Reuters
Lëshimet e fundit të raketave nga Koreja e Veriut kanë rritur pritjet se shumë shpejt ky shtet mund të testojë një pajisje bërthamore, për herë të parë që nga viti 2017.
Koreja e Veriut ka përfunduar të gjitha përgatitjet teknike për testin e ri në tunelet nëntokësore në qendrën testuese Pungi-ri, që ishte mbyllur më 2018, duke lënë në duart e liderit Kim Jong Un që të vendosë se kur do të kryhet testimi i ri, thanë zyrtarët e Koresë së Jugut.
Më poshtë mund të mësoni se çfarë mendojnë zyrtarët dhe analistët e huaj lidhur me atë se kur dhe pse Koreja e Veriut mund t’i rikthehet testimeve, çfarë pajisjesh mund të testojë dhe cili mund të jetë reagimi ndërkombëtar.
Kur do të kryejë testime Koreja e Veriut?
Përgjigjen në këtë pyetje e dinë vetëm zyrtarët në Korenë e Veriut. Vëzhguesit, madje kanë thënë se ka shumë gjasa që vetëm Kim apo njerëzit e afërt të tij, e dinë kohën e saktë të testimeve.
Koreja e Veriut është shënjestër e vështirë për spiunët amerikanë dhe spiunët e tjerë të huaj, të cilët janë zënë në befasi në të kaluarën nga disa prej përparimeve të shtetit, përfshirë edhe testimin e një bombe të dyshuar hidrogjeni dhe lëshimin e raketave balistike ndërkontinentale, të afta për të goditur caqe deri në Shtetet e Bashkuara. Të dy këto përparime, Koreja e Veriut i kishte arritur më 2017.
“Ne zakonisht kemi një ide të mirë sa i përket aftësive të tyre, të cilat mund t’i detektojmë nga satelitët apo inteligjenca teknike. Por, shumëçka varet nga ajo që ka në mendje Kim Jong Un. Prandaj, ne realisht nuk e dimë se çfarë do të ndodhë”, tha një zyrtar ushtarak perëndimor në Seul, i cili nuk deshi t’i publikohej emri për shkak të temës së ndjeshme.
Imazhet satelitore kanë treguar se Koreja e Veriut këtë vit ka kryer punime që të rikthejë në funksion disa prej tuneleve që ishin mbyllur më 2018, kur Penjiani vendosi vetë një moratorium mbi testet e armëve bërthamore. Kim, megjithatë, ka thënë se më nuk ndihet i obliguar që ta zbatojë atë moratorium, teksa edhe bisedimet për denuklearizim kanë ngecur që nga viti 2019.
Datat e mundshme për testim mund të jenë gjatë kohës kur do të mbahet kongresi i Partisë Komuniste të Kinës, që nis më 16 tetor, por edhe gjatë zgjedhjeve të mesmandatit në Shtetet e Bashkuara më 7 nëntor, thanë zyrtarët e Koresë së Jugut, të cilët janë informuar për situatën nga agjencia e spiunazhit muajin e kaluar.
Aspektet e tjera që mund të ndikojnë në vendimet e liderit verikorean mund të jenë edhe situata me pandeminë COVID-19 në shtetin e tij, lufta në Ukrainë, festat zyrtare dhe sinjalet nga partnerët në Kinë dhe Rusinë, thanë analistët.
Pse dhe çfarë do të mund të testojë Koreja e Veriut?
Nëse Koreja e Veriut i rikthehet testimeve bërthamore, ato mund të përfshijnë edhe zhvillimin e kokave më të vogla bërthamore të destinuara për përdorim në fushëbetejë – jo për të sulmuar qytete – dhe të dizajnuara për raketa me rreze të mesme veprimi, sikurse ato që Koreja e Veriut testoi javën e kaluar, thanë analistët.
Në testimet e fundit të raketave janë përfshirë edhe njësite për të operuar armët taktike bërthamore, kanë raportuar mediat verikoreane.
Pajiset më të vogla po ashtu mund t’i lejojnë Koresë së Veriut të vendosë disa koka bërthamore në një raketë balistike ndërkontinentale, duke i mundësuar që të sulmojë disa shënjestra dhe të vështirësojë punën për mbrojtjen ajrore.
Koreja e Veriut po ashtu ka thënë se dëshiron të dislokojë armë më të mëdha bërthamore, prandaj analistët besojnë se ky shtet mund të jetë duke punuar në këtë drejtim.
“Ata kanë kryer një numër mjaft të kufizuar të testeve bërthamore”, tha Vann Van Diepen, ish-ekspert i Koresë në Qeverinë amerikane, i cili tani punon në projektin Veriu 38. “Dhe çdo zhvillues i armëve… do të dëshironte që të kryente sa më shumë teste në mënyrë që të kishte besimin më të madh të mundshëm se ato armë do të funksiononin”.
Kim po ashtu po dëshiron që të legjitimojë programin e tij të armëve dhe mund të kryejë një test për të rritur presionin ndaj Uashingtonit që është i zënë me luftën në Ukrainë dhe kriza të tjera, tha një zyrtar ushtarak perëndimor.
Cili do të ishte reagimi?
SHBA-ja dhe aleatët e saj në Azi janë zotuar se një rinisje e testeve bërthamore “do të përballej me një kundërpërgjigje të fuqishme të të gjitha qeverive”, por nuk kanë elaboruar se për çfarë përgjigje do të bëhej fjalë. Testet e raketave janë përballuar me sanksione të njëanshme dhe paraqitje të forcës ushtarake, përfshirë edhe stërvitje të përbashkëta ushtarake dhe dislokim të avionmbajtësve amerikanë.
Testet e mëhershme bërthamore të Koresë së Veriut po ashtu shtyn që Këshilli i Sigurimit i Kombeve të Bashkuara të miratonte rezoluta dhe sanksione, që atëbotë ishin përkrahur nga Kina dhe Rusia.
Këto dy shtete kanë bllokuar përpjekjet e fundit për miratuar rezoluta të reja në Këshill të Sigurimit.
Analistët thanë se as Pekini, dhe as Moska, ka pak të ngjarë të mirëpresin një test të ri, por ata thanë se ka pak gjasa që të mbështesin ndonjë ndëshkim të ri për Korenë e Veriut.
“Këto shtete ndoshta nuk janë të prira për këtë gjë. Por, mendoj se ky është problemi më i madh për këto shtete tani siç mund të ishte pesë apo dhjetë vjet më par, për shkak të natyrës së raporteve të tyre me SHBA-në”, tha Van Diepen.