Nga Aykan Erdemir, Balkan Insight
Presidenti turk Rexhep Tajip Erdogan u takua ballë për ballë me Presidentin e SHBA-së Joe Biden në 14 qershor në samitin e NATO-s në Bruksel. Meqenëse Uashingtoni dhe Ankaraja kanë pasur mosmarrëveshje për një sërë çështjesh të politikës së jashtme dhe të sigurisë, zyrtarët turq e cilësuan takimin e shumëpritur si një mundësi për të përmirësuar marrëdhëniet midis dy vendeve.
Sidoqoftë, samiti na ka kujtuar edhe diçka tjetër se marrëdhëniet midis vendeve nuk do të përmirësohen aq shpejt sa shumica kanë menduar. Marrëdhënia Biden-Erdogan ishte e tensionuar edhe përpara se Biden të merrte detyrën, raporton abcnews.al
“Ai është një autokrat”, tha Biden për Erdogan në një intervistë për New York Times, në dhjetor 2019.
Pasi mori detyrën, Biden i dha homologut të tij turk një goditje të fortë duke deklaruar se do të njihte gjenocidin turk. Ky vendim solli një zhgënjim të madh në qeverinë turke. Për Turqinë, samiti i NATO-s nuk mund të kishte ndodhur në një periudhë më të keqe.
Ankaraja zemëroi aleatët e saj në fund të majit duke i kërkuar NATO-s të mos ndërmerrnin veprime të ashpra kundër Alexander Lukashenko, i cili detyroi në mënyrë të paligjshme të ulte një avion pasagjerësh duke arrestuar Roman Protasevich, një gazetar disident.
Për një Turqi që ka kohë që ka shfrytëzuar vendndodhjen e saj gjeostrategjike në krahun juglindor të NATO-s, ky ishte një veprim i ulët në sytë jo vetëm të Shteteve të Bashkuara por edhe të 28 vendeve të tjera anëtare.
Strategjia e Erdoganit
Erdogan mbajti një qëndrim të ashpër në prag të takimit të tij me Biden. Ai kritikoi presidentin e SHBA-së për njohjen e gjenocidit armen, duke paralajmëruar se, “ata që cenojnë Republikën e Turqisë do të humbasin një mik të çmuar”.
Por në samitin në Bruksel, presidenti turk zgjodhi të jetë i përzemërt. Erdogan preferoi një takim ballë për ballë pa praninë e ndonjë diplomati nga të dyja palët, me përjashtim të një përkthyesi jozyrtar. Kjo qasje ngriti kritika nga opozita turke për shkeljen e konventave shtetërore dhe protokollit diplomatik nga Erdogan.
Erdogan shpresonte që fotot dhe raportet e një takimi të përzemërt me Biden do të ishin një nxitje për tregjet që po hasnin vështirësi në Turqi. Vendi ka pasur përplasje me Uashingtonin dhe aleatët e tjerë të NATO-s në investimet globale, raporton abcnews.al
Mediat pro-qeveritare të Turqisë e cilësuan takimin me Biden: Pozitiv.
Kur gazetarët e pyetën Erdoganin nëse ai pati probleme në lidhje me njohjen e Gjenocidit Armen nga Biden gjatë takimit, presidenti turk u përgjigj , “Falë Zotit, nuk pati.”
Çështja e Afganistanit
Erdogan është një person i zgjuar dhe ka një instinkt të mirë se si të fitojë kohë ndaj homologëve të tij. Ai ishte shumë i vetëdijshëm se njoftimi i Biden në prill për tërheqjen e forcave amerikane nga Afganistani deri në shtator ka paraqitur sfida të rëndësishme për Uashingtonin, përfshirë frustrimin e aleatëve të NATO-s .
Në prag të takimit me Biden, presidenti turk deklaroi do të ruante aeroportin e Kabulit pas tërheqjes së trupave të SHBA-së. Presidenti turk theksoi gjithashtu nevojën për “mbështetje diplomatike, logjistike dhe financiare” nga SHBA-ja.
Tre ditë pas takimit Biden-Erdogan, në një takim të rrallë të Uashingtonit dhe Ankarasë, Këshilltari i Sigurisë Kombëtare të SHBA-së Jack Sullivan tha , “Ne jemi optimistë për sa i përket bisedimeve me Turqinë në lidhje me këtë çështje. ”
Megjithëse marrëveshja për Afganistanin i ka dhënë presidentit turk një mundësi të rrallë për të ndikuar tek Biden, ekziston një listë e gjatë e çështjeve që mbeten të pazgjidhura, përfshirë blerjen nga Turqia të S-400; sistemi i mbrojtjes ajrore nga Rusia
Blerja e sistemit të mbrojtës ajrore S-400
Në prag të takimit Biden-Erdogan, Ankaraja u përpoq të lehtësonte tensionet mbi S-400. Administrata e Trump vendosi sanksione dhjetorin e kaluar në përputhje me Aktin e Luftimit të Kundërshtarëve të Amerikës përmes CAATSA, i cili synon transaksione në sektorët rusë të mbrojtjes ose inteligjencës.
Këto sanksione përfshijnë ndalimin e licencave të eksportit të SHBA-së kundër agjencisë së prokurimit të mbrojtjes të Turqisë, si dhe kufizimeve të vizave dhe një ngrirje të aseteve të katër prej zyrtarëve kryesorë ekzekutivë të agjencisë, duke përfshirë presidentin, raporton abcnews.al
Në prill, paralajmërimi i Sekretarit të Shtetit të SHBA-së Antony Blinken se transaksione të rëndësishme me entitetet e mbrojtjes ruse mund të shkaktojnë sanksione CAATSA “të ndara dhe përveç sanksioneve që janë vendosur tashmë” dha një mesazh të qartë se mosmarrëveshja mbi blerjen e S- 400 të Ankarasë nuk ishte zgjidhja.
Turqia u përpoq të zbuste tensionet në fund të majit duke njoftuar se do të dërgonte ekspertë rusë të raketave që mbikëqyrin S-400. Kjo sigurisht u mohua nga zyrtarët rusë, por nuk krijoi ndonjë interes në Uashington, ku zyrtarët amerikanë vazhdimisht kanë shprehur kundërshtimin e tyre për praninë e një sistemi mbrojtës ajror rus në tokën turke.
Analistët e politikës amerikane e kanë cilësuar vendimin e administratës së Biden për lidhje me çështjen e S-400 si një precedent të rëndësishëm që shërben gjithashtu si një sinjal i rëndësishëm për aleatët dhe partnerët e tjerë të SHBA-së.
Prandaj, nuk ka asnjë arsye për të pritur që Biden të ndryshojë politikën e SHBA-së në një kohë kur ka konsensus dypartiak kundër sfidave ruse dhe ndaj aleancës transatlantike dhe vlerave të saj, raporton abcnews.al
Nuk ka rikthim të epokës së Trump
Duke pasur parasysh mosmarrëveshjet e shumta SHBA-Turqi, diplomatët e Turqisë nuk kanë shumë shpresa për përmirësimin e marrëdhënieve midis 2-vendeve. Erdogan shpreson që një marrëdhënie transaksionare, përmes marrëveshjes në Afganistan, do t’i japë atij siguri dhe vullnet për ta mbrojtur atë nga kritikat dhe ndëshkimet e administratës së Biden.
Pavarësisht nëse Ankaraja dhe Uashingtoni vendosin të ndërmarrin veprime në Afganistan ose jo, nuk ka mundësi të rikthimit të epokës së Trump të marrëdhënieve ndër-personale dhe tregtisë së kuajve.
Biden ka të ngjarë të mbetet i përkushtuar në ruatjen e marrëdhënieve dypalëshe përmes kanaleve institucionale dhe thirrjes së Ankarasë për shkeljet e saj në politikën e brendshme, të jashtme dhe të sigurisë.
Në fund të fundit, mosmarrëveshjet SHBA-Turqi pasqyrojnë divergjencat thelbësore në vlera dhe interesa midis qeverisë Erdogan dhe politikës së SHBA-së. Në këtë moment, marrëdhëniet midis dy vendeve ende nuk janë në nivelin e duhur.
Ndërsa presidenti turk duket i kënaqur me marrëdhëniet dypalëshe ndërsa ai lufton për t’i dhënë zgjidhje problemeve ekonomike në vend, synimi i administratës së Biden do të jenë zgjedhjet presidenciale të Turqisë në 2023 për të parë nëse një fitore e opozitës mund të përmirësojë marrëdhëniet midis dy vendeve.
Përktheu Sonila Backa-abcnews.al