3.4 C
Pristina
Wednesday, December 18, 2024

Taksa ndaj Serbisë. tjetër delegacion amerikan në Kosovë

Më të lexuarat

Dy zyrtarë të lartë amerikanë ia ripërsëriten udhëheqësve të Kosovës qëndrimin e qartë të administratës amerikane që taksa ndaj produkteve të Serbisë duhet të hiqet me qëllim që të vazhdojë dialogu Kosovë-Serbi.

Nga Deutsche Welle

Dy zyrtarë të lartë nga Këshilli i Sigurisë Kombëtare i SHBA-së, erdhën në Prishtinë të mërkurën, sic thuhet për ta bindur kryeministrin e Kosovës Ramush Haradinaj, që ta pezullojë taksën ndaj prodhimeve të Serbisë dhe në këtë mënyrë t’i hapet rruga dialogut për një marrëveshje finale Kosovë-Serbi. Me sa duket Haradinaj, nuk e ka ndërmend të tërhiqet nga vendimi i tij pa një marrëveshje për njohje të Kosovës nga Serbia.

Drejtori për Çështje Evropiane në Këshillin e Sigurisë Kombëtare të SHBA-së, John Erath, dhe drejtori për Ballkan të Këshillit Kombëtar të Sigurisë së SHBA-së, Brad Berkley, takuan të mërkurën pasdite, së bashku Presidentin e Kosovës Hashim Thaçi dhe kryeministrin Ramush Haradinaj. Dy zyrtarët amerikanë nuk u prononcuan për medie.

Haradinaj: Të gatshme për marrëveshje obliguese me Serbinë

E kryeministri Haradinaj në një komunikatë për medie, nuk e përmendi mundësinë e heqjes së taksës ndaj prodhimeve të Serbisë, mirëpo u shpreh se Kosova është e gatshme për një marrëveshje me Serbinë ligjërisht obliguese, që do të rregullonte të gjitha çështjet. “Kosova është e gatshme për marrëveshje ligjërisht obliguese që rezulton me njohje reciproke në kufijtë ekzistues dhe Kosovën e 17 Shkurtit 2008. Po ashtu, është e gatshme për marrjen e të drejtave dhe detyrimeve të anëtarësimit në NATO, Kombet e Bashkuara, BE dhe organizatat e tjera ndërkombëtare dhe për marrëdhënie të mira fqinjësore”, thotë Ramush Haradinaj, duke theksuar se marrëveshja me Serbinë do të garantonte edhe rregullimin e tregtisë së lirë ndërmjet dy vendeve.

[Präsident des Kosovo Hashim Thaci bei einem Treffen mit Beamten des Nationalen Sicherheitsrates der USA (Office of the President of Kosovo )]
“Kosova është e vendosur për tregti të lirë brenda rajonit të Ballkanit Perëndimor dhe marrëveshja gjithëpërfshirëse ligjërisht obliguese do të përfshijë edhe rregullimin e kapitullit të tregtisë së lirë në mes të Kosovës dhe Serbisë. Gjithashtu, Kosova mbështetet në vlerat e një shoqërie shumetnike, të bazuar në të drejtat e njeriut për të gjithë qytetarët dhe komunitetet e saj. I mbetemi besnik miqësisë së përhershme dhe bashkërendimit të politikave me Shtetet e Bashkuara të Amerikës”, përfundon në komunikatën e tij, kryeministri Ramush Haradinaj.

Thaçi: Kosova nuk do t’i rrezikojë marrëdhëniet ndërshtetërore e miqësinë me SHBA-në”

Presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi në komunikatën e tij për media, thekson se “zyrtarët e lartë të Këshillit Kombëtar të Sigurisë së SHBA-së, John Erath dhe Brad Berkley, kanë ripërsëritur qëndrimin e qartë të administratës amerikane që taksa duhet të suspendohet me qëllim që të vazhdojë dialogu dhe përpjekjet për arritjen e një marrëveshjeje gjithëpërfshirëse ndërmjet Kosovës dhe Serbisë”.

Presidenti Thaçi ka siguruar zyrtarët e lartë amerikanë që siç thotë “me asnjë kusht dhe në asnjë rrethanë, Republika e Kosovës nuk do t’i rrezikojë marrëdhëniet ndërshtetërore dhe miqësinë me SHBA-në”. “Institucionet shtetërore duhet të ndërmarrin së më shpejt veprime konkrete në përputhje më këshillat miqësore të SHBA-së. Këto vendime duhet të jenë në funksion të ruajtjes dhe forcimit të bashkëpunimit strategjik me SHBA-në dhe me përkushtimin tonë shtetëror për dialog dhe marrëveshje paqësore”, tha Presidenti Hashim Thaçi.

Vuçiq u ka kërkuar serbëve të Kosovës që të presin edhe disa ditë

Nga ana tjetër, Serbia vazhdon të këmbëngulë se pa heqjen e taksës për prodhimet e saja nga ana e Kosovës, Serbia nuk rifillon dialogun e fazës finale me Kosovën. E përfaqësuesit e serbëve të Kosovës, si formë presioni ndaj Prishtinës kanë kërkuar mbështetjen e Presidentit të Serbisë që ata të largohen nga të gjitha institucionet e Kosovës, ato qendrore dhe lokale. Këtë kërkesë e bëri publike të mërkurën vet Presidenti i Serbisë, Aleksandër Vuciq, ku priti në Beograd, siç tha “150 përfaqësues lokal dhe ata në nivel qendrorë nga veriu dhe jugu i Kosovës”. Kjo kërkesë e serbëve të Kosovës nuk ka gjetur mbështetje nga ana e Presidentit të Serbisë, i cili sic e citojnë mediet në Serbi Presidentin Vuciq, ai u ka kërkuar serbëve të Kosovës që të presin edhe disa ditë.

“Ata kërkuan braktisjen e parlamentit dhe gjitha institucioneve lokale, ku janë zgjedhur në bazë të ligjeve të Kosovës, braktisja e policisë rajonale në veri, prokurorisë dhe të gjithë sistemit të drejtësisë së Kosovës”, citohet Vuçiq, i cili i ka lutur përfaqësuesit e serbëve të Kosovës të kenë durim edhe 45 ditë deri në takimin e tij të planifikuar me presidentin e Republikës Popullore të Kinës Xi Jinping, në fund të prillit në Pekin, ku siç thotë Vuciq “do të diskutohen rrethanat e reja edhe me përfaqësues të tjerë ndërkombëtarë”.

Në Beograd, të mërkurën Vuçiq priti edhe një delegacion të Parlamentit Evropian që u kryesua nga raportuesi i Parlamentit Evropian për Serbinë, David McAllister, ku është diskutuar për bllokimin e dialogut Kosovë-Serbi dhe domosdoshmërinë e krijimit të kushteve për vazhdimin e dialogut. Sipas një komunikate nga zyra e Presidentit Vuciq, thuhet se ky i fundit “pret nga bashkësia ndërkombëtare që të mos heshtë ndaj faktit se përfaqësuesit e Kosovës nuk e kanë zbatuar Marrëveshjen e Brukselit të vitit 2013 dhe se kanë vendosur taksa anticivilizuese ndaj mallrave nga Serbia”. “Vetëm kur të përmbushet kjo kërkesë, atëherë krijohen kushtet për vazhdimin e dialogut me Kosovën”, ka thënë Vuçiq.

Në nëntor të vitit të shkuar qeveria e Kosovës vendosi tarifë shtesë 100% ndaj mallrave serbe, për shkak të siç thotë kryeministri Ramush Haradinaj,”agresionin politik dhe diplomatik të Serbisë ndaj Kosovës”. Përfaqësues të institucioneve në Bruksel të BE-së dhe SHBA-së vazhdojnë të kërkojnë nga qeveria e Kosovës që ta heqë taksën ndaj mallrave serbe dhe t’i hapet rruga dialogut Kosovë-serbi për një marrëveshje finale ligjërisht obliguese.

- Advertisement -spot_img

Më tepër

Të fundit