-4.6 C
Pristina
Sunday, November 24, 2024

Taksa po ndryshon tregun e mallrave në Kosovë

Më të lexuarat

Që nga vendosja e tarifës doganore, fillimisht në 10 e më pas në 100 për qind për produktet e importuara me origjinë nga Serbia dhe Bosnje e Hercegovina, sipas vlerësimeve në Prishtinë, efektet janë të ndryshme, apo siç thuhet, pozitive dhe negative.

Tregu i mallrave në Kosovë, gradualisht po pëson ndryshime, ngase importet nga Serbia kanë rënë dukshëm, me çka po mundësohet që prodhimet nga ky vend të zëvendësohen me mallra nga Shqipëria, Maqedonia, por edhe nga shtimi i prodhimit vendor.

Sipas të dhënave zyrtare të Doganës së Kosovës, importi i produkteve nga Serbia para vendosjes së taksës në ditë ka qenë rreth 1.2 milion euro, derisa tani ky import ka rënë në vlerën prej rreth 600 mijë euro në ditë.

“Që nga fillimi i zbatimit të këtyre taksave ne kemi pasur një rënie të madhe të importit të produkteve nga Serbia. Nëse flasim para zbatimit të taksës, ne kemi pasur realisht 120 deri në 140 maune brenda ditës nga Serbia dhe Bosnje e Hercegovina, derisa tani ky import është gati zero”, thotë Adriatik Stavileci, zëdhënës i Doganës së Kosovës.

Stavileci bën të ditur për REL se taksa 100 për qind nuk ka ndikuar në rënien e të hyrave për Doganën e Kosovës, pasi ka pasur rritje të importit të produkteve nga Shqipëria dhe Maqedonia.

“Pak a shumë ka filluar zëvendësimi i importeve nga vendet tjera të cilat kanë pasur rritje janë Shqipëria dhe Maqedonia. Importi i Shqipërisë është rritur me afër 40 për qind më shumë se vitin kaluar, kurse importi nga Maqedonia është rritur për 10 për qind”, thotë Stavileci.

Një efekt tjetër që ka pasur taksa 100 për qind për produktet e importuara nga Serbia, sipas Stavilecit është evidentimi i rënies së theksuar të eksportit të produkteve të Kosovës për në Serbi.

Vlera e prodhimeve “Made in Kosova” në territorin e Serbisë edhe para taksës ka qenë në nivel mjaft të ulët dhe atë rreth 40 milionë euro në vit.

Krahas ndryshimit të hartës prej nga Kosova importon më shumë këta tre muajt e fundit, një efekt tjetër i taksës ndërlidhet me rritjen e konsumimit të produkteve vendore. Në hulumtimet e bëra nga përfaqësues të bizneseve në Kosovë thuhet se kjo taksë ka ndikuar që prodhimtaria vendore të rritet.

Sipas kryetarit të Aleancës Kosovare të Biznesit, Agim Shahini, Kosova ka pasur vetëm efekte pozitive nga kjo taksë, duke vlerësuar se efekte negative ajo prodhuar për Serbinë.

“Taksa 100 për qind ka pasur ndikim pozitiv në prodhimtarinë vendore, duke rritur prodhimtarinë në mbi 20 për qind duke rritur punësimin në 15 për qind dhe duke rritur vetëdijen e qytetarëve për konsum të produkteve vendore. Mbi 25 për qind e produkteve që janë importuar nga Serbia janë zëvendësuar me produkte vendore”, tha Shahini për REL.

Pronari i kompanisë ‘Pestova’, Bedri Kosumi, kishte konfirmuar për REL se nga vendosja e taksës ishte rritur dukshëm prodhimi vendor në Kosovë.

“Pas taksës 100 për qind, e cila ka qenë e domosdoshme, është bërë një rritje e madhe e konsumit të produkteve vendore. Po flas për rastin tonë, që në kompani, ne kemi zgjatur orarin e punës, po punojmë më tre ndërrime dhe po ashtu edhe gjatë vikendit. Rritja e prodhimit ka bërë që të rritet edhe numri i të punësuarve në kompani”, ka thënë Kosumi.

Por, nëse shihen të dhënat e çmimeve të konsumit të publikuara nga Agjencia e Statistikave të Kosovës, vërehet se taksa ka ndikuar edhe në rritjen e çmimeve.

“Inflacioni mujor i matur nga indeksi i harmonizuar i çmimeve të konsumit ishte 0.8 për qind në dhjetor 2018, krahasuar me muajin nëntor 2018. Kjo kryesisht është shpjeguar me ngritjen e çmimeve të konsumit të buka, drithëra, qumështi, djathi, vezët perime e të tjera”, thuhet në të dhënat e ASK-së.

Edhe, Agim Shahini thotë se mund të ketë pasur ngritje të çmimeve, por jo më shumë se 1 për qind.

Qeveria e Kosovës më 6 nëntor, të vitit të kaluar, fillimisht kishte vendosur taksë doganore 10 për qind për produktet e importuara me origjinë nga Serbia dhe Bosnje e Hercegovina. Kjo taksë doganore u ngrit në 100 për qind më 21 nëntor.

Përveç kësaj, më 28 dhjetor, Qeveria e Kosovës ka marrë vendim që të vendosë taksë doganore 100 për qind edhe për produktet e importuara nga brendet ndërkombëtare që prodhohen në Serbi dhe Bosnje e Hercegovinë.

Mekanizmat ndërkombëtarë, si Komisioni Evropian dhe Shtetet e Bashkuara të Amerikës janë duke kërkuar në vazhdimësi nga Kosova që të hiqet taksa.

Vendosjen e kësaj takse, mekanizmat ndërkombëtarë e kanë konsideruar si shkelje e Marrëveshjes për tregti të lirë, CEFTA.

Por, Qeveria e Kosovës, të paktën deri më tani, nuk është zmbrapsur nga vendimi për tarifën 100 për qind, i cili vazhdon të mbetet në fuqi.

- Advertisement -spot_img

Më tepër

Të fundit