0.8 C
Pristina
Friday, November 15, 2024

Tanket izraelite futen më thellë brenda Gazës, teksa Biden bën thirrje për paqe

Më të lexuarat

Forcat izraelite janë futur më thellë brenda pjesëve qendrore dhe jugore të Rripit të Gazës të enjten, duke i luftuar ushtarët e Hamasit – grupit të shpallur organizatë terroriste nga Shtetet e Bashkuara dhe Bashkimi Evropian.

Së paku 27 njerëz u vranë në Gazë gjatë luftimeve të enjten, thanë zyrtarët shëndetësorë palestinezë.

Përshkallëzimi i luftimeve ndodhi pak orë pasi presidenti i Shteteve të Bashkuara, Joe Biden, i bëri trysni kryeministrit të Izraelit, Benjamin Netanyahu, për nevojën e arritjes së një marrëveshjeje për armëpushim në Gazë dhe për lirimin e pengjeve, tha Shtëpia e Bardhë.

Bisedimet disamujore, të ndërprera kohë pas kohe, janë zhvilluar rreth të njëjtave çështje, por Izraeli dhe Hamasi nuk kanë hequr dorë nga kërkesat e tyre.

Në qytetin verior Beit Lahiya të Gazës, 11 njerëz u vranë nga një sulm në një shtëpi, përfshirë fëmijë dhe gra, trupat e të cilëve janë djegur tërësisht, sipas shërbimit civil emergjent të udhëhequr nga Hamasi në Gazë.

Mjekët thanë se një sulm tjetër vrau gjashtë njerëz, përfshirë një gazetar lokal, në një shtëpi në kampin Al-Maghazi në qendër të Gazës. Pesë të tjerë u vranë në sulme të ndara në jug.

Të enjten më vonë, pesë palestinezë u vranë dhe disa të tjerë u plagosën në një sulm ajror izraelit në afërsi të një sheshi në Han Junis, thanë zyrtarët shëndetësorë.

Ushtria izraelite tha se forcat e saj i kanë shtuar operacionet në Deir Al-Balah, në qendër të Gazës, dhe në Han Junis, në jug, duke i shkatërruar dhjetëra struktura ushtarake, zbuluar raketa dhe vrarë militantë, në 24 orët e fundit.

Biseda telefonike mes Bidenit dhe Netanyahut u zhvillua të mërkurën vonë, një ditë pasi sekretari amerikan i Shtetit, Antony Blinken, e përfundoi një turne në Lindjen e Mesme pa arritur ndonjë përparim në përpjekjet për t’i dhënë fund luftës 10-muajshe.

Izraeli thotë se lufta mund të përfundojë vetëm pasi të jetë shkatërruar Hamasi si forcë politike dhe ushtarake, ndërsa Hamasi thotë se do të pranojë vetëm armëpushim të përhershëm, jo të përkohshëm.

Lufta në Gazë nisi më 7 tetor të vitit të kaluar, kur militantët e Hamasit u futën vrullshëm në jug të Izraelit dhe i vranë rreth 1.200 njerëz dhe i rrëmbyen mbi 250 të tjerë, sipas zyrtarëve izraelitë.

Si pasojë e luftës izraelite, pjesë të Rripit të Gazës janë bërë rrafsh me tokën dhe së paku 40.000 njerëz janë vrarë, sipas autoriteteve shëndetësore në enklavë.

/REL/

- Advertisement -spot_img

Më tepër

Të fundit