4.8 C
Pristina
Thursday, December 19, 2024

Syri dëshmon për Allahun

Më të lexuarat

Macro shot of a human eye.

Syri është një organ i domosdoshëm për jetën. Duke qenë vërtetë një “dritare” e trurit, ai luan një rol të dorës së parë në drejtim të njohurive që marrim nga bota. Çmohet nga studiuesit që, më shumë se 40 % e përshtypjeve sensoriale të trurit janë të lidhura me të parit. Ky fakt të bën të pranosh, të besosh Kur’anin si libër të Zotit dhe të dëshmosh me zë të lartë vërtetësinë e dhjetëra ajeteve kuranore, nëpërmjet të cilëve Allahu thekson rëndësinë kësaj ndjesie, duke e ftuar dhe nxitur njeriun të shikojë argumentet në qiej e tokë (Kur’an 12/ 105; 6/ 75; 34/ 9; 67/ 31), të sodisë qiejt e ngritur pa shtylla dhe të zbukuruar me yje e galaksi (Kur’an 13/ 2; 31/ 10; 50/ 6; 71/ 15), të vrojtojë detin dhe çfarë fshihet në të, apo anijet që lundrojnë (Kur’an 16/ 14; 31/ 31), të vëzhgojë shiun dhe qarkullimin e ujit në natyrë (Kur’an 39/ 21; 32/ 27; 56/ 68), të shohë tokën me malet, erërat, bimësinë, kafshët e shpendët (Kur’an 27/ 88; 24/ 43-44; 67/ 19; 88/ 17-20), të shikojë njeriu horizontet dhe veten e tij (Kur’an 51/ 21), etj. etj.

Syri ka formën e një globi pothuajse sferik me diametër afërsisht 2,5 cm dhe është formuar nga tri cipa. Në pjesën e përparme të cipës së jashtme, që është e bardha e syrit, ka një pjesë të tejdukshme që quhet korne. Këtu janë të vendosura enët kapilare që ushqejnë syrin. Prapa kornesë ndodhet një cipë opake, irida, që për njerëz të ndryshëm ka ngjyrë të veçantë. Pra, irida përcakton ngjyrën e syve, e vetmja karakteristikë e njeriut që nuk ndryshon nga lindja deri në vdekje. Irida ka në mes një çarje rrethore, që quhet bebja e syrit. Në varësi të fluksit të dritës që bie në sy, kjo çarje mund të ndryshojë diametrin nga 2 mm në 8 mm. Bebja te syri shërben njëlloj si diafragma tek aparati fotografik.

Pas iridës ndodhet një trup i tejdukshëm, kristalthi, që ka formën e një thjerre përmbledhëse. Muskujt që e rrethojnë, e bëjnë kristalthin të ndryshojë formë (të cilët e zgjasin, ose e bymejnë kristalthin) dhe, rrjedhimisht, fuqinë optike të sistemit. Kështu, mjaft harmonishëm, bëhet i mundur formimi i shëmbëllimit në retinë, pra shikimi i qartë i objekteve, në çfarëdo largësie qofshin ato. Kjo aftësi e përshtatjes së vetvetishme të syrit quhet akomodim. Ndryshe nga aparati fotografik, qartësia e shëmbëllimit në retinë rregullohet nëpërmjet ndryshimit të formës së kristalthit.

Në pjesën e brendshme të syrit ndodhet retina, ku formohen edhe shëmbëllimet. Ajo është një membranë në formën e rrjetës, me trashësi 0,2 mm, e përbërë nga miliona qeliza të lidhura me fundin e nervit optik. Ngacmimi i qelizave nervore, nën veprimin e dritës që bie mbi to, shkakton ndijimin e të parit. Rrezet e dritës nga objekti kalojnë në bebëz, thyhen në “sistemin optik përmbledhës” (korneja, lëngu ujor, kristalthi dhe lëngu qelqor) me largësi vatrore të ndryshueshme nga 2.4 cm deri në 1.7 cm dhe, shëmbëllimi fitohet në retinë. Shëmbëllimi shkakton procese fotokimike në mbaresat nervore dhe për këtë shkak formohen ngacmime që sjellin të shikuarit. Shëmbëllimet që formohen në retinë janë të përmbysura, por ndërtimi fiziologjik i trurit është i tillë që të përshtatet për t’i perceptuar ato drejt.

Perceptimi i dritës është i lidhur me ndërtimin, funksionimin e syrit si dhe me veprimtarinë përkatëse të trurit që përpunon informacionin që merr nga syri. Syri dallon dy karakteristika të dritës: dritën e fortë nga drita e dobët, si dhe ngjyrat. Syri ka një veçori interesante: ai percepton si ngjyrë të veçantë edhe një përzierje tri ngjyrash me intensitete të përcaktuara për çdo ngjyrë. Syri është i ndjeshëm për spektrin “e dukshëm” (e kuqe – blu), kurse ngjyrat infra të kuqe dhe ultravjollcë nuk i shikon fare. Qelizat në sy janë në formë kunji dhe shkopi. Të parat janë përgjegjëse për shikimin e ngjyrave, kurse ato në formë shkopi për shikimin në errësirë (akomodim të syrit). Këto qeliza, kur ndodhemi në errësirë të plotë, janë 1000 herë më të ndjeshme se ato në formë kunji.

Gjithashtu syri ynë ruan ndijimin e të parit për një kohë afërsisht 0,04 s–0,06 s. Kjo aftësi për të ruajtur përfytyrimin quhet “moment optik”. Për shembull: në qoftë se në errësirë zhvendosim me shpejtësi një copë qymyri të ndezur, do të shohim për një çast një vijë të ndritshme. Tek aftësia që ka syri për të ruajtur mbresën e të parit, është mbështetur kinemaja. Shikuesi, duke ruajtur mbresën e një kuadri deri në dukjen e një kuadri pasardhës, nuk vë re shkëputjen ndërmjet tyre. Mbresat e kuadrove të njëpasnjëshme zënë njëra-tjetrën (me shpejtësi deri në 24 kuadro në sekondë) dhe syri ka përshtypjen e një lëvizjeje të pandërprerë.

 

Një eksperiment interesant

Një shembull i mahnitshëm është rritja e mijëra fijeve nervore nga retina e syrit në drejtim të qendrës optike të trurit. Që gjallesa të mund të shikojë saktë, fijet nervore optike duhet të bashkohen me qelizat nervore përkatëse të trurit. Çdo fije nervore, në ndonjë farë mënyre, lidhet saktësisht me pikën e duhur nervore qendrore. Kjo u vërtetua në eksperimentet me kthimin (përmbysjen) e bebes së syrit te fetusi i peshkut ose salamandrës. Operacioni u krye shumë kohë para se nervi optik të fillonte rritjen në drejtim të trurit (ose u kthye në anën tjetër syri te kafsha e rritur pas prerjes së nervit optik). Megjithëse në nervin optik që rritet, fijet në çdo pikëpamje koklaviten, secila nga mijëra fije të tilla e gjen vendin e vet përkatës në tru, kështu që kafsha i dallon shumë mirë detajet më të imëta, por (nga përmbysja e syrit) shëmbëllimi del me këmbë përpjetë. Cilat orientime i japin mundësi secilës fije të nervit optik që të gjejë rrugën për në vendin e caktuar? –pyesin biologët të mahnitur. Përgjigja më e mirë janë ajetet kuranore: “Madhëroje Zotin tënd, më të lartësuarin! I Cili krijoi dhe përsosi. Dhe i Cili përcaktoi e orientoi.” (Kur’an, 87/ 1-3) Ndërsa Faraoni e pyeti Musain dhe Harunin “E kush është Zoti juaj, o Musa?” Musai iu përgjigj: “Zoti ynë është Ai që çdo sendi i dha formën e vet, pastaj e udhëzoi atë!” (Kuran, 20/ 49-50)

 

Perceptimi hapësinor në të parët me dy sy

Ç’epërsi ka të parit me dy sy në krahasim me të parit me një sy? Të parët me dy sy ka një ndryshim të dukshëm nga ai me një sy. Ky ndryshim nuk qëndron në faktin se pamja që shohim shquhet më qartë, por në atë që të parët me dy sy siguron dy epërsi shumë të dobishme për njeriun. Së pari, rritet fusha e shikimit. Me dy sy shikojmë një hapësirë më të madhe. Në drejtimin vertikal, fusha e pamjes për të dy sytë është 120o; në drejtimin horizontal, 160o për një sy dhe më shumë se 180o për të dy sytë. Së dyti, më e rëndësishmja, siguron një perceptim në hapësirë të objekteve. Gjatë shikimit me dy sy, është shumë më e lehtë të vlerësosh se në ç’largësi ndodhet objekti i vrojtuar. Kështu, duke parë me dy sy ne themi se një objekt është më pranë nga një tjetër, ose një i tretë është më larg nga dy të parët (ky lloj të shikuari quhet stereoskopik-hapësinor). Pra, ekzistenca e dy syve lidhet me një funksion plotësisht të caktuar: “atë të perceptimit të hapësirës”-konkludojnë fizikanët. Për t’u bindur për këtë mund të krahasohet pamja që shihet me një sy dhe me dy sytë. Në rastin e parë sendet duket sikur janë në plan, domethënë kur shohim me një sy e kemi shumë të vështirë të dallojmë cili objekt ndodhet më afër e cili më larg. Kështu ndodh tek shpendët. Në to fushat e pamjes së secilit sy janë të veçanta. Sigurisht, ata perceptojnë një zonë më të gjerë të hapësirës, por shikimi i tyre nuk është hapësinor. Vihet re që ka një ndryshim të dukshëm në krahasim me shikimin e shpendëve. Tek njeriu fushat e pamjeve të të dy syve kanë shumë pjesë të përbashkëta. Vetëm pjesë të vogla shikohen nga njëri sy e nuk perceptohen nga tjetri. Pamjet që perceptohen nga secili sy, nëpërmjet rrugëve nervore shkojnë nga retinat në hemisferat e trurit. Këtu ndodh një “shkrirje” e këtyre pamjeve duke nxjerrë në pah edhe ndryshimet që kanë ato. Duke qenë se perceptimi hapësinor lind nga fakti se objektet shikohen (me dy sy) njëkohësisht nga dy pika të ndryshme, në retinat krijohen zhvendosje të ndryshme të shëmbëllimeve. Pikërisht ky ndryshim duke u dërguar në analizatorin e të parit në tru, krijon perceptimin hapësinor të tyre. (këtë e shfrytëzoi njeriu për ndërtimin e kinemasë me tre përmasa). “A nuk i dhamë atij dy sy?” (Kur’an, 82/ 8) Ky ajet kur’anor në formë pyetëse na tërheq vërejtjen që ne, si qenie të vetëdijshme, t’i jemi mirënjohës Krijuesit Mëshirëplotë e të mos hiqemi mënjanë si mospërfillës ndaj mirësive të Tij.

 

“Mozaik”, që sfidon kryeneçësinë, mendjemadhësinë dhe pakujdesinë e njeriut

►Sytë e peshqve janë 5 herë më “dritëndjeshëm” sesa sytë e njeriut. Ata e kanë thjerrëzën të rrumbullakët, por janë të dendur. Peshqit shohin mirë dhe njëlloj, si afër ashtu edhe në një largësi relative. Po me çfarë shpejtësie shohin peshqit? Tek njeriu momenti optik (aftësia për të ruajtur ndijimin) është 1/18 deri në 1/24 e sekondës. Në kinematografi, përfytyrimi në ekran jepet 24 herë në sekondë. Por ka peshq që ia kanë kaluar kinematografisë (sidomos peshqit grabitqarë): momenti i tyre optik është 1/50 deri 1/67 të sekondës. Këtë refleks viziv e ka zili edhe portieri më i mirë në lojën e futbollit.

►Sytë termikë: si shpjegohet që gjarpërinjtë, që dalin për gjah natën, e gjejnë pa u gabuar viktimën e tyre? Gjarpërinjtë me zile dhe gjarpërinjtë e tjerë me sy gropëza përdorin të ashtuquajturin “vështrim termik” kur bëjnë gjuetinë e kafshëve më gjak të ngrohtë në errësirën e natës. “Sytë termikë” janë dy gropëza, që te gjarpërinjtë ndodhen midis hundës dhe syve. Nga ana e sipërme, secila nga këto gropëza është e mbuluar me një membranë brinore shumë të hollë. Trashësia e kësaj cipe nuk i kapërcen 15 të mijtat e milimetrit. Membrana është e përshkuar nga një numër i madh fijezash nervore, mbaresat e të cilave i përgjigjen edhe ndryshimit më të vogël të temperaturës me anën e impulseve nervore. Gjatë gjuetisë së natës, gjarpri rrëshqet ngadalë duke vrojtuar truallin. Në largësinë 15 cm nga një mi i përgjumur temperatura e ajrit është më e lartë vetëm 3 të mijtat e gradës celsius. Por për gjarprin kjo shmangie, pothuaj e pandjeshme e temperaturës, është e mjaftueshme. Gjarpri e ndjen atë, fillon të afrohet vjedhurazi dhe pa asnjë zhurmë. Fati i viktimës është caktuar…. Termolokatorët ose “sytë termikë” të disa gjarpërinjve janë receptorët më të ndjeshëm të temperaturës që janë zbuluar në botën e kafshëve. Me të njëjtin parim funksionojnë kamerat televizive me rreze infra të kuqe, që mund të xhirojnë edhe në errësirë.

►Është vërtetuar se syri i njeriut nuk mund të dallojë çdo ngjyrë në natyrë. Shkencëtarët kanë përcaktuar se miza e tokës është në gjendje të dallojë ngjyra për të cilat syri i njeriut është i verbër.

Këta tre shembuj janë pak në shumëllojshmërinë e botës që na rrethon. Mjaftueshëm ata tregojnë se syri i njeriut, sado i përsosur, në disa aspekte është më i kufizuar se i gjallesave të tjera, qofshin ato edhe shumë shumë të vogla. Me këtë urtësi të krijimit Allahu i tërheq vëmendjen njeriut që të marrë mësim e udhëzim, të pranojë dobësinë e tij para Krijuesit dhe, jo të zhytet më shumë në pakujdesi, shthurje, arrogancë e mendjemadhësi. “Allahu nuk ngurron që të marrë çfarëdo shembulli, qoftë mushkonjë a diçka më e imët se ajo. Për sa u përket atyre që besuan, ata e dinë se ai (shembull) është i vërtetë nga Zoti i tyre. Ndërsa ata të cilët mohuan do të thonë: “Ç’deshi Allahu me këtë si shembull?” Ai me të humb shumë e, po me të, udhëzon në rrugën e drejtë shumë, por me përjashtim të atyre që janë jashtë rrugës, Ai me të nuk humb tjetër.” (Kur’an, 2/ 26)

 

Syri, të shikuarit dhe mendja

Fotografia u shpik në vitet ‘30 të shekullit XIX. Kinemaja edhe më vonë. Unanimisht pranohet se syri ka një ndërtim më të ndërlikuar dhe funksionim më të përsosur se aparati fotografik. Madje, për të thjeshtëzuar të kuptuarit e funksionimit të syrit, shumë dijetarë përdorin krahasimin me aparatin fotografik. “Syri është i ngjashëm me aparatin fotografik!!!” – thonë shkencëtarët apo mësuesit, kur duan të shpjegojnë kuptueshëm ndërtimin dhe funksionimin e syrit. Por nuk duhet të mbyllet kaq lehtë dhe kaq shpejt arsyetimi dhe analiza e një shkencëtari apo mësimdhënësi. Është njësoj sikur të pranosh dhe të thuash se “Vëllai i madh i ngjan shumë vëllait të vogël!!!”, apo edhe më tej “Babai i ngjan shumë fëmijës së tij!!!” Vallë, vetëm mësuesi i fizikës mund të bëjë analogjira? Po mësuesi i biologjisë, a ka të drejtë të bëjë krahasime të funksionimit të shqisës së të parit, produkt i punës së miliona qelizave, fijeve nervore dhe rrjetit të ndërlikuar të enëve kapilare të gjakut? Nëse po, me çfarë? A mundet të jetë syri fryt i rastësisë dhe i kombinimit të gjërave të pavetëdijshme, siç pretendohet për njeriun? Po mësuesi i kimisë, kujt duhet t’ia përngjasojë shqisën e të parit, të vrojtuarit dhe të vëzhguarit, që janë pasojë e një tërësie reaksionesh kimike, që zhvillohen me shpejtësi marramendëse? Me çfarë solucioni laboratorik mund ta krahasojë kimisti pikën e lotit, që tret çdo grimcë të fortë, pa dëmtuar as cipat mikronike të syrit? Kjo është një mrekulli më vete, që dëshmon qartë Allahun, i Cili në një pikë loti shfaq cilësitë e Tij të larta si Krijues, Mbrojtës e Përkujdesës, i Dashur, Përdëllimtar e Mëshirues. Po mësuesi i letërsisë, psikologjisë (etj…), kujt ia atribuon emocionet, hidhërimin apo gëzimin që mbart dhe transmeton fuqishëm një pikë loti në sytë e nxënësit? Po mësuesi i vizatimit (piktori) a mundet ta konkurrojë vallë gjallërinë, energjinë, ngjyrat dhe ndjenjat që burojnë nga sytë? Ku e merr këtë forcë mbresëlënëse kjo sferë mishi dhe uji? Po mësuesi i sociologjisë me çfarë modeli social mund ta krahasojë bashkëpunimin e urtë, mirëkuptimin, harmoninë e punës së miliarda e miliarda atomeve e molekulave, të miliona qelizave brenda një hapësire 65.4 cm3? Nëse ndonjë nxënës çamarrok nuk e “ngacmon” mësuesin me pyetje të tilla në orën e mësimit, po vetë mësuesi a i mendon në vetvete ato, a synon t’u përgjigjet atyre? Sa mësuesi, studiuesi apo hulumtuesi e lidh informacionin që merr nëpërmjet shqisave me mendjen dhe shpirtin? Të shikuarit është një proces që vetëm sa fillon në sy dhe gjurma e tij duhet të kalojë e të analizohet patjetër nga “lupa” e mendjes. Të vrojtuarit është atribut i të gjallës, përndryshe, ç’vlerë ka syri i një kufome?! Të vëzhguarit, të vrojtuarit e natyrës dhe shoqërisë janë cilësi e mendjes së shëndoshë dhe e intelektit plot gjallëri, që syrin e shikon si një mjet të përsosur që ia ka dhuruar Allahu, si një dritare për të ndriçuar mendjen. Pikërisht për këtë, në ligjërimin kuranor Zoti nuk i kushton rëndësi mrekullinë e syrit por thekson rëndësinë që ka veprimi i të vëzhguarit, të parit, të shikuarit për njohjen e të vërtetës. Zoti na sjell në vëmendje në Kur’an se pajisja e njeriut me shqisën e të dëgjuarit dhe të parit janë të lidhura gjithmonë ngushtë me mendjen dhe zemrën, se shumë njerëz kanë sy, por nuk shikojnë, edhe pse ngado janë shpërfaqur “dëshmi të dukshme dhe përkujtuese për secilin njeri që ka drejtuar mendjen (tek Zoti)” (Kur’an, 50/ 8). Prandaj, shpesh në Kuran, ajetet fillojnë me pyetjen “A nuk e ke parë?”, “A nuk e sheh?”, “Si nuk kanë parë?”, “A nuk shikojnë?”, “A nuk e keni parë?” etj. Në këtë këndvështrim kuranor, një mësimdhënës, që vetëm riprodhon tekstin mësimor, ka verbuar shërbimin cilësor të syrit dhe ka vyshkur intelektin që i ka dhuruar Zoti. Çdo mësues duhet të “kapërcejë” kornizat e faqeve “dypërmasore” të librave të mësuar në shkolla dhe në tekstet mësimore që shpjegon rëndom, për t’i dhënë vetes dhe nxënësve lirinë e të menduarit dhe të arsyetuarit aktiv. Me të drejtë Hekimoglu Ismail këshillon: “Kur analizojmë beben e syrit, shohim një art dhe besojmë në ekzistencën e një “Artisti”. Prandaj mësimdhënia e shkencave natyrore, ose e biologjisë si lëndë mësimi në shkolla, është një lloj adhurimi… Rritja dhe edukimi i fëmijëve të ditur dhe besimtarë, do të ndikojë më vonë pozitivisht në brezat e ardhshëm.” (“Për ata që mendojnë”, fq. 82, Gelenek 2003)

Nëse për aparatin fotografik apo kamerat njerëzit e pranojnë se ka “shpikës” (më saktë kopjues) dhe komandues, për syrin, që është jashtëzakonisht më i përkryer, nuk e besojnë Krijuesin e tij e, edhe të vetë njeriut. Ky është një paradoks dhe devijim në të arsyetuar. Ashtu siç është vetëmashtrim që, për produktin e duarve të tij, njeriu të njeh bërësin (vetveten), ndërsa përsosmërinë, rregullin, harmoninë dhe përkryerjen tek vetja dhe në univers t’ia lërë në dorë rastësisë dhe natyrës së pandërgjegjshme! Ndërtimi dhe funksionimi i syrit dëshmon qartazi për Allahun, që krijoi çdo gjë me urtësinë e Tij të përsosur, që i formësoi, i udhëzoi krijesat e Tij dhe u dhuroi mirëqenie e mirësi. Çdo pjesë përbërëse e syrit dëshmon për Allahun, që mbikëqyr të gjitha proceset në këtë ekzistencë, që i do, që i merr në mbrojtje dhe përkujdesje krijesat e Tij, i Vetmi që meriton lavdërim, falënderim dhe mirënjohje.

“O njeri! Ç’të mashtroi ty kundrejt Zotit tënd, që është Bujar e i Urtë? I Cili të krijoi, të përsosi dhe të drejtoi. Të formësoi në formën që Ai dëshiroi.” (Kur’an, 82/ 6-8)

BLERIM LAZIMI

- Advertisement -spot_img

Më tepër

Të fundit