19.7 C
Pristina
Tuesday, April 30, 2024

Apeli ndaj emocioneve – Lulzim Hoxha

Më të lexuarat

Lulzim Hoxha

Apeli ndaj emocioneve

Partitë politike u formuan dhe e konsoliduan identitetin e tyre politik në një epokë mungese, ku shqetësimi më i madh ishte shpërndarja e mirëqenies material. Gjatë fundit të shek XIX e deri në gjysmën e parë të shek XX partitë identifikoheshin me një pozicion të caktuar, që vinte nga konflikti klasor përkatës si lëvizja laburiste apo marksizmi. Sipas Ronald Inglehart “brezat pas luftës së dytë botërore vlerat ideologjike i konsiderojnë dytësore përballë vlerave post-materialiste. Këto vlera e kanë burimin te shqetësimet për stilin e jetës (disa shembuj janë çështjet që përfshijnë ekologjinë, të drejtat civile, feminizmin apo moralin seksual).”

Kështu që, edhe pse partitë vazhdojnë të identifikohen me simbolikën dhe retorikën e ideologjisë, shqetësimet e shoqërisë tashmë janë të disociuara nga idetë e konfliktit klasor apo shtresave shoqërore dhe lidhja me partinë ndodh për shkaqe emocionale.

Në një artikull të “The Guardian” të titulluar “Voting is irrational. Emotions always win” (“Votimi është iracional. Emocionet fitojnë gjithnjë.”), autori Eyal Winter argumenton prirjen e individit post-modern për të votuar mbi bazën e një pëlqimi subjektiv dhe jo për të mirën e vendit. Duke qenë se në shoqërinë bashkëkohore njeriu është më i tëhuajësuar ndaj komunitetit krahasimisht me dekadat e mëparshme, ai është më i përqendruar te pëlqimet, joshjet, dëshirat vetjake sesa përgjegjësitë e tij si qenie shoqërore.

“Kur mendojmë për politikën, përgjithësisht mendohet se vota është një zgjedhje racionale.” – shkruan Winter – “Tezat e racionalistëve si Tomas Hobs apo Imanuel Kant janë pjesë e çdo departamenti të shkencave politike.

Megjithatë, gjatë viteve të fundit, një sasi e konsiderueshme të dhënash na demonstrojnë se sjelljet politike ndikohen gjithnjë e më shumë nga emocionet se nga arsyeja.” Kur i akuzojmë liderët tanë se kanë tradhëtuar vlerat ideologjike të partisë që drejtojnë, në të vërtetë jemi duke shprehur dëshirën tonë për t’i parë liderët tanë si përfaqësues të disa vlerave që për ne janë të rëndësishme. Në një eksperiment të zhvilluar në Universitetin “La Sapienza”, studiuesi i psikologjisë Vittorio Capprara ka vërtetuar se votuesit priren të votojnë politikanët te të cilët gjejnë më tepër ngjashmëri me imazhin që kanë për veten.

Në përfundimet e këtij eksperimenti, Capprara shkruan se “shpeshherë ideologjia është mjeti përmes të cilit politikanët na përçojnë personalitetin e tyre. Në të kundërt, politikanët që nuk përfaqësojnë një bindje ideologjike të caktuar përgjithësisht konceptohen si oportunistë që kanë nisur karrierën politike për interesa personale dhe jo për të mirën e vendit.” Sipas kësaj perspektive, ajo çka në kohët tona përmendet vazhdimisht nëpër seminare, konferenca dhe tryeza të rrumbullakëta si “rreziku i populizmit” nuk është gjë tjetër veçse rrjedhojë e transformimit të një realiteti shoqëror dhe sjelljes politike të një votuesi ku në pjesëmarrjen e ‘ceremonisë’ së votimit, ndikohet më tepër nga emocionet sesa nga ideologjia.

Votuesi i ditëve tona është i vetëdijshëm se një votë e vetme nuk është aq e rëndësishme sa të përcaktojë fituesin e zgjedhjeve, prandaj marrja e vendimit se kë do votojë, për të paraqet më pak përgjegjësi se vendimet e tjera që lidhen ngushtësisht me botën e tij private. Mirëpo liderët politikë janë më racionalë se shumësia e elektoratit që kanë të drejtën e votës.

Për politikanët mjafton që ta formulojnë ofertën e tyre politike në termat që populli do të dëgjojë dhe t’u flasë njerëzve në gjuhën që ata e kuptojnë më qartë, pa pasur nevojë t’i bëjë të besojnë në një të ardhme ideale por duke u mjaftuar që t’u injektojnë popullit doza shprese që të zgjasin po aq sa mandati i tyre qeverisës. Kjo shpjegon edhe prirjen e partive të ideologjive të ndryshme për t’u transformuar në parti gjithëpërfshirëse (catch-all parties) ku diferencat ideologjike gradualisht po zëvendësohen nga diferencat në stilin e ligjërimit dhe mënyrave të ndryshme se si u bëhet apel emocioneve të elektoratit. Votuesi post-modern nuk ka më pritshmëri në përmbushjen e premtimeve elektorale nga ana e politikanëve.

Ai nuk beson më te zgjidhjet ‘magjike’ që propozojnë ideologjitë më tepër sesa në dozat e atypëratyshme të shpresës që të japin emocionet dhe ligjëratat ‘spektakolare’. Cinizmi i votuesve të sotëm performohet në mënyrë më efikase nëpërmjet zgjedhjeve në facebook se kë të ‘pëlqesh’ sesa zgjedhjeve që mbartin përgjegjësinë e një mandati katër-vjeçar.

Realiteti spektakolar i njeriut të sotëm favorizon ekzistencën e politikanit pop-star në të njëjtën masë që realiteti i dikurshëm i njeriut të uzinave krijonte terrenin e duhur për politikanin që përfaqësohej përmes miteve ideologjike.

(fragment nga shkrimi “Majtas ose djathtas: rrethi magjik i një ndarjeje ideologjike”, Medius 8)


Burimi: Medius Communication Institute

- Advertisement -spot_img

Më tepër

Të fundit