3.6 C
Pristina
Monday, December 23, 2024

Sunetet e Bajramit

Më të lexuarat

1 – Festat e vetme të ligjësuara në islam: Kurban Bajrami dhe Fitër Bajrami

Para shpalljes ose në kohën e injorancës ishin shumë gjëra që binin ndesh me fenë islame kurse disa tjera vetëm se ishin ndryshe nga ajo që donte Allahu i Lartëmadhëruar. Prandaj me shpalljen e përkryer të Allahut krejt të këqijat u mënjanuan kurse ato jo të këqijat morën trajtën më të mirë të mundshme. Një nga ato ishte edhe se banorët e Medinës në kohën e injorancës i festonin dy festa të tyre të hershme. Kjo, me ardhjen e të Dërguarit të Allahut (paqja dhe mëshira e Allahut qofshin mbi të) u ndryshua, pasi që Allahu ua zëvendësoi këto dy festa me dy festa tjera, e ato ishin Kurban Bajrami dhe Fitër Bajrami. Këto festa madje ishin edhe dy festat e vetme të muslimanëve të cilat u ligjësuan në Medine pas hixhretit, të cilat edhe mbeten të vetmet festa për muslimanët deri në ditën e gjykimit.

Për këtë fakt na tregon Enesi (Allahu qoftë i kënaqur prej tij) i cili thotë: “Banorët e Medinës në kohën e injorancës kishin dy festa në të cilat argëtoheshin gjatë tyre, mirëpo kur erdhi i Dërguari i Allahut në Medinë u tha: “Ju keni pasur dy festa në të cilat argëtoheshit gjatë tyre, tani Allahu ato ua ka zëvendësuar me dy të tjera më të mira: Fitër Bajrami dhe Kurban Bajrami.” (Transmeton Ebu Davudi, Hakimi, Bejhakiu me zinxhir sahih-autentik)

2 – Preferohet gjatë tyre: Larja (gusli), parfumimi dhe të veshurit me rrobat më të bukura

Ibënul Kajimi (Allahu e mëshiroftë) ka thënë: I Dërguari i Allahut (paqja dhe mëshira e Allahut qofshin mbi të) gjatë dy bajrameve i veshte rrobat më të bukura. Ai posedonte një palë rroba të cilat i vishte gjatë dy bajrameve dhe në ditën e xhuma. Gjithashtu Ibën Omer (Allahu qoftë i kënaqur prej tij) e praktikonte larjen-guslin gjatë dy bajrameve.(Transmeton Ibën Ebu Shejbe dhe Abdurrezaku 3/309, me zinxhir sahih-autentik)

3 – Ngrënia diçka para se të dilet për të falur namazin

Enesi (Allahu qoftë i kënaqur prej tij) ka thënë: “I Dërguari i Allahut ditën e Fitër bajramit nuk dilte për në xhami derisa të hante disa hurma, kurse hurmat i hante në numër tek.”(Transmeton Buhariu)

4 – Dalja për faljen e namazit të Bajramit në Musala – vendfalje e caktuar për namazin e Bajramit.

Ebu Seid el Hudriu (Allahu qoftë i kënaqur prej tij) transmeton dhe thotë: “I Dërguari i Allahut dilte për të falur namazin ditën e kurban Bajramit dhe Fitër Bajramit në musala. (vendfalje e caktuar për të falur namazin e Bajramit)” (Transmeton Buhariu) P.sh. qendër e qytetit, park, fushë sportive, aludon në vend të gjerë i madh ku mund të dalin të falen të gjithë banorët e atij vendi, qoftë ky qytet apo fshat.

5 – Dalja e grave dhe fëmijëve madje edhe e grave me menstruacione në musala

Umu Atije (Allahu qoftë i kënaqur prej saj) thotë: “Jemi urdhëruar në kohën e të Dërguarit të Allahut (paqja dhe mëshira e Allahut qofshin mbi të) ne, gratë e shtyra në moshë, madje edhe gratë të cilat ishin me menstruacione që të dalim në Bajrame për të marrë pjesë në lutjet e muslimanëve si dhe mirësitë gjatë tyre. Kurse ata të cilët ishin me menstruacione i largoheshin vendit ku faleshim.”(Mutefekun alejhi)

Gjithashtu i Dërguari i Allahut (paqja dhe mëshira e Allahut qofshin mbi të) e ka obliguar daljen e grave në musala gjatë bajrameve. (Transmeton Ahmedi me zinxhir autentik. Albani e ka cekur në Xhamiu sahih)

6 – Ndërrimi i rrugës

Xhabir Ibën Abdullahu (Allahu qoftë i kënaqur prej tij) thotë: “I Dërguari i Allahut (paqja dhe mëshira e Allahut qofshin mbi të) në ditën e Bajramit e ndërronte rrugën gjatë shkuarjes dhe kthimit nga musala.”(Transmeton Buhariu)

- Advertisement -spot_img

Më tepër

Të fundit