Dr. Mohannad Hakim
Martesa, krijimi i familjes, lindja dhe rritja e fëmijëve, janë të gjitha instinkte të bukura dhe natyrore me të cilat na ka pajisur Allahu. Në suren Merjem, kjo prirje trajtohet duke shtuar edhe dimensionin shpirtëror në marrëdhënien mes babait dhe djalit.
Cili është qëllimi i vërtetë i martesës dhe lindjes së fëmijëve?
A keni planifikuar për botën e tyre të përpjetshme, njësoj siç keni planifikuar dhe jeni kujdesur për jetën e tyre në këtë botë?
Përtej dashurisë së natyrshme të krijimit të familjes, surja Merjem na mëson se motivi kryesor për lindjen e fëmijëve duhet të burojë nga dëshira për të rritur një brez të ardhshëm njerëzish që do të adhurojë Allahun. Fjalët kyçe të përdorura shpesh gjatë sures, rrotullohen rreth subjektit të familjes, prindërve dhe trashëgimisë.
Familje me një qëllim
Surja fillon me një lutje të ndjerë dhe modeste nga profeti Zekeria (a.s) që i kërkon Allahut t’i dhurojë një pasues që do të vijojë trashëgiminë e tij të predikimit dhe përhapjes së të mirës tek bijtë e Izraelit.
“Unë u frikësohem (sjelljeve të) të afërmve të mi pas meje184, ndërsa bashkëshortja ime është beronjë; andaj, më dhuro nga ana Jote një pasardhës, që të më trashëgojë mua dhe familjen e Jakubit. O Zoti im, bëje atë të pëlqyeshëm (për Ty)!” (Surja Merjem: 5-6)
Lutjet e tij morën përgjigje dhe Allahu i dhuroi një djalë, Jahjan (a.s) që u edukua me parime të forta: (Pasi lindi djali, iu tha): “O Jahja, rroke fort Librin (Teuratin).” Dhe Ne, kur ende ishte fëmijë, i dhamë mençuri, butësi prej Nesh dhe dëlirësi. Ai ishte besimtar i përkushtuar dhe i sjellshëm ndaj prindërve të vet, nuk ishte i ashpër dhe i padëgjueshëm.” (Surja Merjem: 12-14)
Më vonë përmendet lindja e profetit Isa (a.s) si dhe evidentohet pastërtia dhe drejtësia e nënës së tij, Merjemit. “Ajo tha: “Si mund të kem unë djalë, kur asnjë mashkull nuk më ka prekur e nuk jam as e pacipë?!” Iu përgjigj: “Kështu është! Zoti yt ka thënë: ‘Kjo për Mua është e lehtë. Ne do ta bëjmë atë shenjë për njerëzit dhe mëshirë nga ana Jonë’. Dhe kjo është punë e kryer.” (Surja Merjem: 19-20)
Sekreti i rritjes së fëmijëve të bindur dhe të drejtë është të jetuarit edhe vetë sipas të njëjtit standard. Ne e dimë që profeti Jezus (a.s) foli në djep dhe fjalët e tij ishin: “Ai (Isai në djep) tha: “Unë jam rob i Allahut. Ai më ka dhënë Librin (Ungjillin), më ka bërë profet dhe më ka bërë të bekuar kudo që të jem. Ai më ka porositur që të falem e të jap zeqat sa të jem gjallë dhe që të jem i mirë ndaj nënës sime dhe nuk më ka bërë të ashpër dhe të padëgjueshëm.” (Surja Merjem: 30-32)
Pse Allahu zgjodhi titullin Merjem për këtë sure të bukur?
Ndoshta Allahu dëshiron që ne të reflektojmë mbi vlerën e nënës, dhe mbi faktin se ajo është burimi i spiritualitetit për të gjithë familjen. Ky është një mesazh tejet i rëndësishëm për të gjithë besimtarët.
Për gratë muslimane: Ju lutem kuptoni sesi islami vlerëson rolin tuaj në ruajtjen e qëndrueshmërisë dhe spiritualitetit brenda familjes.
Për bashkëshortët muslimanë: nderojini dhe duajini bashkëshortet tuaja, sepse ato janë edukatoret kryesore të fëmijëve tuaj.
Për beqarët: kriteri numër një në përzgjedhjen e bashkëshortes tuaj të ardhshme duhet të jetë lidhja e saj me Allahun xh.sh.
Një djalë i drejtë dhe një baba i pabindur
Nëse vazhdojmë më tej leximin e sures, gjejmë historinë e një tjetër djali të drejtë, Ibrahimit (a.s) që ishte i mbrojtur nga devijimi i babait të tij. Ai ishte fatlum që nuk përfundoi duke adhuruar idhujt njësoj si babai i tij. Përkundrazi, ai u përpoq ta këshillonte babanë e tij që t’i thërriste arsyes, duke përzgjedhur për këtë fjalët më të bukura: “Ai i tha të atit: “O babai im, përse adhuron atë që as nuk dëgjon, as nuk sheh e as që mund të të sjellë ndonjë dobi? O babai im, mua më ka ardhur prej diturisë, çfarë s’të ka ardhur ty; andaj ndiqmë mua dhe unë do të të udhëzoj në rrugën e drejtë! O babai im, mos adhuro djallin, sepse ai është gjithmonë i pabindur ndaj të Gjithëmëshirshmit. O babai im, unë kam frikë se mos të vjen ndonjë dënim nga i Gjithëmëshirshmi e kështu të bëhesh i afërm i djallit”!” (Surja Merjem: 42-45)
Kjo histori frymëzon të gjithë ata që mund të jetojnë në një familje ku kanë vështirësi të ushtrojnë besimin e tyre. Ajo shpjegon se nuk është kurrë vonë për t’u treguar i vendosur në besimin tek feja jote, edhe nëse prindërit e tu refuzojnë të besojnë.
Ajo gjithashtu na urdhëron të jemi të butë dhe të kujdesshëm në mënyrën si i predikojmë besimin më të mëdhenjve dhe në veçanti prindërve tanë. Ata fëmijë që fillojnë të besojnë dhe e trajtojnë familjen e tyre me ashpërsi, nuk kanë kuptuar asgjë nga trashëgimia dhe urtësia e historisë së Profetit Ibrahim (a.s).
Më shumë familje të drejta
Profeti Musa (a.s) përmendet shkurtimisht në këtë sure, duke vendosur theksin tek fakti që Allahu i mundësoi Harunin si mbështetës nga brenda familjes së tij.
Më pas përmendet Ismaili, djali i Ibrahimit. Ai ishte dhuratë për Ibrahimin (a.s), profetin e devotshëm dhe të duruar. Ismaili gjithashtu e kishte urdhëruar familje e tij të lutej dhe të bënte bamirësi.
“Trego në Libër për Ismailin! Vërtet, ai ishte i sinqertë në premtimet e veta, ishte i dërguar dhe profet. Ai e urdhëronte popullin e vet që të falte namazin e të jepte zeqatin dhe ishte i mirëpritur te Zoti i vet.” (Surja Merjem: 54-55)
Një nga ajetet më të bukur të sures përmend brezat e familjeve të disa profetëve, përfshi Ademin, Nuhun, Jakubin dhe të tjerë.
“Këta janë ata, të cilët Allahu i begatoi (me hirin e Tij) nga profetët pasardhës të Ademit, të atyre që Ne i mbartëm me Nuhun, nga pasardhësit e Ibrahimit dhe të Izraelit dhe nga ata që Ne i udhëzuam dhe i zgjodhëm. Kur iu lexoheshin vargjet e të Gjithëmëshirshmit, binin duke bërë sexhde dhe qanin.” (Surja Merjem: 58)
Përderisa Kur’ani ofron një përvojë të plotë shpirtërore dhe edukuese, ne jemi të udhëzuar të biem në sexhde kur lexojmë këtë varg, së bashku me 13 vargje të tjerë të Kur’anit.
Qëllimi është të respektojmë dhe ndjekim modelet orientuese të përmendura në Kur’an, dhe të zbatojmë shembullin e tyre në bindjen dhe gjunjëzimin e plotë ndaj Allahut.
Megjithatë, pas një zinxhiri të gjatë familjesh të nderuara dhe të devotshme, brezat pasues nuk iu përmbajtën mesazhit. Kjo erdhi si rrjedhojë e injorimit të lutjeve dhe rendjes pas epsheve apo tundimeve.
“Pas atyre erdhën brezni, që e braktisën faljen e namazit dhe ndoqën epshet e veta.” (Surja Merjem: 59)
Allahu s’ka nevojë për familjes
Drejt fundit, tonaliteti i sures ndryshon, duke konfirmuar një koncept themelor të besimit islam; qeniet njerëzore kanë nevojë për familje, ndërsa Allahu jo. Ai nuk ka shok, bashkëshort/e, apo fëmijë.
“Ata thonë: “I Gjithëmëshirshmi ka një bir”. Keni thënë diçka vërtet të tmerrshme! Qiejt gati sa nuk copëtohen prej kësaj; Toka gati sa s’çahet e malet sa s’rrëzohen të thërrmuar, ngaqë ata i veshin një bir të Gjithëmëshirshmit.” (Surja Merjem: 88-91)
Për t’u pasur parasysh
Gjatë leximit të kësaj sureje të bukur vërejmë përdorimin e shpeshtë të fjalës “mëshirë” dhe nënkuptimeve të saj, si dhe përdorimin e emrit të Allahut, “Zot i mëshirës”. Kjo duhet të na nxisë të reflektojmë mbi marrëdhënien tonë me anëtarët e familjes dhe sa e rëndësishme është të tregohemi të mëshirshëm kundrejt tyre.
Është gjithashtu e rëndësishme të pastrojmë dhe orientojmë qëllimet tona, në mënyrë që përmes çështjeve tokësore, të tilla si martesa dhe lindja e fëmijëve, të arrijmë synime të larta si rritja e një familjeje të drejtë që adhuron Allahun e gjithëfuqishëm dhe tregon mëshirë ndaj krijesave të tij.
Burimi: aboutislam.net