14 C
Pristina
Sunday, May 5, 2024

Tariq Ramadan u përgjigjet ideologëve të Trump-it: Islami nuk ka nevojë të reformohet

Më të lexuarat

Akademiku Tariq Ramadan di gjithçka për urdhër-ndalimet e udhëtimit. Në fund të fundit, ai nuk duhej të ishte fare, aty ku qëndron tani, në një gjysmë-rrugicë me guriçka në veri-perëndim të Londrës.

Në vitin 2004, ai ishte duke udhëtuar drejt Amerikës, pasi i ishte ofruar pozicioni i profesorit të studimeve islame në universitetin e Notrë Damit në Indiana. Papritur, nëntë ditë përpara fluturimit, e pasi kishte marrë me qira edhe shtëpinë, kishte regjistruar edhe fëmijët në shkollë, atij iu hoq viza.

Arsyeja që iu paraqit ishte e vakët në fillim, por pas pak kohe, doli se kishte të bënte me faktin që ai mbështeste një shoqatë bamirësie që administrata Bush e etiketonte si mbledhëse fondesh për Hamasin. Ata dhanë si argument se Ramadan duhet ta kishte ditur këtë lidhje. Por, si mundej ai, siç tha, ta dinte kur donacionet ishin bërë përpara se shoqata të përfshihej në listën e zezë – me fjalë të tjera, përpara se qeveria amerikane ta dinte edhe vetë? Ai beson, se në vend të kësaj arsyeje, ai u veçua për shkak të kundërshtisë ndaj luftës në Irak.

Në vitin 2010, Hillary Clinton, si Sekretare e Shtetit, e hoqi këtë ndalim të vizës, por deri sa ndodhi kjo, Ramadan ishte punësuar në kolegjin e Sant Antoni, në Oksford. Ramadan nuk ka keqardhje. “Jam shumë i lumtur që ata më ndaluan të shkoja në Amerikë. Jam shumë më mirë këtu”, thotë ai në një anglishte me theks të lehtë. Ai u rrit në Gjenevë, ku fliste frëngjisht dhe arabisht. Ai e ka bërë Oksfordin shtëpinë  e tij. Në Shtetet e Bashkuara, thotë ai, “nuk mendoj se ka atmosferë politikë që të lejon të shprehesh lirshëm. Njerëzit janë të trembur”.

Ndoshta është shumë më mirë që ai ndjehet kështu: administrata Trump me gjasa nuk do të shtrojë tapetin e kuq. Ashtu sikundër po planifikon një urdhër të ri të dizenjuar për ndalimin e miliona muslimanëve nga hyrja në vendin e tij, ai po merr në konsideratë edhe cilësimin e Vëllazërisë Muslimane një organizatë terroriste. Kjo përbën problem për Ramadan, gjyshi i të cilit, Hassan al-Banna, ishte ai që themeloi këtë lëvizje.

Kjo lidhje familjare u ka dhënë shkak shumë e shumë insinuatave përgjatë viteve. Disa nga kritikët e tij besojnë se vetë Ramadan ka ecur në gjurmët e frontit të Vëllazërisë: me një të folur të qetë, por therrëse. Apelet e tij për paqe dhe dialog, sipas tyre, maskojnë një axhendë sekrete për të islamizuar Europën. Vetë Ramadan thotë se nuk është anëtar i organizatës. Ai ka qenë i hapur për të diskutuar qasjen e tij në libra dhe në debate publike – të mbetet besnik ndaj vargjeve kuranore, por i vendosur për të marrë pjesë në shoqërinë perëndimore – e kjo e bën të panevojshme inskenimin e një mjeshtri që lëvizj fijet pas skene për këtë personazh.

“Jam nipi i Hassan al-Banna-s dhe ky është fakt”, thotë ai. “Unë kam qenë gati kritik ndaj organizatës. Në librin e fundit që shkrova për zgjimin arab, e madje edhe pas 2011, isha shumë kritik. Tani të jesh kritik është një gjë, e t’i etiketosh ata në diçka që është ekstremizëm i dhunshëm, të pranosh retorikën e presidentit egjiptian, e përpara tij të Mubarakut, është një gjë krejt tjetër dhe nuk do të ndihmojë asnjë vend. Kjo për shkak se këta njerëz duhet t’i sfidosh me demokracinë dhe me argumente e jo me represion dhe tortura”.

Ramadan beson se cilësimi si terroriste e organizatës do të vendosë një precedent të tmerrshëm. “Dëgjoni tani… diktatorët listojnë se cilët janë terroristë… kjo do të jetë shumë, shumë e keqe për të ardhmen e Lindjes së Mesme”.

A beson ai se ky është moment më trazues për botën muslimane që pas 11 shtatorit? Jo vetëm që bota ka në krye tashmë Donald Trump, por edhe në Francë ku Ramadan kalon shumë kohë duke punuar, më shumë se një në katër votues mbështesin Marine Le Pen. Sa i shqetësuar ndjehet ai?

“Në zgjedhjet e kaluara, kur fitoi Hollande.. unë thashë se ai vetëm fizikisht fitoi, pasi politikisht, fitoi Fronti Nacional, partia e së djathtës ekstreme. Pasi retorika e saj ishte kudo. Ata po fitojnë lojën”. Nëse del Le Pen, shpjegon ai, “ka gjasa të shkojë më keq, por edhe tani është mjaft keq. Sigurisht do na duhet t’i rezistojmë partisë së saj, mirëpo gjëja më e rëndësishme është normalizimi i retorikës së saj mes socialistëve dhe republikanëve”.

Ramadan është optimist, sidoqoftë, për shkak se ai thotë se politika kombëtare vlen më pak sesa ajo që ndodh nëpër komunitete. Atje, shkruan ai, muslimanët përballen denjësisht me sfidat që shtrohen nga një klimë frike, duke kthyer vështrimin nga vetja, ndërsa angazhohen ëpr të qenë pjesë e një shoqërie më të drejtë, në tërësi.

Po a është ky “reformimi musliman” që besojnë se është i nevojshëm në Shtetet e Bashkuara, çdokush që nga  Bill Maher deri tek i ngjashmi i tij, ish-këshilltari i Trump, Michael Flynn?

“Nuk duhet të eksportojmë terminologjinë. Islami nuk ka nevojë të reformohet, por muslimanët kanë nevojë të reformojnë mendjet e tyre, interpretimet e Islamit, gjë që nuk është ekzaktësisht e njëjta me atë që kaluan të krishterët, për shkak se ne nuk kemi një kishë”.

Ramadan është i qartë se Islami është tashmë edhe një besim perëndimor.

Përgatiti: Juli Prifti – /tesheshi.com/

- Advertisement -spot_img

Më tepër

Të fundit