Taksa ka me mbetë deri në njohje. Mbani mbend çka po ju them”. Kështu ka thënë Kryeministri i Kosovës, Ramush Haradinaj, të premten. Haradinaj ka thënë se e kanë gabim të gjithë ata që deklarojnë se për shkak të taksës po dëmtohen marrëdhëniet me Amerikën.
“Taksa nuk është vendosur kundër Amerikës. Është vendosur kundër Rusisë. Rusia dhe Serbia kanë punuar intensivisht që shtetet të tërheqin njohjen e Kosovës”, ka theksuar ai, përcjell Illyria. Ai ka thënë se populli i Kosovës është thellësisht mirënjohëse për mbështetjen e Shteteve të Bashkuara të Amerikës. “Popujt që janë rreshtuar me Amerikën e kanë krijuar botën e lirë. Edhe Kosova e ka arritur atë që e ka synuar – lirinë”, ka thënë ai.
Kryeministri i Kosovës i ka kritikuar liderët politikë, përfshirë edhe ata që janë pjesë e koalicionit qeveritar të cilin e drejton ai, të cilët deklarojnë se pezullimi i taksës ndaj mallrave nga Serbia duhet të bëhet për të ruajtur miqësinë e Kosovës me Shtetet e Bashkuara.
Haradinaj e ka përsëritur edhe një herë qëndrimin e tij tashmë të njohur kundër çfarëdo marrëveshjeve me Serbinë që do të cenonte tërësinë territoriale të Kosovës. “Ka ardhur koha që nuk bën të jepet më tokë, asnjë pëllëmbë e këtij vendit. Pse të jepet tokë, kur të gjithë rrethohen me tokat tona?”, është shprehur Haradinaj.