6.1 C
Pristina
Friday, December 20, 2024

Takimi në Bruksel, BE: Do të fokusohemi në zbatimin e marrëveshjes së 27 shkurtit dhe de-eskalimin në veri

Më të lexuarat

Emisari Special i Bashkimit Evropian për dialogun Kosovë-Serbi, Miroslav Lajçak, do të presë të mërkurën në takim kryenegociatorët e të dyja palëve, Besnik Bislimi dhe Petar Petkoviq.

Takimi do të mbahet në Bruksel, ndërsa fokusi do të jetë te zbatimi i plotë i marrëveshjes së 27 shkurtit e arritur mes palëve për normalizimin e marrëdhënieve, si dhe hapat drejt de-eskalimit të situatës në veri të Kosovës.

Kështu ka bërë të ditur zëdhënësi i BE-së, Peter Stano, përmes një postimi në llogarinë e tij në Twitter.

“Nesër, emisari Miroslav Lajçak do të presë kryenegociatorët e të dyja palëve në kuadër të dialogut të lehtësuar në Bruksel. Fokusimi te zbatimit të plotë të Marrëveshjes së 27 Shkurtit dhe hapat drejt de-eskalimit të situatës në veri të Kosovës”, ka shkruar Stano.

Nga Qeveria e Kosovës gjatë ditës e kanë konfirmuar pjesëmarrjen e Bislimit në këtë takim.

“Mund të konfirmoj nga ana jonë, zëvendëskryeministri Bislimi nesër do të jetë në Bruksel”, kanë thënë për Telegrafin këshilltari i tij politik, Klisman Kadiu.

Takimi ndërmjet dy kryenegociatorëve në Bruksel është hapi i katërt i dakorduar mes Kosovës dhe Bashkimit Evropian për shtensionimin e situatës në veri të Kosovës.

Më 10 korrik, Bashkimi Evropian dhe Kosova ranë dakord për një sërë hapash që Kosova duhet t’i ndërmarrë si pjesë e veprimeve për të shtensionuar situatën e krijuar në veri të vendit.

Qeveria e Kosovës ka thënë se të gjithë hapat do të “finalizohen brenda një periudhe dyjavore”. /Telegrafi/

- Advertisement -spot_img

Më tepër

Të fundit