4.7 C
Pristina
Monday, December 23, 2024

Takimi i së hënës Kosovë-Serbi në Bruksel pa rezultate, qëndrimet e palëve dhe deklarata e Lajçakut 

Më të lexuarat

Takimi i së hënës ndërmjet Kosovës dhe Serbisë në kuadër të dialogut për normalizimin e raporteve e të përfaqësuar në nivel të kryenegociatorëve ka përfunduar pa rezultate.

Pas përfundimit të takimit, kryenegociatori i Kosovës, Besnik Bislimi në një deklaratë për media ka thënë se as që është dashur të priten rezultate.

“Mendoj që rezultate as nuk është dashur të priten sot. Është fillim i diskutimeve në mënyrë që ta kemi të qartë se ku ndodhemi me procesin dhe ku duam të shkojmë, por nuk është që kemi pritur sot të përfundojmë ndonjë nga proceset”, ka thënë ai.

I pyetur se për çfarë është biseduar, Bislimi theksoi se çështja e zbatimit të marrëveshjes bazike të 27 shkurtit ishte temë e bisedimeve, gjersa shtoi se situata në veri nuk është diskutuar fare.

Mbi sekuencimin e zbatimit të marrëveshjes, zëvendëskryeministri Bislimi u përgjigj se ka dallime mes palëve.

‘’Ka dallim mes asaj që ne themi si palë subjektive dhe mes asaj që ne jemi dakorduar. Në Aneksin e Implementimit për të cilin ne jemi dakorduar në Ohër shprehet qartë se asnjë nga nenet nuk mund ta kushtëzojë nenin tjetër dhe të gjitha nenet do të zbatohen në mënyrë të pavarur dhe poashtu thuhet se palët nuk mund ta bllokojnë zbatimin e ndonjë neni të caktuar. Kjo është për neve udhërrëfyes, ajo çka është dakorduar. Unë nuk besoj që ka gatishmëri nga BE që t’i ikë një dokumenti që vetë e kanë sjellë dhe e kanë publiku në ueb-faqen e tyre’, deklaroi Bislimi.

Kryenegociatori i Kosovës më tej shtoi se nga pala serbe është thënë se nuk iu intereson Kushtetuta e Kosovës e as letra e Mogherini-t, por vetëm zbatimi i Asociacionit që kanë marrë nga Isa Mustafa në vitin 2015.

“Nga pala serbe është thënë sot se atyre nuk iu intereson Kushtetuta e Kosovës, nuk i intereson as letra e Mogherinit, iu intereson vetëm ajo që kanë marrë nga Isa Mustafa në vitin 2015 dhe Petkoviq edhe i lexonte atë se çka kanë marrë nga Mustafa në vitin 2015, thoshte që kështu e duam ne asociacionin.’’

Mbi takimet e radhës dhe vijimësinë e procesit, zëvendëskryeministri Bislimi tha se nuk dihet  se si do të ecet tutje.

“Mendoj që Grupi Monitorues nuk mund të takohet pa u dakorduar për termat e referencës. Kjo vlen edhe për Grupin Punues, apo Komitetin e Përbashkët për Personat e Pagjetur. Në draftin e dërguar nga  Lajcak thuhet që takimi i parë i Komitetit të Përbashkët për zbatimin e Marrëveshjes për Personat e Pagjetur duhet të realizohet brenda 60 ditëve, që nënkupton jo më larg se fillim apo mesi i muajit korrik”.

“Tash data 28 maj për ne nuk përbën kurrfarë date për të cilën duhet të brengosemi, për arsye se kemi pas një proces demokratik dhe është shumë normale që ky proces demokratik të finalizohet me aktin e emërimit dhe dhënies së betimit nga kryetarët aktual”.

Bislimi thotë se ka njoftuar BE-në për disa probleme të shfaqura në veri të Mitrovicës.

“Ne kemi informuar Lajcak për problemet që janë hasur në mënyrë unilaterale nëpër disa ndërtesa në veri të Mitrovicës, Zubin Potok, Leposaviq dhe Zveçan e për të cilat ka munguar reagimi i BE-së. Arsyetimi ka qenë se nuk kanë informata të mjaftueshme, por unë mendoj që kjo do të zgjidhet shumë shpejt pas dërgimit të informatave nga ana e Kosovës për arsye se ne besojmë se EULEX-i duke qenë prezent në Kosovë, është dashur që të gjitha këto informata t’ia bart zotit Lajcak’’.Kryenegociatori i Kosovës, Besnik Bislimi dhe emisari i BE-së, Miroslav Lajçak

‘’Unë kam frikë se mesazhi që po dërgohet është i kundërt me atë që dëshirohet. Për aq kohë sa ne themi se inaugurimi i kryetarëve mund të shkaktojë tensione, dikush mund ta kuptojë këtë si ftesë për tensione. Në njëfarë mënyrë sikur ftesë që nëse doni ta pengoni këtë, duhet të krijoni tensione dhe mendojmë se kjo është shumë e rrezikshme dhe e panevojshme në këtë fazë’’, përfundoi zëvendëskryeministri Bislimi.

E pas takimit trepalësh të së hënës, është deklaruar edhe emisari i Bashkimit Evropian për dialogun Kosovë-Serbi, Miroslav Lajçak.

Ai përmes një postimi në Twitter ka thënë se është diskutuar për mënyrat e zbatimit të marrëveshjes së 27 shkurtit, derisa ka shtuar se diskutimet do të vazhdojnë.

“Kam pritur sot në Bruksel kryenegociatorin e Kosovës në dialog, Besnik Bislimi dhe atë të Serbisë Petar Petkoviq për në raund tjetër të bisedimeve në kuadër të Dialogut. Diskutuam rrugën para për zbatimin e Marrëveshjes së 27 shkurtit dhe synuam të qartësojmë pyetjet e hapura. Diskutimet do të vazhdojnë”, ka shkruar Lajçak në Twitter.

Ndërkaq, kryenegociatori i Serbisë, Petar Petkoviq, ka konfirmuar se pala serbe ka insistuar në formimin e Asociacionit të komunave me shumicë serbe në Kosovë, por që, sipas tij, nuk është e lehtë të bisedohet me Kosovën. /Telegrafi/

- Advertisement -spot_img

Më tepër

Të fundit