kalojë ndonjë pengesë, por ai nuk duhet lejuar të shohë çfarë ndodh brenda haurit. Atij mund t’i lejohet të shikojë vetëm nëse vendos të largohet për të mos u kthyer më kurrë. Tashmë hauri ka pronarë të cilët kanë vendosur lënë atë një stallë me çdo kusht dhe për të qëndruar aty duhet të pranosh verbërinë dhe drejtimin nëpërmjet guralecëve që pronarët vendosin kur ata duan të të hedhin.

Filozofët e shpellës shqiptare dolën, por bënë interpretime të rreme të imazheve duke i lënë banorët e shpellës të verbër dhe të pamotivuar për të ndryshuar status quo-në. Ashtu sikur Platoni cilësonte se nuk mjafton vetëm ta shohësh diellin, por duhet të kesh moralin dhe dëshirën për ta interpretuar atë. Në të kundërt, ata që kanë mundësi për ta parë dritën, por qëllimin e keq për ta keqinterpretuar atë, kthehen në një rrezik edhe më të madh për shpellën e tyre.

Duket se pikërisht ky skenar është aplikuar në Shqipëri.
Elita postkomuniste kuptoi se e vetmja formë për t’i mbajtur njerëzit në shpellë sipas kulturës së kontrollit që deri dje ishte formale (prangat), tashmë në realitetin e ri që prangat u këputën kontrolli i shpellës duhet të bëhej me mjete informale, nëpërmjet keqinterpretimit të imazheve te reja duke i keqinformuar të burgosurit dhe duke i lodhur ata ose penguar për të bërë interpretimin e duhur. Kjo u arrit duke rrënuar institucionet e arsimit, duke penguar njerëzit e aftë të drejtojnë institucionet, duke larguar të shkolluarit dhe duke mos lejuar ata që shkolloheshin jashtë të vinin në drejtim.

Elitat paskomuniste, duke trashëguar aksesin në institucione, duke prodhuar dijen dhe duke e riprodhuar atë sipas interesave të tyre sidomos në fushën e ligjit, arritën që të nxjerrin jashtë mundësive të integrimit të asaj pjese të arsimuar që mund të sjellë ndryshim.

Këto elita arritën të krijonin pragje ndaj aksesit në politikëbërje duke u kthyer kështu në elita pragjesh. Pra, askush nuk mund të kalojë pragun dhe të përfshihet në politikëbërje pa deklaruar besnikërinë ose paguar taksën e aksesit. Në këtë kontekst, sot çdo reformë, sado pranë modeleve të demokracive të konsoliduara, e ka të vështirë të vihet në zbatim pasi kjo do të bëhet nga njerëz të cilët duhet medoemos të kalojnë nëpërmjet korridoreve të këtyre rrjeteve informale.

Pra nëse një reformë do të konsiderohet output, iniciativat për të duhet të kalojnë në një proces i cili kontrollohet nëpërmjet formave të sofistikuara informale të këtyre rrjeteve politike, të cilat arrijnë me sukses të përpunojnë me kujdes dhe të vështirësojnë të gjithë procesin deri sa të sigurohen se outputi do të jetë funksional vetëm nëse është nën ndikimin apo kontrollin e tyre.

Energjitë përqendrohen te kriteret e atyre që do të drejtojnë institucionet dhe te procedurat e përzgjedhjes, të promovimit dhe emërimit të tyre. Elitat nuk janë të interesuara në atë se çfarë rregullon reforma, por në atë se kush do ta drejtojë institucionin që prodhon kjo reformë.

Në substancë, reformat mund të jenë tërësisht në përputhje me standardet perëndimore, por kontrolli i interpretimit dhe i zbatimit të tyre, duke kontrolluar emërimin e drejtuesve të tyre, i bën ato joefecientë. Pra elita e pragjeve përpiqet që të dominojë dhe kontrollojë “interpretimin” e imazheve që u përcillen banorëve të shpellës. Këtyre këto imazhe u vijnë gjithmonë të shtrembëruara.

Banorët e shpellës gradualisht fillojnë t’i kritikojnë dhe t’i braktisin ato. Kjo sjell humbjen e legjitimitetit moral të reformave, duke bërë që shoqëria të bëhet cinike ndaj tyre. Pra ajo që shkon mirë në Shqipëri është ajo që duhet të shkojë keq.

Qasja që përpiqet të japë kjo analizë e shkurtër në lidhje me atë çfarë nuk shkon me shoqërinë shqiptare është se në shoqëri të cilat drejtohen nëpërmjet rrjeteve të mbyllura informale, elitat e pragjeve. Rreziku për të kundërshtuar minorancat politike të konsoliduara është shumë i madh.

Shoqëria gradualisht humbet dëshirën për të ndryshuar duke qenë e kapur në “çarqet” e sofistikuara të ngritura nga rrjetet e mbyllura të kontrolluara nga elitat paskomuniste dhe të cilat janë trashëguar tanimë nga “shërbëtorët” e tyre. Këto elita kanë konsoliduar rrjetet informale të cilat kanë arritur të funksionojnë në mënyrë shumë të suksesshme duke konkurruar ose penguar qëllimisht institucionet formale të drejtimit dhe rregullimit të shoqërisë. Kjo ka sjellë që edhe ata pak intelektualë të cilët kanë guxuar të dalin kundër këtyre rrjeteve të mbyllura të suksesshme të kenë dështuar për të ndihmuar në konsolidimin e institucioneve formale dhe fuqizimin e tyre.

Ky dështim i intelektualëve të ndershëm vjen pasi ata, për shkak të mungesës së potencialeve financiare, por dhe të lodhjes së shoqërisë me dështimet e njëpasnjëshme, nuk kanë arritur të krijojnë modele konkurruese. Sapo një elitë e re qoftë politike apo intelektuale shfaqet, ajo menjëherë helmatiset nga elita e pragjeve, e cila u krijon pritshmëri të kota në shoqëri dhe më pas i keqpërdor ata duke i ekspozuar në kinseqeverisje institucionesh apo partish të cilat në fakt kontrollohen nga elita e pragjeve.

Elita e pragjeve është në përpjekje të vazhdueshme për të ruajtur të paprekur mënyrat informale të ndikimit dhe kapjes së institucioneve duke i paraqitur ato në dukje si institucione demokratike. Kjo elitë kontrollon të gjithë terrenin e pushtetit brenda dhe jashtë institucioneve me format e së shkuarës dhe duke u projektuar shqiptarëve, por dhe të huajve hije të një shteti ligjor. Nëse do të konvertonim këtë argument në teoritë që shpjegojnë korrupsionin, këtu do të flisnim për një lloj të sofistikuar korrupsioni – atë ideologjik, ku elita mbështet dhe promovon vetëm besnikun e “partisë” dhe jo më të aftin.

Dhe besniku jo domosdoshmërisht është njëri i korruptuar në kuptimin më të ngushtë të tij (mitmarrja), pra ai mund në dukje të drejtojë një institucion ndershmërisht duke marrë vendime që në dukje nuk kanë përfitime personale por nga ana tjetër ato kanë përftime për rrjetin e elitës se pragjeve. Kjo e fundit i ofron sigurinë dhe përfitimet në forma të tërthorta duke i ofruar paprekshmërinë dhe sigurinë e tij personale dhe familjareve të tij. Pra drejtuesi i institucionit është në asimetri me korrupsionin e ashtuquajtur të vogël (mitmarrja), por në simetri me korrupsionin e madh – kapjen e institucioneve.

Kjo lloj metodologjie e kontrollit të shoqërisë neutralizon çdo lloj reforme pasi i mundëson elitës së pragjeve që me pak njerëz besnikë të kontrollojnë institucionet kryesore të cilat orientojnë dhe kontrollojnë pushtetin. Kjo lloj forme e sofistikuar korruptive i ka siguruar elitës së pragjeve që shtetin ligjor të neutralizuar nga brenda, por ta mbaj atë funksional nga jashtë. Shteti ligjor difektoz është konvertuar në një mekanizëm mbrojtës për elitën e pragjeve e cila ka arritur me sukses të ruajë dominimin në aksesin në drejtimin e institucioneve thelbësore të politik bërjes por dhe interpretimin e ligjeve thelbësore.

Burimi: Medius Communication Institute

- Advertisement -spot_img

Më tepër

Të fundit